E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Poliçanit, shërbim më këmbë

Furgoni i grupit të gatshëm u dogj para dy muajsh dhe nuk është zëvendësuar ende

Një fjalë e urtë thotë se “qeveria e kap lepurin me qerre”, por në Poliçan shteti është duke bërë edhe më tepër – po tenton ta kapë “lepurin” me vrap. Posta e Policisë në Poliçan, e cila përgjigjet për rendin dhe sigurinë e një komuniteti prej më shumë se 12 mijë banorësh, nuk ka në dispozicion asnjë mjet motorik.

Kanë kaluar më tepër se dy muaj që makina e vetme e Postës së Policisë së Poliçanit u përfshi nga flakët dhe ende nuk është marrë ndonjë masë për zëvendësimin e saj. Tashmë kjo postë policie nuk mund të shërbejë më për ngjarje kriminale, apo për çdo ngjarje që mund të ndodhë në Bashkinë e Poliçanit dhe në fshatrat përreth saj.

Burime nga Posta e Policisë në Poliçan bëjnë me dije për gazetën “Shqip” se kanë dy muaj, pas djegies së furgonit të grupit të gatshëm, që nuk ka një automjet për patrullimin në këtë qytezë. Punonjësit e policisë qarkullonin në bashkinë e qytetit të Poliçanit pa mjet të gatshëm, ndërkohë që për ta më e vështirë paraqitet situata në rastet kur ka ngjarje në zonat rreth bashkisë. Për ngjarjet që kanë ndodhur këto tre muaj në Poliçan dhe rrethina, punonjësit e policisë kanë shkuar në vendngjarje me makina civile.

Janë 12 mijë banorë të cilëve mund t’u nevojitet ndihma e policisë, por kjo e fundit nuk mund t’u shërbejë në kohë për shkak të mungesës së automjetit.

Sipas burimeve nga Posta e Policisë në Poliçan, kërkesat për sigurimin e një automjeti në gjendje pune kanë qenë të vazhdueshme, ndërsa nga ana e institucioneve shtetërore nuk është marrë asnjë masë deri tani.

Punonjësit e policisë në shumë vendngjarje kanë shkuar me mjetet e tyre private. Problemi është më i madh gjatë orëve të natës, kur nga ana e policisë në qytetin e Poliçanit nuk qarkullon asnjë automjet policie për ruajtjen e qetësisë dhe rendit. Agjentët e policisë shpesh janë njoftuar me telefonata për ngjarjet që kanë ndodhur, por kanë mundur të shkojnë në vendngjarje me vonesë për shkak të mungesës së mjetit dhe nuk kanë mundur të bëjnë asgjë, përveçse të kryejnë dokumentimin e ngjarjeve.

Edhe pse uniformat blu kanë qenë në gatishmëri, mungesa e automjetit ka rritur frikën se personat problematikë në qytet do të ndjehen më komodë për të kryer aktivitete kriminale, siç ka ndodhur në fakt me shtimin e numrit të vjedhjeve gjatë dy muajve të fundit.

E vetmja mundësi për të qenë në dispozicion të qytetarëve për ruajtjen e rendit dhe qetësisë, sipas burimeve të policisë, është patrullimi me makina private të punonjësve të policisë. Por ky patrullim nuk mund të jetë i shpeshtë dhe mbetet në vullnetin e policëve që kanë makina private, pasi shteti nuk siguron karburant për këto patrullime.

Edhe pse kërkesa për zëvendësimin e automjetit të policisë është përsëritur disa herë në Ministrinë e Brendshme, kjo e fundit nuk ka marrë asnjë masë, por vazhdon të qëndrojë në heshtje. Ndërkohë, drejtues të policisë në Berat thonë se organet kompetente duhet të gjejnë një zgjidhje, për të qenë në gatishmëri në parandalimin e ngjarjeve që mund të marrin edhe jetë njerëzish në qytetin e qetë të Poliçanit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›