E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e apartamenteve sërish në rritje, sa të kushton një shtëpi në kryeqytet



Ervin Koçi

Blerja e një shtëpie të re në Tiranë nuk është aspak e lehtë, e për më tepër e lirë, me gjithë kaosin e madh dhe krizën që ka mbërthyer sektorin e ndërtimeve. Ekspertët parashikojnë rritje të mëtejshme të çmimeve, ndaj për ata që kanë në plan të marrin një shtëpi të re, ata këshillojnë “që të interesuarit ta blejnë sa më shpejt atë”. Sektori i ndërtimit, i cili gjatë vitit 2007 dhe fillimit të këtij viti u mbërthye nga “ngërçi” i shitjeve, sot duket se u është rikthyer kohërave të mira. Ritmet e shitjeve dhe kërkesa gjithnjë e më e lartë po i ndihmon bizneset e kësaj industrie që të rrisin të ardhurat. Kjo situatë pozitive ka reflektuar menjëherë në çmimet e apartamenteve në kryeqytet, ku edhe kërkesa është më e lartë se në qytetet e tjera të vendit. Të dhënat nga agjencitë imobiliare në kryeqytet konfirmojnë se rritja në çmimet e apartamenteve gjatë 3-4 muajve të fundit është 10-20 për qind, ku shtrenjtimi më i madh i takon qendrës dhe zonave pranë saj. Çmimet në zonat e “luksit” janë 1800-2000 euro, ndërkohë që parashikimet janë për një rritje akoma më të madhe. Por sipas ekspertëve të fushës, “ajo që vihet re në tregun e shtëpive është një kërkesë e palëkundur për blerjen e shtëpive”. Nga ana tjetër, ndërtuesit thonë se ndonëse oferta e apartamenteve është rritur, asnjëherë nuk ka mundur që të mbulojë kërkesën. Arsyeja kryesore për rritjen e çmimeve konsiderohet pikërisht kërkesa mjaft e lartë dhe oferta në ulje. Kërkesa e lartë vjen për disa arsye. Problemi i strehimit është ende i pazgjidhur, ka shumë familje që jetojnë me shumë kurora bashkë, ndërkohë që ka edhe një dyndje të madhe të ardhurish nga rrethet e ndryshme, që ende nuk e kanë të siguruar një shtëpi. Një tjetër grup blerësish janë edhe ata që kanë shumë të ardhura nga emigracioni dhe blejnë apartamente dhe i lëshojnë me qira. Nga ana tjetër, rritja e kredidhënies nga bankat shihet si një faktor kryesor për rritjen e kërkesës.

Pse rriten çmimet

Ajo që vihet re nga një vëzhgim i tregut të shitblerjes së apartamenteve si dhe nga të dhënat e agjentëve imobiliarë është rritja e çmimeve që ka nisur pak para gjysmës së dytë të këtij viti. Rritja për pothuajse të gjitha zonat rreth Unazës arrin deri në 10 për qind, por nëse bëhet fjalë për qendrën shtrenjtimi është akoma më i lartë, arrin deri në 20 për qind. Blerësit potencialë shpresuan në një rënie të çmimeve si pasojë e frenimit të sektorit për thuajse 1 vit, por kjo nuk ndodhi. Vendosja e taksës mbi apartamentet në nivelin 10 për qind nuk lejoi që ndërtuesit apo shitës të tjerë të bënin reduktim çmimesh dhe prandaj u ruajtën të njëjtat çmime. Aktualisht, një nga arsyet kryesore që po çon në rritjen e çmimeve është “ngushtimi” gjithnjë e më shumë i hapësirave për ndërtim, pasi trojet e lira janë më të vështira për t’u gjendur, sidomos në zonat rreth Unazës së Madhe të Tiranës.

Zonat e preferuara

Përgjithësisht ndërtimet e reja në zonat e preferuara kryhen me materiale cilësore, që të bindin akoma më shumë klientin për çmimin e lartë me të cilin duhet të blejnë apartamentin. “Gjithnjë e më shumë klientët po kërkojnë cilësi dhe ndërtuesit po i përgjigjen kësaj lloj klientele. Shumë ndërtime kanë audioizolim apo termoizolim”, -thonë agjentët imobiliarë. Zona e Liqenit, e Bllokut si dhe pranë stadiumit “Qemal Stafa” janë dhe zonat më të shtrenjta për blerjen e një shtëpie. Aktualisht të blesh një shtëpi në këto zona kushton nga 1500 euro për metër katror deri në 2 mijë euro për metër katror. Ndërkohë, në Kinostudio dhe në zonën e Dajtit, çmimi i apartamenteve varion nga 500- 650 euro/m2. Ndërsa në zonën e Parkut të Autobusëve çmimi i apartamenteve për metër katror varion nga 650-800 euro. Zona e Yzberishtit është edhe zona ku një apartament kushton më lirë. Në këtë zonë çmimet variojnë nga 400-580 euro/m2.

