E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton pret Berishën: Në Tiranë për 100 vjetorin e Pavarësisë

“Kryeministri dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të fortë të Shteteve të Bashkuara, në NATO, si pjesë e misionit tonë në Afganistan dhe ne kemi marrëdhënie të gjera dhe të thella që ne e vlerësojmë lart”, tha zonja Clinton. Ajo shtoi se do të diskutonte për çështje dypalëshe, rajonale dhe globale me kryeministrin Berisha.

Kryeministri Berisha tha se ishte mirënjohës dhe i lumtur për takimin me Sekretaren Clinton. “Ajo është një mike e madhe e vendit dhe kombit tim”, tha zoti Berisha. Ai shtoi se një nga synimet e takimit ishte që ta bindte zonjën Clinton të vizitonte Shqipërinë për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. “Më tej, Sekretarja Clinton dhe Kryeministri Berisha, me delegacionet që i shoqëronin vijuan me takimin zyrtar, i cili zgjati mbi 40 minuta.
 
Sekretarja Clinton i rikonfirmoi Kryeministrit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të interesuara ta shikojnë Shqipërinë sa më parë vend anëtar të Bashkimit Europian dhe se do të vijojnë të mbështesin fuqishëm në këtë rrugëtim drejt BE-së, por edhe në të gjitha fushat e tjera të bashkëpunimit dypalësh.
 
Kryeministri Berisha e falenderoi Sekretaren Clinton për pritjen e përzemërt dhe i shprehu asaj mirënjohjen më të thelle për të personalisht, për Presidentin Obama, qeverinë e SHBA-së dhe taksapaguesit amerikanë për mbështetjen e çmuar dhe ndihmën bujare që ata i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, gjatë gjithë kësaj periudhe, në përpjekjet e saj për kapërcimin e vështirësive, ndërtimin e lirisë dhe vlerave të saj, konsolidimin e demokracisë funksionale të bazuar mbi ekonominë e tregut të lirë.
 
Gjatë bisedës, e cila u zhvillua në një atmosfere shumë të ngrohte e miqësore, u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera, të ngushta e miqësore midis të dy vendeve, si dhe u diskutua gjerësisht mbi zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit frytdhënës në të gjitha fushat.
 
Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i rishprehur Sekretares Clinton dëshirën e tij, të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë shqiptarëve për të pritur znj. Clinton së shpejti në Shqipëri, si mike e madhe dhe e shquar e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar. Sekretarja Clinton ju përgjigj kësaj ftese të Kryeministrit me premtimin se do të vijë në Tiranë, për të festuar se bashku 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
 
“Shqipëria ka pasur privilegjin e madh që të gëzojë mbështetjen e këtij vendi të madh, nga administrata e Presidentit Obama dhe Sekretarja Clinton në të gjitha përpjekjet për të ndërtuar një demokraci të ngritur mbi ekonominë e tregut”, citon Voa.  Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, zoti Berisha do të marrë nesër  pjesë në një ceremoni në Muzeun e Holokaustit në Uashington, ku do të shfaqet edhe filmi “Besa”. /Start/

                                                                                             2012-04-26 08:23
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›