Si i gjetëm eshtrat e pilotëve shqiptarë të vrarë në Rusi
AFRIM IMAJ
Ka mbaruar misionin në Tiranë dhe pret të rikthehet në Moskë. Do ndahet me Shqipërinë e shqiptarët dhe do nisë një detyrë të re në një vend tjetër. Ka rezervuar çastet e lamtumirës për të përcjellë lajmin e gëzuar: Janë identifikuar më në fund vendvarrimet e pilotëve shqiptarë të vrarë në ish-Bashkimin Sovjetik! Kolonel Aleksandër Sitnikov, atasheu ushtarak i Federatës së Rusisë në Tiranë ndjehet i lehtësuar, që gjatë mandatit të tij ka mundur të qetësojë familjarët e ushtarakëve shqiptarë të cilët kanë 50 vite, që prehen në dhe të huajt. Ka zgjedhur gazetën “Panorama” për ta bërë zyrtarisht publik njoftimin për identifikimin e vendvarrimeve të tyre. “Tani i mbetet palës tuaj për të bërë riatdhesimin e eshtrave të martirëve”. shprehet përmbledhtas koloneli rus Sitnikov. Ai vë në dukje se ka qenë nga preokupacionet e tij më të rëndësishme zgjidhja e këtij kalvari 50-vjeçar. Për të, shqiptarët dhe veçanërisht familjarët e martirëve duhet t’u jenë mirënjohës veteranëve të “Përmendoreve ushtarake” të Moskës, të cilët kanë punuar për vite e muaj me radhë deri sa kanë mundur të gjejnë vendvarrimin e pilotëve të vrarë në ish-Bashkimin Sovjetik. Më tej ish-atasheu ushtarak i Federatës së Rusisë, protagonisti kryesor i këtij projekti sjell retrospektivën e plotë zhvillimeve në përmbushje të misionit human, për kërkimin e eshtrave të pilotëve shqiptarë, të cilët janë vrarë në ish-Bashkimin Sovjetik në vitet ‘50...
Zoti kolonel! Gjatë ceremonisë së dekorimit në Shtabin e Përgjithshëm me rastin e largimit nga vendi ynë, dikush përmendi kontributin tuaj në identifikimin e vendvarrimeve të ushtarakëve shqiptarë në Federatën Ruse...
Ka qenë një procedurë që unë e kam gjetur të çelur qysh kur erdha me mision në ambasadën e Rusisë në Tiranë. Sa për ta saktësuar, bëhet fjalë për vendvarrimin e tre pilotëve, që kanë rënë në krye të detyrës gjatë periudhës që bënin kualifikimin në ish-Bashkimin Sovjetik. Koha e rënies së tyre i përket kapërcimit të viteve ‘60, pikërisht periudhës së divorcit komunist midis Shqipërisë dhe Moskës. Ka qenë ky divorc politik shkaku i bllokimit të procedurave për të ekstraduar eshtrat e këtyre pilotëve pranë familjeve...
Pas 50 vitesh mundët të binit në gjurmë të vendvarrimit të pilotëve shqiptarë...
Një kohë relativisht e gjatë, shumë e gjatë, po falë kujtesës së miqve dhe bashkëkohësve të tyre kemi realizuar identifikimin e vendvarrimit të këtyre pilotëve. Pastaj desha të nënvizoj se suksesi i këtij misioni nëse mund ta quajmë kështu, nuk lidhet vetëm me emrin tim. Unë kam një rol disi sporadik në këtë histori. Për t’u shprehur më qartë, mua më qëlloi të jem në pjesën finale të kësaj nisme disavjeçare...
Pra, operacioni për rikthimin e eshtrave të pilotëve shqiptarë në vendlindje është në fazën finale. Cilët kanë qenë sipas jush, protagonistët kryesorë të kësaj nisme humane?
