E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen dy hajdutë, kërkohen tre të tjerë

Tepelenë
Operacioni policor “Shëtitësi”

Dy hajdutë janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastrës, e cila realizoi të premten një operacion me emrin e koduar “Shëtitësi”. Policia njoftoi se u arrestuan Aranit Buzi, 52 vjeç dhe Florenc çipllaka, 33 vjeç, të dy lindur dhe banues në Fier. Sipas zëdhënësit të policisë ndalimi i tyre është bërë për arsye se të arrestuarit dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me tre shtetas të tjerë nga Rrethi i Fierit, kanë vjedhur me thyerje në qytetin e Tepelenës një sërë dyqanesh e supermarketesh. Ata akuzohen se më 8 nëntor 2009 kanë vjedhur me thyerje dy dyqane dhe dy supermarkete në qytetin e Tepelenës. Dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë së tyre kriminale u arrit si rezultat i punës gjurmuese dhe hetimore nga agjentët dhe specialistët e Seksionit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës. Nga informacionet e grumbulluara në rrugë operative nga specialistët të Krimeve Kundër Pronës, shtetasit e sipërpërmendur si dhe tre shtetasit e shpallur në kërkim, dyshohen si autorë të disa vjedhjeve të lokaleve në Qarkun e Fierit dhe të Gjirokastrës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 aparate celulare, 9 karta “Sim” si dhe një automjet tip “Benz” taksi, me targë FR801A, në pronësi të shtetasit Aranit Buzi, me të cilin kanë lëvizur për të realizuar vjedhjet. Policia po punon për kapjen e tre personave të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›