E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shahini: Kosova duhet të marrë praktikat e Kroacisë

Nga Express më 30 mars 2011 në ora 21:22

Në kuadër të vizitës disaditore në Kroaci, drejtues të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), të prirë nga kryetari Agim Shahini së bashku me disa pronarë të kompanive vendore kanë vizituar të mërkurën Panairin e Punës në Zagreb, i cili ka për qëllim vendosjen e kontakteve ndërmjet kompanive të ndryshme dhe shkëmbimin e përvojave.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë për Kosovapress se Kroacia ka fonde prej miliona euro, me qëllim të luftimit të papunësisë, e cila në këtë shtet kap shifrat prej 20 për qind.

Sipas tij, Kosova duhet të ndjekë shembullin e Kroacisë në zbutjen e papunësisë dhe të gjejë donatorët, për të siguruar fonde në këtë drejtim.

“Praktikat e mira të organizimit të Panairit të Punës apo Berzës së Punësimit “Kroacia 2011” tregojnë se edhe në Kroaci janë të nevojshme organizime të tilla, sepse këtu është një numër prej 20 për qind të të papunëve. Ajo që ishte më e rëndësishme në këtë shtet është se fondet për zbutjen e papunësisë kapin shifrat pre miliona euro dhe prioritet i këtij shteti është zbutja e papunësisë. Kjo do të ndihmojë drejtpërdrejt kompanitë për të hapur mundësi dhe vende të tjera pune. Kosova duhet të marrë këto praktika dhe të gjejë donatorët e ndryshëm për të zbutur në këtë formë papunësinë në Kosovë”, ka thënë ai, siç transmeton Kosovapress.

Ndryshe, gjatë qëndrimit disaditor në Kroaci, AKB dje ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Odën Ekonomike të Kroacisë, e cila ka të bëjë me thellimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike si dhe largimin e barrierave në mes Kosovës dhe Kroacisë. Drejtues të AKB-së gjatë qëndrimit në Kroaci janë takuar edhe me ish- presidentin kroat Stipe Mesiç, i cili ka premtuar se do të angazhohet për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe integrimin e Kosovës në BE.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›