Zyrtarët e Kasharit: Nuk pranojmë akuzat për abuzime me pronat
Zyrtarët e Kasharit të arrestuar për abuzimet me pronat kanë pranuar të gjykohen me aktet e prokurorisë por nuk pranojnë akuzat. Në seancën e djeshme, të arrestuarit u shprehën para trupit gjykues se kërkonin gjykim të shkurtuar duke u bazuar në provat që ka grumbulluar institucioni i akuzës. Seanca e radhës u la për në ditët e para të tetorit duke vendosur që të jepte deklarimet një tjetër i arrestuar. Zyrtarët e Kasharit të arrestuar për abuzimet me pronat i kërkuan një seancë më parë gjykatës gjykim të shkurtuar. Burime pranë Gjykatës së Tiranës, pohuan dje se seanca e radhës mbi të arrestuarit për pronat ka vijuar me pranimin e tyre të akteve në gjendje që ndodheshin duke e përshpejtuar kështu procesin gjyqësor. Pak muaj më parë, Task Forcë, preu fletë - arrestet për tetë ish - zyrtarë të Kasharit, të cilët akuzohen për “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”, “falsifikim të dokumenteve zyrtare”, “mashtrim” etj. Falë këtij vendimi fillimisht u arrestuan Alfred Sulaj, 33 vjeç, kryetari i komunës Kashar, Naim Karaj, 45 vjeç dhe Faik Fejza, 56 vjeç, ish- kryetarët e kësaj komune, përkatësisht për periudhën 2000-2003 dhe 2003-2007, Islam Shera, 65 vjeç, ish-kryeplaku i kësaj komune, Shefqet Alikaj, 51 vjeç, përgjegjësi i zyrës së Kadastrës si dhe Ismail Sulaj, 42 vjeç dhe Xhevair Hyka, 43 vjeç, banues në Kashar. E njëjta masë sigurie u vlerësua edhe për shtetasin Ilir Sula, 33 vjeç, me detyrë shofer i kryeplakut të komunës Kashar, i cili u kap në kushtet e flagrancës me një armë pistoletë “TT”, pa leje. Sulës iu rikthye liria falë vendimit të Gjykatës së Lartë pak ditë më vonë. Pas përfundimit të hetimeve, prokurori i çështjes solli për gjykim dosjen në gjykatë. Pas dy seancash gjyqësore të pandehurit kërkuan gjykim shkurtuar. Tani është në çmim të gjykatës për vazhdimësinë e këtij procesi dhe ndëshkimin e zyrtarëve.
16 Shtator 2008