Interesimi i të huajve për apartamente, gjithmonë në rritje

Ndaj tregut imobiliar shqiptar nuk po rrinë indiferentë as të huajt. Që pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO në Shqipëri janë të shumta kompanitë ndërkombëtare që po kërkojnë të shtrijnë investimet e tyre këtu. Sipas agjentëve të tregut, më së shumti ata që vijnë janë investitorë dhe jo blerës individualë. Problemet e infrastrukturës ende të keqe si dhe mjaft mangësive me titujt e pronësisë po pengojnë konkretizimin e mjaft interesimeve për investime të huaja. Një i huaj kur vjen kërkon gjithnjë një territor “të pastër”, d.m.th. të rregullt në dokumentacion si dhe një rrugë të mirë që të lidh me të. Sipas ekspertëve, qeveria duhet patjetër të investojë në drejtim të këtyre mangësive, sepse vetëm kështu do të rrisë numrin e të huajve në tregun imobiliar. Ajo që vihet re këtë vit, ndryshe nga periudhat e mëparshme, është mbërritja e përfaqësuesve direkt të kompanive investuese dhe jo më nëpërmjet agjencive të huaja imobiliare. Tani biznesmenët nga vende të ndryshme të Europës apo më tej po e kalojnë personalisht kufirin shqiptar për të parë më mirë mundësitë e një investimi këtu.

Shitjet e apartamenteve rriten 40 për qind më shumë se në vitin 2007

Sipas INSTAT-it, indeksi i shitjeve në sektorin e ndërtimit në 3-mujorin e parë të vitit 2008 rezulton me një rënie prej 27.9 për qind krahasuar me 3-mujorin e mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar indeksi u rrit 39.7 për qind. Në 3-mujorin e dytë të vitit 2008, indeksi i kushtimit në ndërtim arriti 128.3 për qind, duke shënuar një rritje 0.8 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007 ky indeks ka shënuar një rritje 1.3 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3 për qind. Indeksi i çmimeve të grupit “shpenzime direkte” është rritur 1.1 për qind kundrejt 3-mujorit të mëparshëm. Brenda këtij grupi rritjen më të madhe e shënuan nëngrupet “shpenzime materiale” prej 1.4 për qind dhe “shpenzime për paga” prej 0.3 për qind. Ndërsa indeksi i çmimeve për grupet e tjera nuk kanë ndryshuar. Brenda nëngrupit “shpenzime materiale” INSTAT-i thekson rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit prej 1.5 për qind, materialeve elektrike prej 2.3 për qind, ndërsa çmimet e materialeve hidro-sanitare kanë shënuar ulje prej 0.8 për qind. Në këtë 3-mujor, krahasuar me atë të mëparshëm, ndryshimet në indekset e çmimeve të grupeve të tjera variojnë nga -0.4 në + 0.3 për qind.

Qiratë në rënie

Ndryshe nga çmimet e shitjes, çmimet e qirave të apartamenteve po njohin rënie. Vitin e kaluar, qiraja e banesave në Tiranë ishte mesatarisht 5-7 euro për metër katror në muaj. Sot ka zbritur në 3-5 euro për m2. Në zonat në periferi të Tiranës, apartamentet 1+1 apo 2+1 të ndërtuara rishtazi, ofrohen për qira mujore 25-30 mijë lekë. Në zonat e reja urbane si në Kinostudio apo Unazën e Re, çmimet kanë rënë nën 15 mijë lekë në muaj. “Njerëzit janë të etur për të gjetur qiramarrës sa më parë dhe çmimet janë në rënie”, - thotë një agjent pronash të paluajtshme në Tiranë. “Njerëzit që kërkojnë të marrin shtëpi me qira, kërkojnë ofertat më të lira të mundshme dhe klientë që mund të paguajnë shtrenjtë, është vështirë të gjesh”, - vijon ai. Në rritje janë edhe ofertat për ndarje qiraje për të njëjtën banesë, ose për dhënien me qira të vetëm një dhome. Bollëku i ofertave ndjehet në të gjithë Tiranën, nga qendra në periferi. Numri i njoftimeve për ambiente të destinuara për të huajt me qira të shtrenjtë, është në rënie. Një nga shkaqet e rënies së çmimeve të banesave në muajt e fundit lidhet me sezonin e studimeve. Shumë njerëz përgatiten të gjejnë një qiramarrës të ri, pasi të jenë larguar studentët, që sipas një agjencie përbejnë një pjesë të konsiderueshme të popullatës totale të Tiranës që jeton me qira. Por arsyeja tjetër e rënies së çmimeve lidhet edhe me pasigurinë ekonomike të qytetarëve. Për shkak të mungesës së sistemit të mbrojtjes shoqërore, një i papunë e ka të pamundur të paguajë qiranë.

Të dhënat e tregut për çmimet e apartamenteve për vitin 2008

Rruga Çmimi (euro/m2)
-Unaza, Materniteti i Ri 700-800
-Uzina e Autotraktorëve 500-600
-Blloku, Liceu, Rr. Elbasanit 1400-2000
-Rruga e Elbasanit 1200-1800
-Min. Jashtme, Q. Studenti 1100-1600
-Spitalet, Shkolla e Bashkuar 650-850
-Kinostudio 500-600
-Unaze, Shish-Tufinë 450-500
-Zona e Bllokut, Pallatet Agimi 1600-2000
-St.Dinamo, Garda 1800-2000
-Pishinat, rruga “Komuna e Parisit” 750-850
Unaza e re, Kombinat-”Misto Mame” 400-580
-Ish-Ekspozita 1500-1800
-“Myslym Shyri” 900-1600
-“21 Dhjetori”, “Zogu i Zi”, Rr. e ambasadave 1000-1500
-Rruga e Kavajës 1300-1800
-Rr. Durrësit 1300-1800
-Pazari i Ri 750-900
-Rruga Bardhyl 700-850
-Stacioni Trenit 900-1200
-Don Bosko 650-750
-Lapraka 550-700
Burimi: Agjencitë Imobiliare

16 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›