E pse jo të ndarë?!
• Skënder MinxhoziE majta përbën edhe një herë lajm në Shqipëri. Jo më me shfaqje teatrale ministrash që akuzojnë njëri-tjetrin dhe as me histori korrupsioni që zënë faqet e para të shtypit. Kjo është një histori e shkuar dhe një stafetë e “dorëzuar” në të tjera duar. Në duart e zotit Berisha. Problemi që ndan tani të majtët është parimor dhe i një rëndësie jetike për fatet e koalicionit të majtë. Konflikti i shpërthyer nga deklaratat ...e fundit të Metës, dëshmon se brenda opozitës nuk ka qetësi të mjaftueshme, për të administruar një proces delikat dhe kompleks, si ai i përgatitjes së zgjedhjeve dhe i gjetjes së një emëruesi të përbashkët për të gjitha interesat që i bashkojnë, por që edhe i ndajnë, partitë e spektrit të majtë. Menjëherë pas daljes së Metës, ambienti i majtë duket se reagoi ashtu siç rëndom është reaguar në Shqipëri përballë fenomenit të çarjes politike. Pra, me frikë, dëshpërim dhe një lloj fataliteti të çuditshëm i cili buron më së shumti nga sindromi më i vjetër që vë në lëvizje të majtën në Shqipëri – antiberishizmi. Kjo ndjenjë kolektive, prek sot stafet politike pak a shumë në të gjithë gjerësinë e spektrit opozitar dhe ka të bëjë me një refleks të kushtëzuar, që lidhet me mundësinë e një fitoreje të lehtë të PD-së ndaj opozitës, sa herë që kjo shfaqet e përçarë në kutitë e votimit.Një refleks i vjetër e ndoshta i tejkaluar nga koha. Konfigurimi i sotëm shifror dhe politik i së majtës është rezultat i një momenti politik që sot mund të konsiderohet gjerësisht si i tejkaluar. Votimet e korrikut 2005 kanë nxjerrë një rezultat jo vetëm të përmbysur pjesërisht nga vota e 18 shkurtit 2007, por edhe të manipuluar rëndë nga fenomeni i Dushkut dhe të influencuar nga të qenit e PS në krye të qeverisjes për tetë vjet rresht. Sot, kur të gjitha këto rrethana janë tejkaluar, është koha për një verifikim të ri, i cili nuk mund të ndodhë nëse vendin e votës së lirë të zgjedhësve, do ta zinin edhe një herë pazaret parazgjedhore. Atëherë ndoshta është më e udhës që opozita ta kapërcejë frikën përballë të djathtës dhe t’i besojë votës së qytetarit, sesa të lundrohet në ujëra të turbullta si këto të sotmet, ku gjëja e më e vështirë është gjetja e një të vërtete që mesa duket qëndron diku në mes, e padukshme.LSI-ja ka nevojë të shohë se ku qëndron në spektrin politik të majtë. Të njëjtën nevojë e ndjen edhe PS-ja e kryetarit Rama, i cili mesa duket ka harruar pa i shtuar politikës së tij të re, kapitullin e një sqarimi parimor brenda krahut opozitar. Edhe partitë më të vogla brenda opozitës duhet të gjejnë dhe të prekin mbështetjen reale që kanë në elektorat, pa patericat që u vendosin rregullisht më të mëdhenjtë sa herë që ka zgjedhje. Ky akt transparence është ndoshta ilaçi më i mirë për të gjetur një ekuilibër të ri, e pse jo një filozofi të re bashkëpunimi mes të majtëve, duke mënjanuar një herë e mirë llogaritë meskine, bërrylat dhe pazaret e pista dhe parazitizmin e të vegjëlve mbi të mëdhenjtë.Problemi i partive shqiptare nuk qëndron tek ndarja në dritën e diellit e asaj që kanë mbledhur në kutitë e votimit. E keqja gjithnjë ka ardhur të nesërmen, kur kanë filluar tryezat, pëshpëritjet dhe kulisat. Ndodhemi mesa duket pikërisht përballë një momenti të tillë, kur të gjithë duan të fusin duart sa në ligjin elektoral, aq edhe në mekanizmat e tjera të zgjedhjeve, për të nxjerrë prej andej avantazhe sa më të mëdha në letër, para se shqiptarët të kenë votuar. A nuk është më mirë që e gjitha kjo të mos konsumohet nën çadrën hipokrite të aleancave, të cilat janë në shumë raste lozhat e vërteta masonike ku luhen presionet dhe shantazhet. Spostimi publik i Metës duket se ofron një shans unik brenda të majtës, që të ketë një reflektim parimor rreth mënyrës së qëndrimit në të njëjtin projekt politik dhe elektoral. Precedenti që po i ofrohet sot opozitës së majtë, është në fakt projekti më të cilin Veltroni, një politikan i ri e mjaft dinamik i të majtës italiane, po kërkon të sfidojë jo vetëm Berluskonin dhe aleatët e tij të djathtë, por përgjithësisht sistemin aktual politik në Itali, të dominuar nga koalicione hipokrite prej dhjetëra siglash secili. Krijimi prej tij i Partisë Demokratike dhe lënia mënjanë e aleancës me të majtën radikale, ka sjellë notën e vërtetë të re në një fushatë të së majtës, e cila pas rënies së qeverisë Prodi, kujtohej si përfundimisht e humbur. A nuk është rasti që ky shembull të kopjohet disi edhe nga e majta shqiptare? A nuk është koha që secili të provojë të masë veten, pa ndihmën dhe asistencën e bisedimeve paraprake me fqinjin e tij, bisedime të cilat janë disa herë akte të pastra presioni politik vulgar? A nuk është momenti që secili të provohet në “kudhrën” e zgjedhjeve, në lidhje me pozicionin e tij politik, simpatitë dhe aleancat e mbiujshme dhe të nënujshme, qëndrimet hileqare dhe ato të vërteta? A nuk është rasti për ndarë shapin nga sheqeri në një ambient ku të gjithë akuzojnë të gjithë si të shitur dhe tradhtarë?Mund të thuhet se po. Eshtë vërtet okazioni që në verën e vitit 2009, e majta shqiptare të ndërmarrë një akt të madh emancipues në thelb, për të gjithë jetën tonë politike. Aq më tepër që edhe tendenca drejt proporcionalit, e favorizon gjetjen e peshës reale të forcave politike në elektorat. Eshtë rasti që duke vendosur për qeverisjen pasi shqiptarët të kenë votuar, pra të kenë dhënë verdiktin e tyre se sa duhet të peshojë secili, partitë e spektrit të majtë të ulen dhe të ndajnë tortën e pushtetit, jo më në bazë të kulisave, por në bazë të shifrave që do të dalin nga zgjedhjet. Rivalë sot dhe miq nesër. Kjo mund të ishte një rrugë e re për t’u eksploruar nga e majta shqiptare në votimet e vitit 2009. Një rrugë që ndoshta mund të mbyllte përfundimisht praktikën e pengut dhe të shitblerjes brenda një pjese të rëndësishme të spektrit politik shqiptar. Me shpresën se pas këtij hapi, edhe pjesa tjetër e tij do të tregohej më e matur dhe ndoshta do të ndiqte një shembull pastërtie përballë votuesit, i cili sot mungon thuajse tërësisht.