Fundjavë e përgjakshme, 2 të vdekur dhe 5 të plagosur
Edhe dy ditët e fundit kanë regjistruar disa aksidente me pasoja tragjike. Një grua ka vdekur në aksin Fushë Krujë-Laç dhe tre të tjerë janë plagosur, ndërsa një tjetër ka vdekur aksidentalisht në Berat. Burimet zyrtare raportojnë për të plagosur edhe në Durrës. Sipas të dhënave zyrtare, ngjarja më e rëndë ndodhi të dielën pasditen, rreth orës 16.00, ku humbi jetën shtetasja Liza Preçi. Viktima po udhëtonte në makinë me bashkëshortin e saj dhe dy persona të tjerë me një makinë tip “Benz”. Në afërsi të Thumanës mjeti ka dalë jashtë rrugës për shkak të shpejtësisë së drejtimit nga S. Preçi. Burimet policore shprehen se Liza Preçi gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa bashkëshorti i saj 51-vjeçar dhe shtetasit e tjerë, M. Gj. dhe F. Gj., janë dërguar me urgjencë në drejtim të Spitalit Ushtarak në Tiranë. Të tre të dëmtuarit ndodhen në gjendje të rëndë. Ndërkohë që kanë nisur hetimet ndaj shtetasit Sandër Preçi për shkelje të rregullave të qarkullimit. Ndërsa mesditën e së hënës, rreth orës 12.30, shtetasi Bashkim Xhafa, banor i fshatit Kuman në rrethin e Fierit mësohet ka gjetur vdekjen aksidentalisht teksa po riparonte një defekt në mjetin e tonazhit të rëndë, tip “Saurel Man”, me targa FR 6923 C. Gjatë rrugës Lushnjë - Fier, mjeti i tij ka pësuar defekt në njërën prej gomave, çka ka bërë që ai të ndalojë udhëtimin për riparimin e saj. Pikërisht gjatë kohës që riparonte defektin dhe pikërisht gjatë fryrjes së gomës me pompë, goma ka plasur duke bërë që presioni i ajrit të godasë Xhafën dhe ta hedhë disa metra më tej, duke e dëmtuar rëndë në gjoks. Menjëherë persona të rastit e kanë shoqëruar 55-vjeçarin Xhafa në Spitalin Rajonal të Beratit, ku dhe pse mjekët kanë ndërhyrë nuk kanë mundur ta shpëtojnë dot nga vdekja. Pas hetimeve të para në lidhje me këtë ngjarje, policia e ka quajtur gjithçka aksidentale. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat pohojnë se janë shoqëruar në polic e po merren në pyetje dy punonjësit e gomisterisë ku ndodhi ngjarja. Dy ditë më parë ka ndodhur një përplasje mes dy mjeteve në aksin Fushë-Krujë - Valias, në vendin ku kjo rrugë kryqëzohet me rrugën e fshatin Larushk. Për pasojë ka mbetur i lënduar njëri nga drejtuesit, shtetasi M.Z., lindur dhe banues në Valias. Mjeti i tij me targë TR 2858 L u godit nga mjeti tip “Benz” 200, me targë me targa IK 04135, drejtuar nga Festim Stema, ndaj të cilit kanë nisur hetimet.
Paraqitet në spital 4 ditë pas vetëplagosjes roja i hidrocentralit
SHKODËR – Një 47-vjeçar, që punonte si efektiv i policisë private në ruajtjen e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, është plagosur katër ditë më parë, por vetëm mbrëmjen e së dielës ka shkuar në spital për të kërkuar ndihmë, gjë që ka nxitur ekspertët e policisë për të nisur hetimet. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se shtetasi Gj. Mani, ka qenë duke kontrolluar armën e tij të shërbimit kur ka plagosur lehtë veten”. Në pamundësi të mjekimit në kushte shtëpiake Mani është paraqitur në spitalin e Shkodrës, ku pasi ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore gjendet jashtë rrezikut për jetën. Burime zyrtare nga policia vendore cilësojnë se janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe ka filluar procedimi në gjendje të lirë për Manin, për veprën penale të plagosjes së lehtë nga pakujdesia.
16 Shtator 2008