E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosi nënë e bir me granatë në '99, ekstradohet Biberaj

TIRANE - Ekstradohet nga Milano, Luan Biberaj i arrestuar nga policia italiane në veri të këtij vendi 

për llogari të drejtësisë shqiptare. Biberaj 32 vjeç, nga Tropoja banues në Tiranë, është dënuar nga Gjykata e Apelit, me 7 vite burg për akuzat e vrasjes me dashje në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje. Sipas policisë, Biberaj akuzohet se në vitin 1999 ka tentuar të vrasë me granatë Kreshnik e Rukije Kurtsmajlin, nënë bir. Veç kësaj ngjarjeje, sipas burimeve të policisë, Biberaj ka qenë i akuzuar edhe për vjedhje automjetesh si dhe për sulmin ndaj komisariatit të policisë së Tropojës, në vitin 2001. Madje, Biberaj u arrestua në vitin 2006, por më pas u la i lirë duke qenë se ende vendimi i dhënë ndaj tij nuk kishte marrë vendim të formës së prerë. Ende pa dalë nga qelitë e burgut 302, policia e komisariatit nr.3 i vuri prangat për një tjetër krim të dyshuar. Gjithsesi ai lirua më pas në gjykatë, prej organeve të drejtësisë. Po në vitin 2006, vendimi i dënimit të tij mori formë të prerë dhe Biberaj u dënua me 7 vite burg. Ndërkohë Biberaj ishte larguar jashtë vendit derisa vitin e kaluar u kap nga policia italiane në Milano, ndërsa ai u prezantua me emrin e tij. Krimi për të cilin u dënua Biberaj ka ndodhur në vitin '99, kur i ekstraduari i djeshëm, ishte përfshirë në një konflikt me Kreshnik Krutsmajlin. Luan Biberaj dhe Alfred Toska akuzonin Kurtsmajlin se kishte vjedhur një televizor në shtëpinë e Biberajt. Dy të akuzuarit kanë shkuar në banesën e Kreshnikut në godinën nr.2, në Kodër Kamëz dhe aty janë shkëmbyer me Rukije Kurtsmajlin dhe kanë kërcënuar atë të nxjerrë të birin në të kundërt do ta merrte të vdekur. Sapo kjo e fundit ka hyrë në shtëpi, Toska dhe Biberaj kanë hedhur një granatë në dhomën e godinës nr.2, ku qëndronte familja e Kreshnikut. Nga kjo granatë kanë mbetur të plagosur vetë ai dhe nëna e tij. Pas ngjarjes, policia ka identifikuar si autorë të krimit Luan Biberajn dhe Alfred Toskën. Biberaj tashmë me një vendim të formës së prerë duhet të vuajë 7 vite burg për krimin e vitit 1999.                                       d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›