E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH: 32 milionë lekë abuzime me paratë e banesave

08/12/2004  Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku, e ka filluar punën me një denoncim në Prokurori për drejtorin e Entit të Banesave. Pas një kontrolli që KLSH-ja i ka bërë këtij institucioni, ka evidentuar shkelje të rënda dhe abuzime me një faturë financiare prej 32 milionë lekësh. Kaq ka qenë e mjaftueshme për të bërë një kallëzim penal në Prokurori, i shoqëruar me kërkesën për hetime të mëtejshme në lidhje me këtë çështje. Një nga kryekontrollorët ka deklaruar dje përpara mediave, se tani e tutje, KLSH-ja do të jetë më i hapur dhe më transparent në pasqyrimin e kontrolleve dhe rezultateve të tij. “Ne synojmë që taksapaguesit shqiptarë të informohen në kohë dhe në mënyrë të vazhdueshme për administrimin dhe përdorimin e fondeve publike”, ka deklaruar kryeinspektori i KLSH-së. Dëmet më të mëdha janë konstatuar në prokurimet publike, privatizimet e banesave shtetërore dhe nga tepritë me dietat dhe udhëtimet jashtë vendit. Nisur nga këto, KLSH-ja ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme të kontratës së punës për gjashtë punonjësit kryesorë të këtij institucioni dhe gjobë me nga 50 mijë lekë secili për 8 punonjës të tjerë, ndërsa për drejtuesit kryesorë të Entit Kombëtar të Banesave, që janë konsideruar përgjegjës për shkeljet e konstatuara dhe shpërdorimet në detyrë, është bërë kallëzimi penal në organet e Prokurorisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›