Është një nismë disavjeçare, që starton diku në mesin e viteve ‘90 dhe si e tillë ka pasur mjaft protagonistë këtu në Shqipëri, por edhe në Moskë. Unë di mirë procedurën dhe mënyrën si është vepruar këto vitet e fundit për të shkuar tek objekti final, te rikthimi në Atdhe i eshtrave të pilotëve të vrarë në ish-Bashkimin Sovjetik. Zyrtarisht ka qenë ish- ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, që ka kërkuar pranë ambasadës tonë në Tiranë fillimin e bashkëpunimit për të identifikuar vendvarrimet e ushtarakëve shqiptarë, që kanë vdekur në vendin tonë. Po zyrtarisht kërkesa e tij është transmetuar në Ministrinë e Mbrojtjes në Rusi dhe ka menjëherë ka filluar procedura për të përmbushur këtë detyrim human. Unë, siç e thashë, jam gjendur në këtë histori kur shumë gjëra kishin marrë rrugë dhe kërkohej finalizimi i procesit.
Megjithatë, disa nga protagonistët e kësaj nisme ju i dini...
Patjetër që i di, madje me ta kam pasur dhe kam kontakte të vazhdueshme. Fillesa e kësaj pune nis me shqyrtimin e dokumentacionit në Arkivin e ushtrisë ruse, pastaj vazhdoi me kërkimet në terren. Duhet thënë se nuk ka qenë e lehtë, pasi pas kaq vitesh në rajonet, ku ishte bërë vendvarrimi i tyre janë bërë transformime të mëdha. Sidoqoftë, falë këmbënguljes njerëzit tanë mundën më në fund të identifikojnë vendvarrimet e këtyre pilotëve.
Kur thoni falë njerëzve tanë, çfarë keni parasysh?
Është një korpus i tërë njerëzish që është marrë për vite me radhë me këtë procedurë. Gjithsesi, unë do të veçoja tre subjekte të veçanta me qendër në Moskë, që kanë bërë të pamundurën për të mbërritur deri këtu. E para është organizata shoqërore e memoristikës kombëtare, ajo e ish-pilotëve të aviacionit luftarak dhe Organizata Ndërkombëtare “Përmendoret Ushtarake”. Kryesisht ka qenë organizata ndërkombëtare “Përmendoret Ushtarake”, ajo që ka udhëhequr tërë punën për identifikimin dhe gjetjen e vendvarrimit të pilotëve të vrarë në krye të detyrës. Në përgjigjen më të fundit të saj konfirmohet se janë gjetur eshtrat e pilotëve Qemal Mërtiri, Islam Xhani dhe Fuat Sulaj, të cilët janë vrarë respektivisht në vitin 1951, 1958 dhe 1957.
Po ish-kolegët e pilotëve të vrarë janë angazhuar në këtë operacion njerëzor?
Ata kanë qenë në avangardën e tërë punës hulumtuese dhe e kanë ndjekur procesin nga fillimi deri në fund. Pavarësisht moshës së madhe dhe pleqërisë së thellë, ish-kolegët e pilotëve shqiptarë që janë vrarë në Rusi, i janë përgjigjur kërkesës së autoriteteve vullnetarisht dhe për muaj me radhë kanë udhëhequr kërkimet në terren deri në momentet e finalizimit...
Keni ndonjë mbresë të veçantë nga puna e tyre?
Ajo që mendoj se duhet vënë në dukje me këtë rast është vullneti i jashtëzakonshëm dhe këmbëngulja shembullore e një njeriu, ish-veteran i Luftës së Dytë Botërore dhe ish-pilot, i cili e ka ndjekur ecurinë e këtij projekti nga dita e parë deri në fund. Tolloçko e ka emrin dhe në Moskë është një nga njerëzit e nderuar dhe me shumë reputacion. Unë kam pasur rastin të takohem me të dhe kam parë përkushtimin e tij në ecurinë e procesit. Janë pilotë, shprehet ai, dhe duhen çuar patjetër të pushojnë në tokën e tyre. Besoj se dhe familjarët e këtyre martirëve që për 50 vjet prehen në dhe të huaj do t’i jenë mirënjohës këtij njeriu të jashtëzakonshëm, i cili siç më është shprehur së fundi, mezi pret të vijë në Tiranë...
