E Diel, 1 Nëntor 2026

E shoqja e të dënuarit përjetë: Nga dhuna në polici dështova fëmijën

 

Nga i dërguari ynë në Kuçovë, Ferdinand Dervishi

Klarita, bashkëshortja e Luan Marës, të sapodënuarit me burg përjetë, mban në duar një vajzë topolake njëvjeçare. Quhet Imelda, ka lindur gjatë kohës që i ati, Luani, ishte në burg dhe po rritet sërish pa të  pranë. Eshtë bionde, krejt e qetë dhe e mbarë. Aq e qetë sa ndonjëherë duket sikur Zoti e ka këshilluar që qysh tani ta marrë shtruar, ta marrë me qetësi jetën e vet, të mos harxhojë nerva kot.
Pasi rrethanat e kanë dënuar të përballojë një udhëtim më të vështirë se fëmijët e tjerë të së njëjtës moshë. Po kaq e qetë duket edhe e ëma, Klarita. Edhe pse jeta e ka përplasur fort që në moshën 18-vjeçare, pasi u njoh me Luanin. Rriste një tjetër fëmijë të tijin në bark në momentin që policia e merr me vete dhe e dhunon. Dy ditë më pas ajo sheh që ka hemorragji, kurohet pa sukses dhe detyrohet të abortojë. Fatkeqësisht, e mbetur në hije të shoqërisë, askush nuk e ftillon se në këtë rast policia duhet të paguajë. Se hakmarrja përmes ligjit kërkohet kudo në botë. Dhe përmbush një pjesë të mirë të qetësisë së kërkuar. Por kalvari i Klaritës nuk mbaron këtu. Ajo ishte sërish shtatzënë në momentin kur Luan Marën, të shoqin e arrestojnë të akuzuar për vrasjen e trefishtë të vëllait, Shpëtimit, nuses së këtij, Flories dhe djalit dy vjeç, Artiolit. Kohë kur të afërmit e shtrëngojnë që të abortojë edhe këtë fëmijë të dytë. Por ajo këmbëngul për të kundërtën. Dhe fiton. Tashmë në duar ka një vajzë të paqme e topolake, e cila i ka mbushur gjithë jetën.
Klarita kur je njohur me Luanin?
Që në moshën 17-vjeçare. Por kemi ndenjur një vit të fejuar para se të vendosnim të martoheshim në tetor 2005. Në këtë kohë erdha te shtëpia e Luanit në Kozare dhe nisëm të jetonim bashkë. Luani sapo ishte kthyer nga Greqia.
Si e mësuat masakrën në familjen e vëllait të Luanit?
Kur ka ndodhur kjo ngjarje isha në të parë. Pra, pas martesës me Luanin, shkova për herë të parë te prindërit e mi. Erdhi e më mori im atë. Ditën e vrasjes, aty nga dreka unë u ktheva bashkë me babanë, nënën dhe nusen e xhaxhait. Fshati i prindërve të mi është rreth 3 kilometra larg, quhet Fiermimar. Kur iu afruam shtëpisë pamë shumë policë. Njëri më thotë se ke vjehrrën shumë të sëmurë. Vetëm kunata më tregoi të vërtetën për vrasjet. E pyeta menjëherë për Luanin dhe ajo më tregoi se e kishte marrë policia.
Po juve kur ju kanë marrë në polici për herë të parë?
Ka qenë data 27 shkurt 2006. Rreth 2 javë e ca pas ngjarjes. Na morën të gjithë si familje, edhe dy pleqtë. E shihja për herë të parë derën e policisë së Kuçovës. Fillimisht isha në një dhomë me kunatën dhe nusen e Ilirit, vëllait tjetër të Luanit. Na morën në pyetje një e nga një. Kur erdhi radha ime ishte një polic që quhej Guri, që merrte dëshminë me shkrim. Ai më pyeti se ku kisha qenë ditën e ngjarjes dhe hollësi të tjera. Kisha shumë frikë, por gjithçka shkoi mirë derisa në derë u duk një police, femër, me flokë biondë. Quhej Bora më duket. Ishte momenti kur sapo firmosa dëshminë time kur policja më drejtohet: “Trego se kush e ka bërë, se atë, më drejtoi gishtin në bark, brenda në qeli ke për ta lindur”! Këtu u tmerrova. Di se i jam përgjigjur përmes një topitjeje: Po unë nuk di gjë.
