E Shtunë, 31 Tetor 2026

E rrahin dhe e hedhin në liqen se kishte lidhje me kushërirën

Elbasan
Policia akuzon për “vrasje të mbetur në tentativë” dy vëllezër nga Belshi

E kanë rrahur deri sa e kanë lënë pa ndjenja dhe më pas kanë tentuar ta mbysin në një nga liqenet e Belshit. Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 10:00 të paradites, në dalje të qytetit të Belshit, pranë brigjeve të liqenit të çestijes. Sipas burimeve të policisë, dy vëllezër pasi kanë rrahur për vdekje një të ri 19-vjeçar, e kanë hedhur në liqen, pa menduar se pikërisht “viktima” e tyre do të denonconte në policinë e këtij qyteti. Sipas të njëjtave burime, Arben dhe Bukurosh Kuqja, nga fshati Gradishtë, kanë marrë si pasagjer në mjetin e tyre 19-vjeçarin Demir Lala dhe gjatë rrugës prej afro tre kilometrash e kanë rrahur atë, duke e lënë pa ndjenja. Më pas, duke menduar si ai nuk ishte në gjendje më të lëvizte, në tentativë për t’i marrë jetën, e kanë hedhur në liqenin e çestijes dhe janë larguar prej andej pa lënë gjurmë, duke menduar se “mbaruan” punë, në qëllimin që i kishin vënë vetes. Por pas rreth dy orësh, 19-vjeçari Lala është përmendur dhe pasi ka marrë një makinë të rastit për të shkuar në qendër të qytetit të Belshit, ka bërë denoncim në polici. Shpejt në Belsh kanë shkuar forca të shumta policore, që pas deklarimeve të të dhunuarit kanë mundur të gjejnë dhe të ndalojnë dy vëllezërit dhunues. Policia është duke hetuar rrethanat e krimit dhe paraprakisht, ndaj tyre është ngritur akuza e vrasjes së mbetur në tentativë. Burimet policore thonë se shkak i kësaj ngjarjeje janë motivet e dobëta, pa dhënë hollësi së cili ishte shkaku i dhunës dhe tentativës për ta mbytur 19-vjeçarin Lala. Ndërkohë, Prokuroria e Elbasanit ka nisur procedimin penal ndaj vëllezërve Kuqja, nën akuzën “Vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë”. Sakaq, burime jozyrtare bëjnë me dije se krimi është kryer në shenjë hakmarrje ndaj 19-vjeçarit, i cili mendohet se kishte lidhje me një të afërme të vëllezërve Kuqja. Hetimet vazhdojnë dhe ende prokuroria nuk ka përcaktuar masën e sigurisë ndaj vëllezërve, Kuqja.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›