E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, episodi më i fundit i nje skene nga Stalingradi

Nga Vora, Ervin Koçi

Dy ditë pas megashpërthimit të predhave në fshatin Gërdec, historia vazhdon bashkë me të gjitha pasojat dhe dhimbjet e saj. Tymi, plasjet sporadike të predhave të mbetura pa plasur e bashkë me to edhe ulërimat e banorëve, që me dëshpërim presin të mësojnë diçka për familjarët e tyre të mbetur nën rrënoja, janë e vetmja tablo që shoqëron këtë vend. Ai që dikur konsiderohej si një fshat i krijuar me lagje dhe shtëpi të reja dy dhe trekatëshe, me banorë të ardhur rishtazi aty, sidomos nga krahinat malore të Shqipërisë, tani i ngjan vetëm një pjese që dukej sikur kishte dalë nga Stalingradi. Ato që dikur ishin shtëpitë e reja, tashmë janë kthyer në pirgje gërmadhash. Ato që dikur ishin parcela të punuara dhe të mbjella me grurë, tani janë vetëm toka të mbjella me predha të pashpërthyera. Ka edhe më keq. Ngado nëpër fshatin e shkatërruar, poshtë atyre që kishin mbetur nga rrënojat e shtëpive të shkatërruara, syri të kapte edhe bagëti, kafshë, madje edhe kufoma njerëzish. E gjithë kjo është pamja tipike e një pjese në vazhdimësi të një lufte që më ka mbetur në mendje që nga koha e Kosovës kur me disa gazetarë të huaj u gjenda në fshatin Prekaz, aty ku ushtria serbe e Milosheviçit kishte zbrazur të gjitha armët e saj dhe kishte stërminuar gjithçka. Ndërsa pamjes së fshatit Gërdec, vetëm pak kilometra nga kryeqyteti Tiranë dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit, flaka dhe era e squfurit të predhave të plasura vazhdon t’i vijë akoma.
Situata

Ekipet e specializuara të xhenierëve bashkë me forcat e tjera të ushtrisë dhe të policisë vijonin të mblidhnin ngado predha dhe pjesë të tjera të lëndëve plasëse, të cilat shpërthimi apokaliptik i kishte mbjellë ngado. Pashë dhe fotografova nga fare pranë ushtarët e rinj të repartit të xhenios, të cilët mbanin në duar predhat e mbledhura fushave e kodrave, nëpër shtëpitë e fshatarëve, si dhe nëpër rrugë dhe kanale. Më pas, ato copa vdekjeje ngarkoheshin sërish nëpër kamionët e ushtrisë për t’u çuar s’di se ku. Dukej sikur ishin po ata kamionë që disa muaj më parë i kishin sjellë pikërisht aty ato mjete vdekjembjellëse. Pikërisht ato copëza hekuri që në fillim u dhanë pak shpresë banorëve të fshatit Gërdec, duke u dhënë punë dhe një mundësi për të jetuar pak më mirë në këtë fukarallëk mbytës, por që më pas u morën jetën dhe u shkatërruan gjithçka. Ishin pikërisht këto copëza vdekjeje që shumë prej tyre i pastronin dhe i çmontonin mbase edhe me qejfin se po paguheshin mirë, pa e llogaritur në mjaft raste rrezikun që u kanosej. Dhe pikërisht ajo që nuk u mendua gjatë, tashmë e ka lënë vulën e saj të frikshme në atë fshat që u përpi nga flakët vetëm tri ditë më parë.

Epilogu

Gërdeci, fshati i tragjedisë kombëtare, është rrafshuar thuajse i tëri nga shpërthimi i mijëra tonë armësh e municionesh paraditen e së shtunës. Tri lagje të fshatit periferik të Tiranës, i cili që prej tri ditësh ka bërë xhiron e botës, nuk ekzistojnë më sot. Ato janë shkrumbuar plotësisht. Lagjet Gërdec, Ustali dhe Marqet 2, si për ironi të fatit janë “zhdukur” nga faqja e dheut e për pasojë edhe nga harta. Jo pak, por 210 shtëpi, janë shkatërruar totalisht. Prej tyre kanë mbetur tashmë vetëm gurë dhe rrënoja. Zyrtarisht, numri i të vdekurve ka shkuar në 16 tashmë, ndërsa nëntë persona të tjerë rezultojnë të zhdukur. Por shifrën zyrtare e kundërshtojnë banorët e fshatrave të tragjedisë, të cilët flasin për një numër shumë më të madh personash që kanë gjetur vdekjen gjatë shpërthimit. Pranë Bashkisë së Vorës janë paraqitur dje pesë persona të tjerë për të kërkuar të afërmit e tyre, të cilët nuk i kanë gjetur të shtruar në spitale dhe as në pikat e grumbullimit të popullsisë së evakuuar nga vendngjarja. Për të përballuar situatën e rënduar, në Bashkinë e Vorës u ngrit shtabi i emergjencës që kryesohet nga zëvendëskryeministri Gazmend Oketa dhe në përbërje ka ministra dhe deputetë. Përgjatë gjithë ditës është punuar për të verifikuar numrin e viktimave dhe dëmet e shkaktuara. Administratorët e firmës kanë dorëzuar në duart e shtabit të emergjencës listën me emrat e personave që punonin në fabrikën e çmontimit të armëve dhe municioneve, numri i të cilëve shkon në 121, edhe pse nuk ka informacion të saktë se sa nga punëtorët kanë mundur të mbijetojnë. Për sa i përket dëmeve materiale, të gjithë kryetarët e komunave deklaruan se janë kolosale, pavarësisht se ende nuk ka një shifër të saktë. Vlera e dëmit do të përcaktohet gjatë javës në vijim nga grupi i punës i ngritur enkas. Shpërthimi i fuqishëm shkrumboi gjithçka, duke lënë pas vetëm pluhur e tym. Tashmë, të gjithëve s’u mbetet gjë tjetër veçse të luten që numri i viktimave të katastrofës të jetë sa më i vogël.

Italia, ndihmë të specializuar xheniere për operacionin e çminimit

Në vijim të ndihmave të dy ditëve të fundit për tragjedinë e fshatit Gërdec të Tiranës, qeveria dhe ushtria italiane kanë vijuar me ndihma më të specializuara. Pas dy aeroplanëve që kanë sjellë nga Italia medikamente, qeska me gjak për të plagosurit dhe pajisje shëndetësore, radha i ka ardhur ndihmave xheniere për ushtrinë shqiptare. Edhe këtë here, ekspertët e delegacionit italian të ekspertëve “DIE” në Shqipëri kanë mundësuar ardhjen nga Italia të pajisjeve të specializuara dhe veshjeve speciale për operacionin delikat të çminimit. Me një aeroplan CH 130 Hercules kanë ardhur dje në mbrëmje pajisjet e specializuara xheniere, të cilat janë nisur direkt për në fshatin Gërdec, aty ku vijon prej tri ditësh operacioni i çminimit dhe krehjes së zonës nga minat dhe predhat akoma të pashpërthyera. Po me aeroplanin që ka sjellë këto ndihma mjaft të nevojshme, u nisën drejt Italisë një grup të plagosurish të tjerë të kësaj tragjedie për një mjekim më të specializuar në spitalet italiane. Ndërkohë, mësohet se në vijim qeveria italiane do të sjellë edhe ndihma të tjera, kryesisht ushqimore dhe mjekësore, për të prekurit nga kjo tragjedi.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›