E plagosura: “Unë, 16-vjeçarja që punoja në repartin e çmontimit”
Dëshmia e Arta Prinit, që ndodhet në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Sipas Prinit, ajo punonte në repart bashkë me pesë anëtarët e familjes së saj
Emanuela Sako
Është vetëm 16 vjeçe, mirëpo mosha e saj nuk e ka penguar për të qenë një nga punëtorët e repartit të çmontimit në Gërdec. Kushtet ekonomike e kishin detyruar të linte shkollën për t’u punësuar në fabrikën e fshatit. Tri ditë pas tragjedisë ajo rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Albania” orët e tmerrit, duke treguar me dëshminë e saj dhe shumë fakte që do të rëndojnë pozitën e drejtuesve të kompanisë. Tragjedia nuk e kurseu edhe atë. Arta Prini shihte çdo ditë rrezikun me sy bashkë me pesë familjarët e saj që preknin predhat. Ajo punonte me nënën, vëllain, motrën dhe të fejuarën e vëllait, që forca e shpërthimit duket se e ka përpirë. Vajza ndodhet prej 3 ditësh në QSUT, në Pavijonin e Djegie Plastikës, ku ka të dëmtuar rëndë, bashkë me nënën e saj. Ndërsa vëllai dhe motra janë jashtë rrezikut për jetën. Arta rrëfen se disa muaj më parë filloi të punonte në repart, ku lante predhat e çmontuara. Sa herë i afrohej repartit, e pushtonte një ndjenjë e fortë ankthi dhe frike për veten dhe familjarët e saj. Paguhej me një mijë lekë (të rinj) në ditë dhe ato të ardhura i kishte të domosdoshme. Ndërsa sot ajo ka 3 ditë që gjendet në spital për t’u kuruar nga plagët që ka marrë në pjesë të fytyrës dhe në kurriz. Ndërkohë që pret me ankth një përgjigje për nënën dhe interesohet pranë morgut për të fejuarën e vëllait, që prej tre ditësh është zhdukur. Vetë fati duket se ka qenë me të duke marrë, për fat të mirë, vetëm disa plagë të lehta.
Sa vjeç jeni?
Jam 16 vjeçe dhe kisha disa muaj që punoja në repart, pasi e kam lënë shkollën pikërisht për t’u punësuar. Familja ime nuk kishte kushte të mira ekonomike dhe u detyrova për të hequr dorë nga shkolla vetëm meqë na u dha mundësia për një fabrikë afër fshatit.
Ku ishit në momentet që ndodhi shpërthimi?
Në momentet e shpërthimit të madh kam qenë në punë në repartin e çmontimit, ashtu si çdo ditë. Për ne niste puna herët dhe mbaronte në mbrëmje. Dita niste dhe mbaronte me predha në duar.
Si u larguat nga vendngjarja?
Flakët e zjarrit më erdhën në trup dhe kam djegur pjesën e veshëve dhe kurrizin. Por më shpëtoi vëllai që punonte me mua. Vëllai më ka tërhequr dhe jemi larguar drejt kodrave për t’i shpëtuar shpërthimit tjetër që vazhdoi më pas. Kemi ecur në këmbë deri në spitalin e Fushë-Krujës, ku jemi mjekuar dhe më pas jemi larguar për në Tiranë.
Sa familjarë punonin në kantier?
Nga familja ime punonim pesë veta në kantier: motra, vëllai, nëna dhe nusja e vëllait. Shansi qëlloi që motra doli rreth orës 12 për të bërë gjysmë ore pushimin e drekës dhe në atë moment që ka dalë jashtë ka ndodhur shpërthimi. Motra është plagosur lehtë dhe tani është në gjendje të mirë shëndetësore. Nëna është shtruar te Djegie-Plastika dhe është në gjendje të rëndë. Ndërsa vëllai është djegur te pjesa e veshëve dhe në trup. E fejuara e vëllait, Zelie Leti, 19 vjeçe, që punonte me ne, nuk është gjetur ende. Nuk kemi marrë asnjë informacion për të nëse është gjallë apo ka vdekur.
Çfarë pune bënit aty?
Laja predhat pasi i çmontonin.
Sa paguheshit për punën që bënit?
Paguhesha me ditë pune, ku merrja dhjetë mijë lekë në ditë.
Në çfarë gjendje është shtëpia?
Shtëpia jonë është shkatërruar plotësisht dhe nuk mund të jetohet më në të.
Ku keni qëndruar këto 2 ditë?
Jemi strehuar te të afërmit tanë sepse nuk na ka mbetur asgjë nga ato që kishim. E vetmja mundësi punësimi që kishim ishte reparti, pasi kushtet ekonomike i kemi tepër të vështira.
Flutura Gërdeci
“Kjo është një tragjedi e rëndë për familjen time. Familja ime është në spital. Të shtruar kam dy nuset e djemve dhe motrën time. Në momentet e shpërthimit isha në shtëpi me fëmijët e djemve dhe nuk kemi ditur asgjë se çfarë ka ndodhur. Vetëm kur filloi vala e nxehtë dhe u shemb shtëpia, kemi dalë të tmerruar përjashta. Nuk kemi ditur se si kemi ecur dhe për ku. Kam marrë fëmijët dhe kemi ikur në kalanë e Prezës. Ndërsa nuset kanë qenë në punë, në repart. Njëra nga nuset ishte plagosur rëndë dhe ka ikur në këmbë deri në Maminas. Kur e kanë parë të plagosur, e kanë çuar në spitalin e Durrësit për t’u kuruar. Gjendja e saj është e rëndë dhe Spitali i Durrësit e nisi në Tiranë, për te Djegie- Plastika. Ndërsa nusja e dytë, Kujtimja, ka ecur në këmbë deri në rrugën kryesore. E kanë marrë qytetarët dhe e kanë çuar me makinë në Spitalin e Krujës. Më pas e gjetëm se ku ishte dhe e transportuam për në Tiranë. Ajo që na ka ndodhur është e tmerrshme. Mjekët na kanë dhënë shpresë, por nuk e dimë se si janë”.
Lufti Gërdeci, punëtor në repart për çmontim
“Kur ndodhi shpërthimi kam qenë brenda në repart për të bërë çmontimin e predhave. Aty punoja bashkë me gruan, e cila tani është në reanimacion te Djegie–Plastika, në gjendje të rëndë. Në momentet e shpërthimit kam parë avull të nxehtë që vinte pas meje dhe atëherë jam larguar me vrap për të dalë përjashta. Ndërsa për gruan nuk e di se si jemi ngatërruar dhe më humbi nga sytë.
Sapo kam dalë nga vendngjarja kam marrë në telefon nënën për të pyetur për fëmijët dhe më thanë që ishin larguar. Më thanë se gruan e kishte marrë një nga bashkëfshatarët dhe e kishte transportuar në spital. Për çmontimin e predhave paguhesha me normë, për 550 copë të çmontuara në ditë merrja 6 mijë lekë. Punën e kishim të ndarë me grupe, ku çdo grup kishte 3-4 persona dhe në çdo katër grupe kishte vetëm një ekspert. I lutem Zotit që 3 fëmijët arritën të largoheshin menjëherë me nënën nga fshati dhe nuk kanë pësuar gjë. Ndërsa për gruan kam dy ditë që nuk e kamë parë, se mjekët me kanë thënë ta takoj më pas, se po i ndërrojnë fashat. Por ende nuk e di se kur do ta takoj”.
18 Mars 2008