Humbja e eshtrave, verifikim edhe për deklaratën e Bellos
Lushnjë
Fati i eshtrave të humbura të dëshmorëve, në varësi të hetimeve të prokurorisë
Hetimet e policisë dhe të Prokurorisë së Rrethit Lushnjë do të zbardhin “fatin” e eshtrave të humbura të 21 dëshmorëve. Zyrtarisht prokuroria dhe policia lokale kanë nisur hetimet për cenimin dhe dëmtimin e varrezave të dëshmorëve dhe pohojnë se së bashku me këtë padi, që është bërë pak ditë më parë, do të hetojnë edhe mbi pretendimin e kreut të Organizatës së Dëshmorëve, Vangjel Bello, i cili vijon të dëshmojë i vendosur se ka humbje masive të eshtrave të dëshmorëve. Gjatë dy ditëve të fundit, policia dhe prokuroria, lidhur me ngjarjen e eshtrave të dëshmorëve të humbur, ka vijuar hetimet vetëm duke marrë në pyetje zyrtarët e Shoqatës së Veteranëve të LANç-it, si dhe të Organizatës së Dëshmorëve, që kanë një evidencë të saktë të të rënëve për liri. Po ashtu mësohet se prokurori i çështjes ka kërkuar një ditë më parë nga Bashkia e Lushnjës përfshirjen e saj si dhe përgjegjësitë konkrete të saj në këtë çështje. Ashtu si dhe në deklarimin për shtyp të një dite më parë, edhe për prokurorin e çështjes, drejtuesit e bashkisë së qytetit kanë thënë se nuk kanë pasur një evidencë të saktë për numrin e dëshmorëve. është deklaruar se në bashki nuk ka pasur prej kohësh asnjë listë të dëshmorëve që prisnin të varroseshin. Të vetmet gjurmë që kanë lidhur bashkinë me dëshmorët janë kërkesat e njëpasnjëshme që Shoqata e Veteranëve të LANç-it si dhe Organizata e Dëshmorëve të rrethit ka bërë për të ndërhyrë në cenimin e varrezave dhe muzeut të dëshmorëve. Po ashtu deklarim është marrë edhe nga ish-roja i varrezave, i cili është larguar nga puna disa ditë para zhdukjes enigmatike të 21 mbetjeve trupore të dëshmorëve. Të shtunën, prej organit hetimor të Lushnjës dhe policisë lokale është pohuar se ende nuk ka një provë konkrete për destinacionin e fundit të eshtrave të zhdukura. Nga ana tjetër, në Bashkinë e Lushnjës shpjegohet se prej vitit 2007 është një firmë private, ajo që ka marrë me sipërmarrje mirëmbajtjen e varrezave të dëshmorëve. Kryetari i Bashkisë, Albert Sanxhaku, në prononcimin e tij për shtyp një ditë më parë, ka vlerësuar firmën sipërmarrëse të varrezave, por nuk ka dhënë ndonjë të dhënë të saj. Në asnjë departament të bashkisë nuk flitet për firmën sipërmarrëse, duke e mbajtur si një tabu për të gjithë administratën vendore të Lushnjës. Vangjel Bello, kryetari i Organizatës së Dëshmorëve të Rrethit Lushnjë, në deklarimin e tij ka nxjerrë përgjegjës për këtë skandal të eshtrave drejtuesit më të lartë të bashkisë. Madje, ai ka akuzuar edhe emra konkretë për përgjegjësi, duke thënë se “ata janë inxhinieri, supervizori dhe ish-shefi i shërbimeve në bashki”. I pari që denoncoi humbjen e eshtrave nga dhoma muze e varrezave të dëshmorëve ka qenë Pasho Uruçi, kreu i Shoqatës së Veteranëve të LANç-it. Pas publikimit të skandalit, Uruçi vijoi të thotë se ashtu e kishin informuar pas kthimit nga Greqia, ku ka qëndruar për dy muaj.
#