E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zakeroni i mahnit kolegët shqiptarë

Alberto Zakeroni i ka habitur të gjithë trajnerët shqiptarë dje në Kamzë, të cilët po zhvillojnë kursin për licencën “A” të UEFA-s. 

Jetmir Halilaj

Tekniku italian ka mbajtur leksione për pesë orë dje dhe u ka folur gjatë trajnerëve për eksperiencën e tij 25-vjeçare si trajner si dhe për sukseset dhe disfatat që ka pësuar deri tani në rolin e teknikut. Ish-zv/trajneri i Kombëtares shqiptare dhe aktualisht trajner i përfaqësueses U-17, Shpëtim Duro, e ka cilësuar si tepër pozitiv Zakeronin, për mënyrën se si ai i konceptonte gjërat në futboll si dhe për faktin që ishte një njeri shumë i thjeshtë. “Zakeroni është padyshim një trajner me emër të madh në Itali, sepse është shpallur kampion me Milanin dhe ka drejtuar gjithnjë skuadra elitare, – ka thënë Duro. – Ishte tepër energjik dhe mbi të gjitha ishte shumë i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë. Padyshim që tek ai binin menjëherë në sy njohuritë e shkëlqyera që kishte përsa i përket taktikës. Mendoj se leksionet e një trajneri të madh si Zakeroni vlejtën për të gjithë”. Zakeroni, pas pesë orësh leksion ka vijuar më pas duke i shpjeguar skemat e tij në terren. “Gjatë kohës që ishte duke folur për skema taktike, më bëri përshtypje kur tha se me të gjitha skuadrat që ai kishte drejtuar, në javët e fundit ekipet e tij kishin marrë gjithnjë pikët maksimale, – ka shtuar Duro. – E pyeta për arsyet dhe m’u përgjigj: gjatë çdo sezoni jam përpjekur që të eliminoj lojtarët problematikë në skuadër. Gradualisht i kam lënë gjithnjë në stol, futbollistët që nuk zbatonin si duhet detyrat që u jepja, ose ata lojtarë që krijonin një ambient mbytës për të tjerët. Kjo sipas Zakeronit, ishte një gjë shumë pozitive për skuadrën, sepse në fund grupi ishte më i konsoliduar dhe jepte gjithnjë maksimumin”. Trajneri italian ka lënë të hapur mundësinë për të drejtuar Shqipërinë në të ardhmen, por ka mohuar kontaktet me Federatën Shqiptare të Futbollit, gjatë kohës që kjo e fundit kërkonte një zëvendësues të Oto Bariçit. “Nuk kam pasur ndonjëherë kontakte me Federatën tuaj, për të marrë drejtimin e Kombëtares tuaj. Unë aktualisht jam trajner klubesh dhe dëshiroj ta kryej këtë punë edhe për disa vite. Megjithatë, në të ardhmen nuk i dihet dhe nuk e përjashtoj mundësinë se do ta vlerësoja me kujdes një ofertë nga Kombëtarja shqiptare”, ka thënë Zakeroni. Tekniku italian ka thënë gjithashtu, se do t’i pëlqente shumë që në të ardhmen të drejtonte skuadrën e Juventusit. “Do të më pëlqente të drejtoja një ditë skuadrën e Juventusit. Është e vetmja skuadër e madhe e kampionatit italian, të cilën nuk e kam drejtuar asnjëherë, – ka thënë tekniku. – Megjithatë, e vlerësoj shumë trajnerin Klaudio Ranieri dhe mendoj se për momentin ai është tekniku më i mirë i Serisë A. Më vjen shumë keq kur atë e nënvlerësojnë, pasi është vërtet një trajner i shkëlqyer”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›