E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHP, uji i pijshëm i pandotur nga mbetjet toksike, kryhet dezinfektimi i zonës

Uji i pijshëm në Bashkinë e Vorës dhe në fshatin Gërdec ka rezultuar i pandotur nga mbetjet toksike. Specialistët e Shëndetësisë ditën e djeshme kanë marrë të gjitha masat për të verifikuar nëse do të kishte probleme me ujin e pijshëm në zonat e prekura nga shpërthimi dhe për të parandaluar vazhdimin e një tragjedie tjetër. Grupi i punës, i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Shëndetësisë, ISHP-së, ASHR-së dhe OBSH-së po japin rekomandimet përkatëse dhe vlerësimet paraprake të fakteve, masat parandaluese që duhen marrë në ujin e pijshëm, në vaksinimin e popullatës, dezinfektimin e kafshëve dhe grumbullimin e popullatës së zhvendosur në zonën e Vorës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga analizat e deritanishme të ujit të pijshëm, mostra të marra nga pikat fundore dhe puset tregojnë se uji i pijshëm nuk është i ndotur. Grupi i emergjencës po bashkëpunon me sektorin e Ujësjellësit, i cili po merret me klorinimin për periudhën e emergjencës, 2 miligramë për litër ujë. Vlerësimi kimik dhe mikrobiologjik i ujit të pijshëm po kryhet intensivisht.
Zona e Gërdecit do t’i nënshtrohet dezinfektimit dhe pastrimit nga mbetjet toksike dhe kafshëve të ngordhura, me synim shmangien e kontaminimit të ambientit. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se në bashkëpunim me Bashkinë e Vorës po zhvillohen kontrolle për praninë e kafshëve shtëpiake të ngordhura dhe po kryhet dezinfektimi në zonat e pastruara nga municionet. Njëkohësisht, ISHP-ja po merr masa për të kryer vaksinimin e njerëzve të lënduar për sëmundjen e tetanosit. Vaksinimit do t’u nënshtrohen personat që kanë rënë në kontakt me lëndët plasëse dhe me hekurishtet. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se nga shtatë qendrat shëndetësore, Gërdec, Marqinet, Marikaj, Muçaj, Gjokaj dhe Fushë-Prezë, Vorë, vetëm dy janë funksionale.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, po shihet mundësia që një pjesë e dhomave të poliklinikave të vihen në punë me synim që sistemi të funksionojë të paktën për shërbimin psikologjik dhe mjekësor.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›