E reja në arsim duhet të zërë vendin që i takon
Agim Kazazi
Pozitiv është fakti se pas fitores së demokracisë shkolla jonë u fut në rrjedhën e shkollave Evropiane, por duke qëndruar në distancë me to, pa mundur të ecë krahas tyre në mjaft elementë të karakterit formues dhe pas shumë vitesh. Me një analizë të thjeshtë shihen arritjet, pasi u futën elementë të demokratizimit shkollës dhe arsimit në përgjithësi, u ndryshua skematizimi i orës së mësimit dhe metodat në të duke kaluar nga koncepti “mësuesi shpjegon, nxënësi mëson” në konceptin “mësuesi e nxënësi janë partner në orën e mësimit, ku nxënësi punon e mësuesi drejton”, trajtimi problemeve edukative etj. etj. Por, përsëri ka shumë mungesa që e frenuan ritmin dhe cilësinë. Euforia që u ndje nga hapja me botën, mungesa e eksperiencës dhe e përgatitjes me të renë në tërësi e kuadrit drejtues tek institucionet përgjegjëse, dhanë paaftësinë e menaxhimit të situatës, gjë që bëri që arsimi ynë të ecë në rrugën e integrimit Evropian pa gërshetimin e studiuar të tabanit kombëtar me eksperiencën botërore. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet fakti që dhe pas një periudhe shumë vjeçare, nuk kemi akoma konsolidimin në mjaft prej atyre elementeve qe do të ishin baza e arsimit modern duke filluar nga metodat e pastaj të decentralizimit dhe autonomisë shkollave, përzgjedhja e kuadrit drejtues në bazë etj. Arsyet pse u ndoq kjo rrugë dhe u arrit kjo gjendje mund të jenë të shumta e që lidhen me faktorë ndikues si gjendja e rëndë ekonomike, sociale, pedagogjike e kulturore, e nevojshme për vendin në fillimet postkomuniste. Por pati dhe nga ato që mund të eliminoheshin e që ndër më kryesoret mund të rendisja:
Së pari përgjegjësinë e kuadrove që e drejtuan, pjesa më e madhe e të cilëve ishin partiakë të zgjedhur jo nga aftësia se sa nga partishmëria si dhe një pjesë tjetër autorë tekstesh, të njohur në fushën e arsimit, të cilët nuk dhanë atë që pritej. Emërimet u bënë si lëvizje të gurëve të shahut sidomos me ndërtimin e qeverive, pa menduar kështu se loja me kuadrin në arsim është loje me fatet e vendit.
Së dyti duhet thënë se korrupsioni i madh e çorientoi shumë punën normale në arsim, ai dha goditje nokdauni pasi u përfshinë në të në të, në radhë të parë, një pjesë e kuadrove drejtues e pastaj mësuesit.
Së treti çdo objektiv në studimin shkencor dhe zbatimin e tij duhej kontrolluar periodikisht në bazën e zbatimit, duke evidentuar arritjet apo mangësitë, për t’u përqendruar tek këto të fundit. Kjo ka qenë një ndër arsyet thelbësore e mangësive që u anashkalua me apo pa qëllim duke u bërë shumë formale. MASH (Ministria e Arsimit dhe e Shkencës) mbeti e mbyllur pasi nuk doli asnjëherë përgjegjësia e institucioni apo individi, përkundrazi vazhdimisht dëgjonim mburrje për studimet e zbatime të projekteve, konferenca, vizita, etj. Për më tepër ISP (Instituti i Studimeve Pedagogjike) mbeti në hijen e justifikimit që “bëra gjithçka që munda” pa pyetur për rezultatet konkrete në mundin e punën e madhe të DART që ka bërë e po bën, apo dhe e te tjerëve, për kualifikim të mësuesve e drejtuesve. Jo më kot Reforma Arsimore flet shumë për këtë kualifikim duke bërë rikonceptimin përkatës.
