E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTE/ Flet imzot Johani: Indiferenca e policisë është ajo që më shqetëson më shumë

07/12/2004  

KORÇË

Seria e vjedhjeve të kultit ortodoks në rajonin juglindor të vendit, ka bërë që personalitete, apo edhe njerëz të thjeshtë, qoftë të besimit ortodoks, por edhe të besimeve të tjera, të jenë tepër të irrituar nga këto veprime. Pas vjedhjes së kishës së "Shën Gjergjit" në Leskovik ditët e fundit, duket se komuniteti ortodoks nuk po gjen qetësinë e duhur. I kontaktuar nga gazeta, imzot Johani, mitropoliti i Korçës, jep opinionin e tij, tejet i shqetësuar në lidhje me situatën që po përjeton besimi ortodoks në zonën e Korçës.

Brenda vitit janë vjedhur gati 20 kisha në rajonin e Korçës. Si ju duket ky veprim?

Është e vërtetë që këtë vit janë vjedhur shumë kisha në rajonin tonë. Nuk janë veprime të mira, mbi të gjitha jo vetëm për mua, si përfaqësues i besimit ortodoks, por edhe për të gjithë njerëzit, të cilët janë pjesë e këtij besimi. Janë veprime, të cilat janë mjaft të dënueshme dhe që nuk duhen toleruar. Mbi të gjitha, kisha dhe institucioni i saj, nuk është prona ime, apo e dikujt tjetër, por ajo i përket të gjithëve dhe që të gjithë duhet të kujdesemi për ta ruajtur atë dhe jo ta shkatërrojmë. Veprimet e kohëve të fundit për vjedhjen e kishave ortodokse janë me të vërtetë për të ardhur keq. Ne jemi një vend që njihemi për tolerancën fetare dhe kjo na bën të njihemi në të gjitha vendet e tjera. Nuk është mirë kur dëgjojmë që u vodh apo u shkatërrua një kishë, pasi në këtë mënyrë ne i bëjmë keq vetes sonë, pasi marrim një emër të keq nga të gjithë.

Çfarë ju është thënë konkretisht nga institucioni i policisë dhe prokurorisë në lidhje me vjedhjet dhe gjetjen e autorëve?

Që nga vjedhja e parë dhe deri tani nuk na është dhënë asnjë përgjigje konkrete.

Çfarë keni menduar që të bëni më konkretisht, duke parë edhe indiferencën e policisë?

Edhe pse jemi duke pritur dhe duke heshtur, kjo nuk do të thotë se do rrijmë duarkryq dhe nuk do të bëjmë asgjë. Unë dhe të tjerët, që janë në drejtimin e kishave, nuk mund të ngrejmë ushtri për t’i ruajtur ato. Policia dhe hetuesia ka të drejtë të punojë dhe të gjejë autorët e vjedhjeve dhe asgjë tjetër. Liria dhe ruajtja e institucioneve fetare në Shqipëri, është edhe në Kushtetutën e vendit dhe për këtë ne do të detyrohemi të marrim masa, të cilat nuk mund t’i shkojnë policisë, por do të dalin edhe me mbështetje ndërkombëtare. Do kërkojmë që këta të fundit të ushtrojnë një presion mbi policinë e vendit, për të bërë të mundur kapjen e autorëve dhe ruajtjen e kishave.

Fakti që janë vjedhur vetëm kisha ortodokse dhe jo institucione fetare të besimeve të tjera, si ju duket?

Di të them se do të më vinte shumë keq, nëse do të ndodhte e njëjta gjë edhe me një xhami, teqe apo edhe të tjera ndërtesa, të cilat bëjnë të lejuar ardhjen e njerëzve për të besuar. Nuk do ta doja kurrësesi një gjë të tillë edhe pse i përkas një besimi të caktuar.

Prokuroria dhe policia ngrenë duart përpjetë

KORÇE - Prokuroria e Korçës ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje konkrete. Sipas kryeprokurorit Vangjel Tanellari, po studiohen të gjitha pistat dhe po verifikohen të gjitha informacionet e marra.

"Akoma nuk mund të themi se kush është fajtori për këto vjedhje, megjithatë puna jonë ka ecur mjaft për gjetjen e personave të implikuar në vjedhjen e kishave. Shpesh herë kanë ardhur edhe vetë përfaqësuesit e kishës ortodokse për të parë dhe na pyesin deri ku kanë shkuar hetimet. Mund të them se jemi duke punuar dhe puna jonë po ecën mirë".

Edhe nga policia gjithashtu, theksohet se po punohet për të bërë të mundur kapjen e autorëve të këtyre vjedhjeve. E.M

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›