E Shtunë, 31 Tetor 2026

E shkelën të gjithë

Gjykata Kushtetuese ka gjetur dy shkelje në seancën për zgjedhjen e Presidentit. Nuk kishte më shumë se një kandidat për president dhe nuk kishte kuorum prej dy të tretave. Shkelja e dytë përfshin edhe opozitën, që nuk përmbushi obligimin kushtetues për të marrë pjesë në votim. Aktualisht, Kosova nuk ka as President, as ushtrues detyre të Presidentit. Kështu do të jetë deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Nga Bekim Greiçevci & Valmir Klaiqi më 31 mars 2011 në ora 09:38

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kosova jo vetëm që nuk ka më President, por as ushtrues detyre të Presidentit, për shkak se nuk ka kushte ligjore që këtë post ta ushtrojë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, e as ndonjë zyrtar tjetër.

Eksperti për çështje kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë se ky rast vërtet është shumë i rrallë në praktikat kushtetuese dhe ka krijuar vërtet një vakum kushtetues.

“Kryetari i Kuvendit nuk mund ta ushtrojë më detyrën e Presidentit, sepse Kushtetuta e ka përcaktuar se një mundësi e tillë aktivizohet vetëm kur largohet Presidenti apo kur ai shkel Kushtetutën, apo kur jep dorëheqje”, ka thënë Bajrami.

Me aktgjykimin e publikuar të mërkurën pasdite, Gjykata ka konstatuar se procedura për zgjedhjen e Behgjet Pacolli si President i Republikës se Kosovës, në seancën e jashtëzakonshme te Kuvendit, më 22 shkurt, përben shkelje të nenit 86 të Kushtetutës dhe prandaj është kundërkushtetuese.

Prandaj, Gjykata ka marrë vendim që prej datës 30 mars, vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit nuk është më në fuqi.

Me shtatë vota për dhe dy kundër, Gjykata vlerëson se janë bërë dy shkelje të Kushtetutës.

Shkelja e parë ka të bëjë me faktin se në seancë nuk kishte më shumë se një kandidat për president.

“Neni 86 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përmend në mënyrë të qartë (jo-ambiguoze) se duhet të ketë më shumë se një kandidat në raundin e parë dhe të dytë, si dhe në raundin e tretë”, thuhet në aktgjykim, që është publikuar të mërkurën pasdite.

Shumica e gjykatësve kanë gjetur se shkelje kushtetuese paraqet edhe mungesa e së paku dy të tretave të deputetëve në seancë.

“Gjykata konkludon se, meqë vetëm 67 deputetë morën pjesë në procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, neni 86 i Kushtetutës u shkel”, thuhet në aktgjykim.

Për mungesë të së paku 80 deputetëve në seancë, Gjykata konsideron se shkelje e Kushtetutës është edhe mospjesëmarrja e opozitës. Në aktgjykim citohen nene të Kushtetutës, Ligji mbi të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, Rregullorja e Punës së Kuvendit si dhe Betimi i Deputetit etj., që obligon përfaqësuesit e popullit të marrin pjesë në votim, veçanërisht për çështje të rëndësishme për shtetin.

“Zgjedhja e Presidentit te Kosovës, i cili sipas nenit 83 është Kreu i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e njerëzve të Republikës së Kosovës, është e një rëndësie kaq të madhe, sa që të gjithë deputetët, si përfaqësues të popullit të Kosovës, duhet ta konsiderojnë si detyrë kushtetuese të tyren, përveç nëse iu lejohet nga Presidenti i Kuvendit të marrin pjesë në procedurën për zgjedhjen e Presidentit, siç përcaktohet në nenin 86 të Kushtetutës”, thotë Gjykata në vendimin e saj.

Në aktgjykim theksohet se nëse deputeti nuk mund të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, duhet ta informojë Kryetarin ose Nënkryetarin e Kuvendit për arsyet e mungesës.

Ndërkaq, Gjykata nuk ka gjetur shkelje për pauzën mes raundit të dytë dhe të tretë të zgjedhjes së Presidentit, siç kanë pretenduar LDK’ja dhe AAK’ja.
Gjykata nuk ka dhënë asnjë rekomandim se çfarë duhet të bëjë Kuvendi i Kosovës pas këtij aktgjykimi dhe nëse të gjithë deputetët duhet patjetër të marrin pjesë në votim.

“Gjykata nuk thotë se ata duhet të jenë aty, por thotë se duhet të sigurohet kuorumi. Kuorumi sigurohet me angazhimin e mirë të strukturave të Kuvendit, në këtë rast të Kryesisë dhe Kryetarit’, ka thënë Mazllum Baraliu, ekspert për çështje juridike.

Por, ndryshe mendon Arsim Bajrami, ekspert për çështje kushtetuese.
“Gjithsesi deputetët kanë detyrim kushtetues të marrin pjesë, edhe pse ndoshta është e padrejtë që nuk ka konsekuenca adekuate ligjore dhe kushtetuese që do të sanksiononin deputetët, sepse nuk bëhet fjalë për një taktikë të bojkotit parlamentar. Besoj se deputetët e opozitës e kuptojnë se kanë obligim kushtetues të themelojnë institucionet kushtetuese të shtetit të Kosovës. Natyrisht, është e drejta e tyre të votojnë apo jo kandidatët e caktuar. Por ligjet, Kushtetuta dhe rregullorja i obligon ata që të marrin pjesë aktive në punët e Kuvendit”, ka thënë ai.

Shtatë nga nëntë gjykatësit kushtetues kanë votuar për aktgjykimin: Enver Hasani, Kadri Kryeziu, Altay Suroy, Snezhana Botusharova, Gjyljeta Mushkolaj dhe Iliriana Islami.

Me vendimin e tyre nuk janë pajtuar gjykatësi amerikan, Robert Carolan dhe gjykatësi portugez, Almiro Rodrigues.

Mospajtimi i tyre është pjesë e aktgjykimit. Ata nuk i kundërshtojnë kolegët e tyre se është i obligueshëm kuorumi prej dy të tretave për zgjedhjen e presidentit. Ata, gjithashtu, kanë thënë se Gjykata nuk ka të drejtë për të urdhëruar Kuvendin që të nominojë së paku dy kandidatë për president. Carolan dhe Rodrigez vlerësojnë se nëse Kuvendi nuk ka arritur të zgjedhë presidentin as në raundin e tretë, atëherë do të duhej të shpërndahet dhe të organizohen zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditësh.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›