Policia bashkiake bllokon vetëm 7 plazhe pa leje
DURRËS Aksioni i nisur dy ditë më parë në Shkëmbin e Kavajës për bllokimin e plazheve private pa leje është kthyer në një aksion qesharak. Në plazhin e Durrësit, plazhi më i madh buzë Adriatikut, janë bllokuar vetëm 7 plazhe të tilla që nuk kanë marrë lejen e bashkisë. Policia bashkiake e Durrësit ka bërë të ditur se janë bllokuar 7 subjekte të paligjshme që ushtrojnë këtë aktivitet, ndërsa ka shtuar se janë sekuestruar edhe 122 zhezlongë të këtyre subjekteve. Plazhi i Durrësit ka një gjatësi prej 3.1 km nga muri rrethues i portit deri te vilat qeveritare në Plepa. Drejtues të bashkisë kanë bërë të ditur se sipërfaqja totale e plazhit është 18 hektarë, por nga kontrolli i ushtruar dy ditë me radhë janë gjetur vetëm 7 plazhe pa licencë. Një aksion i tillë duket se është kthyer në një farsë qesharake, pasi në këtë plazh nuk ka asnjë vend ku pushuesit mund të shkojnë për të pushuar me çadrat e tyre. Po nga deklarimet zyrtare të kësaj bashkie, është bërë e ditur se vetëm 86 persona kanë aplikuar për pajisjen me leje për plazhet private. Nga ana tjetër lejet në fjalë parashikojnë vetëm dhënien e një sipërfaqeje prej 200 metër katror për secilin subjekt, tarifa e të cilit është 360 mijë lekë në sezon. Në rast se bëhet një llogari e thjeshtë, i bie që vetëm afro 2 hektarë e të gjithë sipërfaqes së plazhit të jetë e zënë nga plazhet private dhe 16 hektarë të jenë të lira. Gjithsesi policia bashkiake e Durrësit ka njoftuar se aksioni i dy ditëve që është zhvilluar nga zona Iliria në drejtim të Urës së Dajlanit ka nxjerrë vetëm 7 plazhe të paligjshëm, ndërsa të tjerët kanë qenë në rregull. Pushues të shumtë si dhe banorët e përhershëm të zonës së Plazhit shpesh janë futur në konflikt me pronarët që kanë uzurpuar gjithë zonën e rërës. Ka shumë banorë që kanë blerë hyrje nga 50-60 mijë euro në buzë të detit, por ata nuk mund të vendosin një çadër para pallatit ku kanë blerë hyrjet. Shtetasi G.Hasa shprehet se “Jam nga Korça, e kam blerë hyrjen këtu në zonën ‘Iliria’ 60 mijë euro për të ndenjur një muaj. Nuk më lënë në asnjë vend për të vendosur çadrën time. Unë nuk dua të paguaj krevatet e këtyre që kanë zaptuar gjithë plazhin. Bashkia duhet të ndërhyjë se është përgjegjësi e saj. Nuk ka kuptim që ne që jemi banorë të kësaj zone të mos lejohemi të vëmë çadrën para pallatit tonë”. Aksioni që nisi fillimisht në Shkëmbin e Kavajës ka nxjerrë në pah edhe një abuzim tjetër të plazheve private. Inspektorët e tatimeve kanë deklaruar se edhe këto lloj subjektesh duhet të pajisen me kasë fiskale dhe moslëshimi i kuponit tatimor i dënon ata me gjobë 100 mijë lekë në rastin e parë, ndërsa rastet e përsëritura janë 200 mijë herën e dytë dhe 300 mijë herën e tretë. Policia bashkiake e Durrësit e ka nisur aksionin e saj rreth orës 18.00, por edhe në këtë orë shumë pushues janë detyruar të lënë krevatet ku rrinin shtrirë për shkak se nuk e dinin që ishin në një plazh të paligjshëm.
Aleks Kalemasi