Po nga pala shqiptare kush ka kontribuar për mbarëvajtjen e këtij projekti?
Thashë, shtysa e parë zyrtare ka qenë nga Ministria e Mbrojtjes. Projekti i iniciuar prej saj fillimisht pati ecuri të mirë. Pastaj puna për realizimin e tij u ndalua për ca kohë. Një ngërç ky që e mbajti të bllokuar për muaj me radhë procesin. Në vijim u futën në veprim organizatat joqeveritare. Mjaft energjike u paraqit në përpjekjet e saj sidomos organizata “Në ndihmë të familjeve të ushtarakëve dhe punonjësve të policisë, të rënë në krye të detyrës”. Mamica Kastrioti, presidentja e kësaj organizate ka bërë ç’është e mundur për t’u dhënë një impakt pozitiv zhvillimeve në ecurinë e këtij projekti. Ajo ka qenë ndërkaq edhe pika lidhëse e jona me familjarët e pilotëve të rënë në krye të detyrës në Rusi...
A i keni takuar ju familjarët e këtyre pilotëve dhe çfarë marrëdhënie keni pasur me ta?
Padyshim që i kam takuar. Kam takuar vëllain e pilotit Islam Xhani. Kam takuar ndërkaq nënën e tij, e cila është gati njëshekullore. Më ka impresionuar jashtë mase filozofia e saj. “Do kisha vdekur e do të isha harruar me kohë, po mos të prisja rikthimin e eshtrave të Ismailit”, ka thënë kjo nënë e veçantë. Kam takuar edhe familjarët e pilotëve të tjerë. Njerëz të mrekullueshëm që presin diçka njerëzore. Të gjithë kemi një lloj detyrimi për ta. Të gjithë duhet të bëjmë diçka për këta njerëz që kanë 50 vjet që mbartin pengun e jashtëzakonshëm, siç është ai i varrit të paditur i të dashurve të tyre. Më në fund ne i kemi gjetur. Tani i përket palës shqiptare për të bërë riatdhesimin e eshtrave të tyre...
Ju po shkoni në Moskë tani pas përfundimit të misionit në Tiranë. A do të vazhdoni të mbani lidhje me këtë projekt?
Ka qenë organizata ndërkombëtare “Përmendoret Ushtarake” me qendër në Moskë, ajo që ka udhëhequr tërë punën për identifikimin dhe gjetjen e vendvarrimit të pilotëve të vrarë në krye të detyrës. Në përgjigjen më të fundit të saj thuhet: “Janë gjetur eshtrat e pilotit Qemal Mërtiri dhe Islam Xhani, të cilët janë vrarë respektivisht në vitin 1951 dhe në vitin 1958”
vijon nesër...
Pengu për eshtrat që treten në tokë të huaj
Kanë shkruar për t’u kualifikuar në vendet aleate të kohës, dhe kanë rënë në krye të detyrës. Prishja e miqësisë me to u ka kushtuar më shumë nga vdekja e papritur: Për vite e dekada me radhë vazhdojnë të prehen në dhe të huaj. Ka ndodhur së pari kjo me Qemal Mërtirin, pilotin nga Tragjasi i Vlorës, vrarë në një katastrofë ajrore në afërsi të Novosibirskut në fillimin e viteve ‘50. Divorci me Moskën do t’i kushtonte sakrilegjin e jashtëzakonshëm për të pushuar përjetësisht në tokë të huaj. Një “fat” i tillë do t’u rezervohej më tej edhe pilotëve Ismail Xhani dhe Fuat Sulaj, që u martirizuan në krye të detyrës në ish-Bashkimin Sovjetik, në kapërcimin e “Dimrit të Madh” me aleatin më të fuqishëm të kohës të Shqipërisë komuniste. Eshtrat e tyre larg tokës mëmë, kanë lënë prapa pengun e rëndë jo vetëm për familjarët, por edhe për kolegët dhe ushtarakët e tjerë. Pas 50 vitesh vijnë sinjalet e para që bëjnë fjalë për gjetjen e vendvarrimit të tyre. “Më në fund kemi identifikuar vendvarrimet e pilotëve të vrarë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe presim bashkëpunimin me palën shqiptare për të riatdhesuar eshtrat e tyre”. Këtë pohoi pak ditë më parë për gazetën “Panorama”, koloneli Aleksandër Sitnikov, atasheu ushtarak i Rusisë në Tiranë në prag të përfundimit të misionit në vendin tonë.
