E Shtunë, 31 Tetor 2026

E qorton i ati, var veten i mituri

Vetëvaret në banesën e braktisur të fqinjit fëmija 13-vjeçar. Ngjarja tronditëse është shënuar në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës në fshatin Belishovë të Mallakastrës. 

FIER/ MAJLINDA RAMA

N.M., është gjetur i vetëvarur nga familjarët e tij, pak kohë pasi ishte qortuar prej të atit, për një zënkë që kishte pasur me vëllanë e vogël. Ndërsa policia nuk ka dhënë një version zyrtar për motivet e ngjarjes, burime të cilat i referohen fqinjëve të familjes pohuan se motiv i vetëflijimit të të miturit ka qenë ndërgjegjja e vrarë prej qortimit të të atit. Ka qenë afërsisht ora 22:00 ku nëna e 13-vjeçarit pasi u ka bërë gati shtretërit për të fjetur gjithë familjarëve ka vënë re mungesën e djalit. Pas më shumë se 30 minutash kërkim nëpër shtëpi dhe në oborr ajo ka alarmuar të gjithë familjen, madje edhe fqinjët aty afër. Këta të fundit janë vënë në kërkim të djalit në të gjithë lagjen. Ka qenë vetë nëna e 13-vjeçarit, e cila ka pikasur trupin të varur në çatinë e verandës së një ndërtese të pabanuar të ish-fqinjit të tyre B. Alushi, godinë e ndodhur disa metra larg tyre. Britmat dhe ulërimat kanë bërë që të afërm dhe fqinj të vrapojnë pranë gruas, e cila nga shoku i pësuar prej skenës që i është shfaqur para syve, ka humbur ndjenjat, duke arritur të mbledhë veten vetëm një orë më vonë. Menjëherë pas kësaj janë njoftuar organet kompetente, një ekip i gatshëm i uniformave blu dhe një grup hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes. Nga këqyrja e parë e trupit të pajetë të të miturit rezultoi se ai nuk kishte dëmtime në trup, shenja dhune që të tregonin rrahje, apo si një veprim të kryer nga dikush tjetër. Bëhet e ditur se, trupi i të miturit është dërguar në morgun e qytetit të Fierit ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Sipas mjekëve specialistë, për nxjerrjen e një konkluzioni përfundimtar do të pritet akti i ekspertizës nga instituti i kriminalistikës në kryeqytet. Mësohet se familja e 13-vjeçarit banonte prej kohësh në fshatin Belishovë të rrethit të Mallakastër dhe kishte katër fëmijë. Burime pranë familjes kanë deklaruar se, gjatë orëve të pasdites viktima kishte pasur një grindje me të vëllanë për një biçikletë. "Mesa dëgjuam dy fëmijët ishin zënë pasdite kur loznin me biçikletë. Vëllai që është vetëm dy vjet më i vogël, ishte ankuar te babai dhe ky i fundit i ka thirrur të dy fëmijët. Pas kësaj i ka qëlluar një pëllëmbë djalit të madh, i cili është larguar me vrap. Që nga ky moment është fshehur diku dhe s'e ka parë askush. Pastaj morëm vesh që kishte varur veten. Ndoshta ka pasur dhe ndonjë arsye tjetër që ne nuk e dimë, se ta ketë bërë vetëm nga një pëllëmbë e babait nuk është normale", është shprehur me dhimbje një fqinjë e familjes. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›