Shkarjet e dheut paralizojnë hekurudhën
Shpëton për mrekulli treni i pasagjerëve të linjës Tiranë-Vlorë. Probleme edhe me rrugët
Shirat e ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme në të gjithë territorin e vendit, duke vënë në rrezik edhe jetë njerëzish. Treni me pasagjerë i linjës Tiranë-Vlorë ka shpëtuar për mrekulli dje nga shkarja e një masivi dheu mbi trasenë e hekurudhës, ndërsa në Tepelenë dhe Korçë, shoferët kanë qëndruar në radhë deri pas mesnate, pasi shkarjet e dheut kanë bllokuar rrugët.
Rrezikohen trenat
Situatë emergjence në Hekurudhën Shqiptare. Rrëshqitjet masive të dherave nga Shkëmbi i Kavajës dhe në zonën e Lushnjës kanë dëmtuar trasetë hekurudhore, duke krijuar një gjendje të rënduar në linjat e hekurta. Drejtori i përgjithshëm i HSH-së, Zamir Ramadani, u shpreh për gazetën se drejt vendeve ku trasetë janë bllokuar nga rëniet e shumta të dheut, janë nisur grupet e punës dhe mjete për të siguruar pastrimin e tyre dhe verifikimin e dëmeve. Pak minuta para orës 20:00 të mbrëmjes së kaluar një pjesë e madhe kodrinore u shkëput nga Shkëmbi i Kavajës, duke rënë mbi linjën hekurudhore dhe rrugë. Vetëm rastësia ka shpëtuar trenin e udhëtarëve, që kishte kaluar rreth 40 minuta më parë mbi linjë. Ndërkaq të tjera situata të rënduara paraqiten në stacionin e Zhabës, midis Rrogozhinës dhe Lushnjës, si dhe në Gogolas të Lushnjës, pjesë e linjës që kalon në segmentin Gradishtë-Lushnjë. Të tria këto pika të nxehta janë shkaktuar si pasojë e shkëputjes së masiveve kodrinore, që kanë dëmtuar trasetë. Nuk dihet ende nëse transporti hekurudhor në këto linja që lidhin Durrësin e kryeqytetin me pjesën jugore të vendit do t’i kthehet normalitetit brenda së dielës. Ramadani thotë se do të punohet për të kthyer lëvizjen pa probleme mbi shina, por errësira ka penguar seriozisht ndërhyrjet dhe riparimet.
Rrëshqitje dheu dhe përmbytje ka pasur dje edhe në qytetin e Durrësit. Një tjetër shkarje masive dheu nga kodra e Durrësit ka rrezikuar banorët e zonës kodrinore, si dhe ka shkaktuar bllokimin për disa orë të rrugës që lidh shëtitoren bregdetare me Currilat. Dhjetëra banesa e lokale, që ndodhen rrëzë kodrës, janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të rrëshqitjes së dherave nga kodra. Ndërkaq në zonën e Plazhit dhe Shkozetit, shtëpitë e ulëta dhe ish-kabinat e plazhit janë përballur me vërshimin e ujit brenda tyre.
Bllokim në Shkallën e Zezë
Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore në parcelat në të dyja anët e lumit Drino në Gjirokastër dhe rrëshqitje masive të dheut në vendin e quajtur Shkalla e Zezë në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, duke bllokuar për rreth 6 orë qarkullimin në këtë segment. Burime nga Zyra e Emergjencave pranë Prefekturës së Gjirokastrës bënë të ditur se janë rreth 40 hektarë tokë që vazhdojnë të qëndrojnë nën ujin e lumit Drino të dalë nga shtrati në katër komuna të luginës Dropull i Poshtëm, Lazarat, Antigone dhe Lunxhëri. Ndërkaq për shkak të shkëputjeve masive të dherave në rrugën automobilistike që lidh Gjirokastrën me Tepelenën, është bllokuar qarkullimi për rreth gjashtë orë. Prej kohësh, ky segment rrugor është kthyer në një vend problematik gjatë sezonit me reshje të dimrit, pasi dherat dhe gurët e shkëputur në mënyrë masive nga faqja e malit bllokojnë herë pas here qarkullimin e automjeteve.
Shkarje në rrugën e Plloçës
Rrëshqitja e një masivi dheu ka shkaktuar dëmtimin e rrugës nacionale që lidh Korçën me Pogradecin. Në orët e vona të natës, aksi është bllokuar për të paktën tri orë për shkak të shembjes në Qafën e Plloçës. Forca të shumta të policisë dhe specialistë të Drejtorisë së Rrugëve me të paktën katër fadroma kanë punuar në orët e natës, për të mbajtur të hapur këtë aks që është bërë i pakalueshëm për shkak të masivit dhe shembjes, por edhe si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës që kanë vështirësuar punën. Në mesnatë, aksi nacional ka qenë i hapur me një korsi. Problemet e shumta në rrugë janë ndier edhe gjatë ditës, ku për shkak të punës në segmentet e dëmtuara nga Drejtoria e Rrugëve, janë ngritur strukturat për të gjetur një mundësi për një kalim të përkohshëm me devijimin e rrugës. Rrëshqitja ka shkaktuar çarjen e asfaltit në pjesën e sipërme të rrugës dhe pjesa e sipërme e një kthese është shkëputur dhe ka bllokuar edhe pjesën e poshtme të aksit.
#