Vlerësimi i masës, lirohen dy pedagogët dhe dy sekserët
Gjykata
Gjykata ka liruar dy pedagogët e akuzuar për korrupsion, duke u ndryshuar masën e sigurisë me “detyrim paraqitjeje”. Vlerësimi i masës është dhënë ditën e djeshme, kur Astrit Frakulla dhe Vasil Kashuta, të cilët ishin me “arrest shtëpie”, kanë mundur të fitojnë masën detyrim paraqitje. Kjo masë është dhënë nga gjykata për mungesë provash dhe për arsye se ata nuk mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre pedagogjik. Ndërsa për dy personat e cilësuar si sekserë, gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Sipas dosjes penale, këta katër persona u proceduan penalisht gjatë operacionit “Provim i suksesshëm”, bashkë me dy persona të tjerë, të cilët procedohen penalisht në gjendje të lirë. Më parë, ndaj Astrit Frakullës, 59 vjeç, lindur në Vlorë e banues në Tiranë, pedagog pranë Universitetit Bujqësor, ishte dhënë masa e sigurisë “arrest shtëpie”, për veprën penale “Shpërdorimit të detyrës”. E njëjta masë ishte dhënë edhe për Vasil Kashutën, 50 vjeç, edhe ky me detyrë pedagog në Universitetin Bujqësor. Ndërsa për Fatmir çunin, 39 vjeç, me detyrë nënoficer pranë Repartit Ushtarak 4304 dhe Kujtim Ballën, 50 vjeç, i punësuar në Universitetin Bujqësor, gjykata kishte vlerësuar më parë “arrest me burg”. Por, edhe këtyre u ka ndryshuar masa në “arrest shtëpie”. Këta katër persona, në bashkëpunim edhe me dy studentë, dyshohen se në bashkëpunim në periudha të ndryshme kohore, kanë shpërdoruar detyrën dhe ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, duke u marrë ryshfet shumën prej 25 mijë lekësh për provim të studentëve mbetës, të cilët studionin pranë Universitetit Bujqësor.
#