E Shtunë, 31 Tetor 2026

Overdoza, vdes një 29-vjeçar i sëmurë

Tiranë
Ndërsa policia kap tre shpërndarës heroine

Një përdorues heroine ka vdekur nga overdoza, ndërkohë që policia ka arrestuar tre shpërndarës, pasi janë kapur në zona të ndryshme, duke shitur lëndën narkotike te të rinjtë. Sipas të dhënave nga policia e kryeqytetit, Alban Kaposhi, 29 vjeç, ka gjetur vdekjen në spital, pasi është dërguar nga të afërmit e tij në gjendje shumë të rëndë. Pas verifikimeve të kryera nga mjekët, ka rezultuar se i riu kishte konsumuar heroinë dhe për shkak të saj ka kaluar në overdozë. Gjithashtu, ai vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Nga ana tjetër, policia ka vënë në pranga tre shpërndarës. Sipas të dhënave, dy net më parë u arrestua në flagrancë Saimir Kabili, 33 vjeç, banues në Tiranë. Ky person u kap në orën 20:30, në rrugën “Qemal Stafa”, duke shitur heroinë. Në cilësinë e provës materiale iu gjetën e bllokuan 80 gramë heroinë dhe dy celularë. Gjithashtu, policia dërgoi për ndjekje penale në gjendje të lirë edhe shtetasin Lulzim Malaj, 29 vjeç, sepse rreth orës 12:00, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, u kap me 0.2 gramë heroinë dhe dy shiringa. Ai ka deklaruar se ishte përdorues, por policia tha se edhe e shiste drogën. Ndërsa shpërndarësi i tretë është kapur në Burgun e Rrogozhinës. Pikërisht në dhomën e të dënuarit Emiljano Taipi, 27 vjeç, u gjetën 5.3 gramë heroinë. Taipi është i dënuar për grabitje me armë, krim që e ka kryer edhe herë të tjera. Sipas policisë, krimin e fundit e kishte kryer nën efektin e kokainës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›