E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Nga dialogu mes Ramës dhe Berishës presim progres



Komisioni Evropian po vëzhgon nga afër situatën në Shqipëri dhe pret progres nga dialogu mes Kryeministrit të vendit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Zëdhënësja e Stefan Fule, komisionerit për Zgjerimin e BE-së, tha dje se “KE e vlerëson si një hap para uljen e palëve në tryezën e bisedimeve”. “Komisioneri Fyle sigurisht që vazhdon të monitorojë nga shumë afër të gjitha zhvillimet në Shqipëri dhe ai do të dëshironte shumë të shihte një farë progresi”, ka thënë Angela Filote, zëdhënëse e Komisionerit të KE për zgjerimin. Deklaratat më të fundit të ardhura nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës kanë inkurajuar dialogun mes maxhorancës dhe opozitës dhe i kanë bërë thirrje Partisë Socialiste në veçanti t’i japë fund bojkotit e të kthehet në parlament. Në të gjtha deklaratat e Presidentit të KE-së Jerzi Buzek, Zv.presidentit Libor Roucek dhe eurodeputetëve, vihet theksi tek rezoluta e Parlamentit Evropian, që i ka bërë thirrje opozitës shqiptare t’i japë fund bojkotit të parlamentit dhe i kërkon asaj të kryejë detyrën e saj kryesore që është përfaqësimi i votuesve të saj në legjislativ.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›