E pushuan nga puna, kontrollori i censusit grabit formularët
Përmet Mërinë për pushimin nga puna, një kontrollor i censusit në rrethin e Përmetit ka tentuar ta nxjerrë duke vjedhur dokumentacionin e regjistrimit të popullsisë për komunën Piskovë të Përmetit. Sipas burimeve zyrtare në policinë lokale, specialistët e Seksionit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Përmet, kanë bërë ndalimin e 29-vjeçarit, Lorenc Lumani, nga Piskova e Përmetit. I ndaluari për dy javë kishte punuar si kontrollor i anketuesve të censusit në këtë zonë dhe më pas ishte pushuar nga puna. Për të nxjerrë inatin e largimit nga puna, ai dyshohet se është autori i grabitjes me thyerje të dy kutive me formularë “Për Censusin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave”, të cilat ndodheshin në ambientet e godinës së komunës Piskovë, Përmet. “Orët e para të ditës së enjte, i ndaluari ka hapur derën e jashtme të Komunës Piskovë me anë të çelësave të siguruar më parë dhe më pas ka shqyer derën e dhomës ku mbaheshin dokumentet e censusit, ku ka marrë dy kuti me formularë dhe i ka fshehur në banesën e tij”, - thonë burimet policore. Gjatë hetimeve në lidhje me këtë ngjarje, policia e Përmetit në banesën e 29-vjeçarit Lumani ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy kutitë me formularët e censusit të vjedhura në mjediset e komunës. Sipas grupit hetimor, nga këqyrja e kutive rezultoi se në njërën kuti mungonin dy formularë, të cilët i ndaluari i ka fshehur për t’i përdorur më pas për qëllime të tij. Mbi ish-kontrollorin e censusit në Përmet rëndon akuza për veprën penale të “zhdukjes dhe vjedhjes së dokumenteve”. Bledar Shehu