Mbytet në liqen një peshkatar, zhduket një tjetër
SHKODëR/ Dy kushërinjtë kishin dalë për peshkim para tri ditësh. Familja njoftoi policinë dje në mëngjes
Gjendet i mbytur tri ditë pas zhdukjes në Liqenin e Shkodrës një peshkatar, policia kërkon për kushëririn e tij. Kujtim Kurti, 39 vjeç, dhe Agim Kurti, 45 vjeç, djem xhaxhallarësh, janë shpallur të humbur dje në mëngjes, kur familjarët e tyre bënë denoncimin në polici. Ata kishin dalë për peshkim të enjten dhe familja nuk kishte marrë asnjë sinjal që nga ajo ditë.
Familja Kurti jeton në Malësi të Madhe në fshatin Kçarë të Komunës Gruemirë, pranë liqenit të Shkodrës. Kanë qenë familjarët e tyre, të cilët kanë bërë denoncim në Komisariatin e Malësisë së Madhe mëngjesin e së shtunës. Forcat e policisë lokale në bashkëpunim me RENEA-n dhe FNSH-në kanë nisur menjëherë aksionin për gjetjen e dy personave të zhdukur. Në orët e drekës së të shtunës është gjetur trupi i Kujtim Kurtit, ndërsa kërkimet kanë vazhduar edhe në territorin e Malit të Zi, për të zhdukurin tjetër, Agim Kurti.
Familjarët treguan dje se dy kushërinjtë kishin dalë me varkë në liqenin e Shkodrës, pasi kishin parë se moti ishte përmirësuar. Ata jetonin në kushte shumë të vështira ekonomike dhe peshkimi ishte mundësia e vetme për të ushqyer fëmijët. Sokol Kurti, i afërm i dy të zhdukurve thotë: “Kujtimi dhe Agimi jetonin me peshkim. Dolën në liqen para tri ditësh dhe nuk u bënë më të gjallë. Provuam t’i telefononim, por telefonat na dilnin të mbyllur. Tani që Kujtimi u gjet i pajetë, kemi pak shpresa të gjejmë Agimin”.
Ndërkohë Policia e Malësisë së Madhe njofton se po bashkëpunohet ngushtë me Policinë e Malit të Zi për të gjetur Agim Kurtin. Në kërkim është angazhuar një patrullë e përbashkët shqiptaro-malazeze e policisë kufitare. Kërkimet janë përqendruar në territorin e Malit të Zi, ku dyshohet se mund të ketë ndodhur ngjarja që shkaktoi mbytjen e një peshkatari dhe humbjen e një tjetri.
#