Shkon të lidhë telin e telefonit në shtyllë, vdes nga tensioni i lartë
Tiranë – Një 55–vjeçar nuk e ka menduar se jetën do t’ia merrte tensioni i lartë teksa po lidhte një tel telefoni në shtyllën e elektrikut fare pranë shtëpisë së tij. Ka dashur të ishte i dobishëm për familjen teksa kabllon e telefonit personal po e vendoste për më mirë në shtyllën e tensionit të lartë, pa e ditur se aty do të fikej edhe jeta e tij. Mark Përpepaj është shuar përfundimisht në Spitalin Ushtarak, edhe pse fqinjët e tij e dërguan me urgjencë atje ku bluzat e bardha nuk kishin ç’të bënin vetëm të konfirmonin vdekjen e tij.
Ngjarja
Burimet policore thanë për gazetën “Albania” se rreth orës 20:00 të tri ditëve më parë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë kanë marrë njoftim se në Spitalin Ushtarak Tiranë ka gjendur vdekjen shtetasi Mark Përpepaj, 55 vjeç, lindur në Lekbibaj Tropojë dhe banues në Kamzë Tiranë. Në vendin e ngjarjes mbërriti menjëherë grupi hetimor, nga ku kreu veprimet hetimore dhe procedurale. Nga dëshmitë e personave të ndodhur aty në momentin e ngjarjes uniformat blu arritën në përfundimin se ngjarja ishte aksident.
Hetimi
Nga tërësia e veprimeve të kryera në vendngjarje dhe nga konkluzionet e nxjerra nga grupi hetimor, rezultoi se viktima ka marrë goditje si pasojë e tensionit të lartë elektrik, në Lagjen Nr. 1 në Bathore, ku viktima ndodhej aty duke lidhur një linjë telefonike, në shtyllën elektrike. Sipas të dhënave të mbledhura menjëherë pas aksidentit banorët e lagjes e kanë dërguar 55 – vjeçarin në spital, por gjendja e tij ishte mjaft e rënduar, Edhe pse bluzat e bardha kanë bërë gjithçka, nuk kanë munduar ta sjellin atë në jetë, por u kanë konfirmuar familjarëve vdekjen e tij. Materialet hetimore për këtë ngjarje aksidentale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
16 Shtator 2008