E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon tentativa e vrasësit të policëve, mbetet në burg përjetë

Vendimi
Apeli i Krimeve të Rënda jep dënimin kapital për Afrim Hasanin

Ka dështuar tentativa e Afrim Hasanit, i cili u dënua për vrasjen e dy policëve, që të ulte dënimin e tij, duke apeluar vendimin e Gjykatës për Krimet e Rënda. Ai është mbyllur në qeli përjetë, pasi Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për njeriun që qëlloi për vdekje dy punonjës policie në Shën Mëri të Kukësit. Vendimi është marrë dy ditë më parë nga shkalla e dytë e gjyqësorit, ku një trupë gjyqësore mori në shqyrtim kërkesën e të pandehurit Hasani, i cili kundërshtonte vendimin e dhënë ndaj tij nga shkalla e parë. Vetëm pak kohë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda e deklaroi Afrim Hasanin fajtor për vrasjen me paramendim të dy punonjësve të policisë. Vetë i riu nuk ka qenë i pranishëm në seancë kur është dhënë vendimi. Ndërsa avokati mbrojtës në konkluzionet përfundimtare kërkoi një masë më të lehtë dënimi, pasi klienti i tij e kishte kryer vrasjen në kushte të rënda të tronditjes psikike. Prokurori kërkoi dënimin maksimal të parashikuar në Kodin Penal për Hasanin. Ai akuzohet për vrasjen e Shkëlzen Dobrushit e Ramadan Hilës, që mbetën të vrarë më 24 mars të këtij viti në fshatin Shën Mëri të Kukësit. Dy inspektorët e Qarkullimit Rrugor kanë qenë duke qëndruar në një prej lokaleve të fshatit, në pritje për të marrë detyrën. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së 24 marsit, autori i krimit, Afrim Hasani, është afruar dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve të policisë me breshëri automatiku. Më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Vetëm 12 orë pas ngjarjes, policia vuri në pranga autorin e këtij krimi të rëndë. Afrim Hasani u gjet i fshehur në një pyll, pak kilometra larg qytetit të Kukësit, afër fshatit të tij. Në operacion morën pjesë dhjetëra forca policie të qytetit të Kukësit, Hasit, Pukës, dhe forca speciale të RENEA-s.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›