Këto sollën pasi nuk u vendosen objektiva realiste të qarta, të studiuara për stadin e zhvillimit të arsimit në vend dhe me afate të caktuara, të cilat mund të realizoheshin sa e si duhet. Nga Piage mësojmë se “qëllimi arsimit është që të formojë mëndje që të jenë kritike, që të mund të verifikojnë dhe jo të pranojë çdo gjë që u jepet”, gjë që duhet të kishte vlejtur dhe për të gjithë ata që drejtuan arsimin.
Po tani ku ndodhet arsimi parauniversitar, cilat janë shanset për të ardhmen e tij?
Këto pak vitet e fundit dallohet një “bum” informativ dhe pune ne shumë sektorë për arsimin në përgjithësi e veçanërisht atë parauniversitar duke marrë emrin “Reformë arsimore”. Në të përfshihen në vetvete mjaft elementë të zhvillimit bashkëkohor të arsimit, ajo shtrihet me në gjerësi e thellësi duke pas një front të gjerë. Pa u futur në të tjera, vetëm tek “Cilësi e barazi për të gjithë” trajtohen një sërë tematikash ku të duket në disa raste se jemi në fillimet e demokracisë për reformimin e arsimit parauniversitar. Mbase duhej futur me përmbajtje më të reduktuar e jo të gjitha menjëherë. Sepse duhet thënë se hartimi i projekt ideve është në nivelin e kërkesave dhe pranohet atëherë kur gjejnë mundësi zbatimi nga të gjithë. Ideja dhe zbatimi janë dy pamjet që formojnë të njëjtën monedhë e që kërkojnë të njëjtën seriozitet planifikimi, zbatimi e verifikimi, analizë kritike, masa për përmirësime. Sot nuk mund të thuhet ta lemë këtë ide për të nisur në një tjetër ne formë apo ne përmbajtje. Tani në praktikën e punës të gjykojnë jo vetëm kolegët, por dhe nxënësit e komuniteti, “Bordet e shkollave” që domosdoshmërish të luajnë rrolin që i takon, pasi kompetencat e dhëna kohët e fundit e risin ndjeshëm autoritetin e tyre. Por, ky organizëm deri tani pak ka ndryshuar nga paraardhëset në praktikë, zgjedhjet dhe funksionimi tyre. Kanë dalë disi nga formalizmi, por akoma mbeten nën ndikimin e drejtorit apo drejtorisë. Duhet të sqarohen vlerat e bordit në komunitet si faktor shumë i rëndësishëm, i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm, pa prezencën e të cilit në nivelin e shkollave Europiane nuk mund të ketë zhvillime që kërkohen të veprimtarisë së shkollës. Gjithashtu, mendoj se duhet në mënyrë të përshpejtuar të ndahet sektori i kualifikimit me atë të inspektimit në dy drejtori. Specializimi i secilës, krijon shanse për një punë më të kualifikuar, përgjegjësi më të madhe. Jo vetëm kaq por dhe kuadrot që shkojnë jashtë shteti për tu specializuar me Fondin e Ekselencës apo programin “Pestalozzi” të Këshillit Evropës, duhet të vihen plotësisht ne shërbim të vendit me apo pa pëlqimin e tyre, ata duhen vlerësuar dhe përzgjedhur me objektivitet. Po kështu duhen “thithur” dhe studentë të shkëlqyer që mbarojnë në universitetet prestigjioze të botës. Një pjesë e konsiderueshme e tyre duhet të jetë në grupin e punës reformës pa lënë mënjanë dhe të tjerë që kanë mbaruar universitetet tona shkëlqyeshëm me meritë. E ardhmja e arsimit kërkon kuadro të reja drejtuese sido qofshin partiak apo jo, mjaft që të kenë treguar se kanë kulturën e përgatitjen e vendeve të përparuara në arsim si dhe janë të aftë, të ndershëm dhe të kenë në zbatim si standard ligjin. Gjatë reformës është fakt i dukshëm e mund të themi se dallohen ndryshime pozitive, por që akoma duhet të punohet gjer sa të marrin përmbajtjen që duhet e të konsolidohen. Dëshmi janë “Matura Shtetërore”, puna për kompjuterizimin ne shkollave dhe sistemin