Islam Xhani
Ka lindur në një familje atdhetare në Kajcë të Përmetit në vitin 1939. Ka kryer studimet me rezultate të shkëlqyera në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe në vazhdim është dërguar për specializim në ish-Bashkimin Sovjetik. Gjatë studimeve në Akademinë e Aviacionit “Valery Shkallov” në qytetin Borisioglepsit ka spikatur për vullnet e këmbëngulje në përvetësimin e programit për mjeshtërinë e pilotimit. Më 14 korrik të vitit 1958 vdiq papritur, teksa ishte duke demonstruar bashkë me shokët e kursit në lumin Vorona. U varros me ceremonial ushtarak në prani të qindra studentëve dhe qytetarëve vendas në varrezat e qytetit Borisioglepsit, të qarkut të Voronjezhit.
Fuat Sulaj
Djaloshi nga Bratajt e Vlorës u gjet në akademinë e aviacionit pas një fëmijërie të vështirë dhe diplomës me rezultate të shkëlqyera të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”. Në vitin 1954 filloi përgatitjen në shkollën e aviacionit luftarak “Valery Shkallov” në qytetin Borisioglepsit. Në prag të diplomimit, pikërisht më 27 maj 1957, gjatë ushtrimit të programit mësimor për kalimin e pengesave ujore në lumin Vorona të Qarkut Voronjezhit mbeti pa ndjenja dhe ndërroi jetë në moshën 20-vjeçare. Gjatë periudhës së studimeve, siç kujtojnë shokët e tij, në një paradë të akademisë, u përzgjodh si studenti më i mirë për t’i paraqitur forcën Zhukovit, ish-ministrit të Mbrojtjes së BS. U varros me ceremonial ushtarak në pjesën e të huajve të varrezave të qytetit të Borisioglepsit.
Qemal Mërtiri
Djali nga Tragjasi i Vlorës u rreshtua qysh në moshën 14-vjeçare në formacionet partizane të Brigadës së Pestë Sulmuese. Në vitin 1945 filloi studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” në Titanë dhe pas përfundimit të tyre nisi studimet në ish-Bashkimin Sovjetik për t’u përgatitur për pilot në Akademinë e Aviacionit në qytetin e Novosibirskut.
Shokët me të cilët u përgatit në stepat e largëta të Siberisë veçojnë karakterin e fortë dhe guximin e jashtëzakonshëm që demonstronte gjatë fluturimeve ajrore. Më 12 tetor 1951, avioni që drejtohej prej tij, kaloi në pozicion të vështirë dhe gjatë realizimit të një figure të vështirë, pësoi katastrofë ajrore. Ceremonia mortore u bë me nderime ushtarake në varrezat e qytetit.
neser do te lexoni
Rrëfimi i 100-vjeçares Nasipe Xhani: 50 vjet në pritje për kthimin e eshtrave të tim biri, vrarë në Rusi.
“Kam kërkuar ndihmë edhe te Mao Ce Duni në Pekin”.
Asnjë përgjigje për 50 letrat në adresë të zyrtarëve të lartë.
Si mbeti në mes projekti i ambasadës kineze në vitet ‘70 për identifikimin e vendvarrimit të pilotit Ismail Xhani.