arsimor, alterteksti, ndryshimet në kurrikulën shkollore, ndjehet decentralizimi dhe autonomia shkollave etj. Porse një sërë faktorësh të tjerë në veprimtarinë e saj të lenë vend për pyetje, hezitime apo dyshime për realizimin të objektivave dhe sidomos konsolidimin e tyre. Pyetjes retorike se cilat janë shanset për të ardhmen e reformës që identifikohet me zhvillimet bashkëkohore të arsimit parauniversitar, do i përgjigjesha se është akoma herët për të thënë fjalën e fundit pasi duhet kohë për të parë frytet e saj. Për ti hapur rrugën një gjykimi dhe vlerësimi të drejtë së pari duhet luftuar formalizmi i gjertanishëm në sistemin tonë arsimor. Për këtë është e domosdoshme që herë pas here, në intervale kohore duhet të dalin konkluzione pas analizave dhe përgjegjësitë për gjendjen e zhvillimit me problematikat që ka, së pari nga institucionet përgjegjëse të saj të cilat duhet të japin llogari, por dhe sidomos nga media deri më sot pothuaj indiferente. Së bashku me Bordet ato duhet të futen patjetër në “lojën” e zhvillimit arsimit, ushtrimi pushtetit të katërt i mediave është kërkesë imediate pasi pa qëndrimin kritik të hapur, nuk mund të ketë zhvillime normale në arsim. Po punon në nivelin e kërkesave dhe po jep shumë në vlerat e saj, por vetëm gazeta “Mësuesi” është shumë pak.
Pa dashur të futem në analizën e thellë të reformës, le të shohim pak elementet përbërëse që janë të shkëputura nga konceptet themelore, prej ku dhe mund të nxirren konkluzione të përgjithshme se sa e si po ndiqet e zbatohet, me theks në se ka apo jo formalizëm në zhvillimin e saj. Si të tilla mund të rendisim standardet e përvetësimit të njohurive dhe nivelet e tyre, orët e lira, rritjen e autonomisë së shkollave me theks plotësimin e të drejtave të dhëna kohët e fundit për Bordet, alterteksin duke veçuar vendimet e komisioneve për tekstet të cilat kanë mangësi, procesi i vetëvlerësimit brendshëm e të jashtëm, trajtimi ri i problemeve edukative sa e si trajtohen mangësitë dhe del përgjegjësia e tyre siç është rasti me dëftesat në përfundim të këtij viti shkollor, përvetësimi i metodave të reja të mësimdhënies e justifikon punën që po bëhet, “Hyrje” tek plani vjetor pse me kërkesa që i është përgjigjur analiza vjetore para pak muajsh?
Pyetje të tilla dhe argumente mund të gjesh dhe shumë e shumë të tjera në larminë e tematikave të reformës. Përgjigjet e tyre mund të rastisë me i gjetur vetëm në gazetën “Mësuesi” më shumë nëpërmjet kontrolleve, seminareve në shkolla të veçanta apo si shkëmbim eksperience, se sa në rang Kombëtar me konkluzione së pari të institucioneve të specializuara, por dhe të grupit të punës së reformës, i cili mban përgjegjësinë kryesore dhe që duhet të bëjë transparente për të gjithë. Jam i bindur se keni ç’të gjeni, ka për të korrigjuar, rregulluar, hequr ose vënë për më mirë, për më tepër ka formalizëm në emër të së resë? Këto analiza janë së pari dialektike dhe që nuk lejojnë futjen e arsimit në qorrsokak, por duket se stili në punë pak ka ndryshuar. Kudo që të paraqitet, e reja duhet të zërë vendin që i takon në arsim pasi janë krijuar tashmë të gjitha kushtet e një vendi që ecën në rrugën e demokracisë dhe të zhvillimit. Por, për më tepër, duhet përgjegjësi dhe pa eufori që sjell nxitimin e dëmshëm. Tani është e papranueshme thënia justifikuese se “kemi bërë këtë e këtë”, ajo duhet kthyer në “kemi arritur këtë e këtë” sepse puna matet me rezultate konkrete duke e vlerësuar dhe kërkuar llogari hap pas hapi.
16 Shtator 2008