Sa orë të mbajtën të shoqëruar në polici? Ç’ndodhi më pas?
Atë ditë më kanë mbajtur nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 05:00 pasdite. Pasi ajo policja më kërcënoi, jam ndier shumë keq. Nëpër korridoret e policisë dëgjoja se si Luanin, por edhe Ilirin, policia i akuzonte se ishin kriminelë, se ishin ata autorë të vrasjes së vëllait të tyre. Këto ishin shumë të rënda edhe për mua. Vetëm kur mbërrita në shtëpi gjeta prehje. Por pas dy ditësh vura re se kisha hemorragji. Fillimisht shkova të vizitohesha në Kuçovë. Mjeku më dha disa ilaçe, por gjendja ime nuk u përmirësua. Po me rekomandimin e mjekut më 2 mars 2006 u shtrova në spitalin e Beratit, në maternitet. Aty mjekët vendosën që unë të abortoja. Foshnja që më hoqën ishte tri muajsh.
Si e priti Luani abortin? A u dëmtuan lidhjet tuaja më pas?
Jo, aspak. Me Luanin jam lidhur edhe më tepër. Ai është njeri paqësor dhe shumë punëtor. Luani vazhdoi punën edhe nja gjashtë muaj të tjerë. E merrnin në polici, por e linin të lirë sërish. Ndërkohë unë mbeta sërish shtatzënë. Luani u gëzua, por jo për shumë kohë sepse atë e arrestuan më 30 tetor 2006.
Si e mësuat arrestimin?
Shiko, një ditë para se ta arrestonin mua më mori policia dhe më çoi në komisariat te Luani. Kishte katër ditë që Luani ishte në qeli. Duhet të ketë qenë data 29 tetor 2006, kur në orën 12:00 të natës dy policë erdhën dhe më morën. Më thanë se më kërkonte Luani. Edhe sot e kësaj dite nuk e kuptoj përse më kërkoi. Sepse një ditë më pas ai do të arrestohej. Mbase donte të më shikonte për herë të fundit, mbase donte të më linte një amanet, mbase donte të thoshte se unë do isha përjetë gruaja e tij, sepse ai i kishte duart e pastra.
Pra, ju e takuat Luanin në qeli një ditë para se ai të pranonte se ishte autori i vrasjeve. Mund të na thoni se në ç’gjendje ishte?
Luanin e sollën në dhomën ku më futën mua. I kishte duart të fryra dyfish. Tërhiqte këmbët zvarrë dhe më bëri përshtypje që këpucët i kishte të palidhura. Më pas kam mësuar se e qëllonin në shputat e këmbëve dhe se edhe mjeku e kishte vënë re një gjë të tillë. Një moment i thashë: O Lani, për çfarë të mbajnë kaq shumë? “Më kanë akuzuar për të gjitha”, më thotë. “Më kanë thënë se do më çojnë nesër në shtëpi”. Dukej shumë i lodhur kur fliste. Mezi i shqiptonte fjalët, sikur nuk kishte më frymë. Kam ndenjur gjithsej pesë minuta me të. Në këmbë qëndruan gjatë gjithë kohës dy policë. Të nesërmen nga televizori mësova se Luani kishte pranuar se ishte ai autori i vrasjeve. Nuk e kam besuar kurrë.
Ç’ndodhi pasi Luanin e arrestuan?
Më kanë vrarë shumë llafet e njerëzve. Nuk mbaroheshin kurrë. Nuk e dinë të vërtetën dhe përsërisin ato që thonë gazetat apo televizionet. Por problemi më i madh ishte me të afërmit e mi. Ata më bënin presion që ta abortoja edhe fëmijën e dytë. Madje, një ditë u mblodhën për të vendosur për fatin e Imeldës. Të jetonte apo jo. Tregon vajzën që luan ndërkohë pa nxjerrë asnjë lloj zëri me topthin e një kapuçi. Të gjithë ishin kundër meje. Donin që unë ta abortoja, të ndahesha nga Luani dhe të shikoja jetën time. Por unë këmbëngula me sa fuqi që pata. Më ndihmoi një xhaxhai im, të cilit i jam mirënjohës. Ai më doli në krah dhe u mbushi mendjen të tjerëve se kisha të drejtë. Ky ishte gjyqi i fituar i jetës së Imeldës. Mbushet me lot.
E ke takuar Luanin pas arrestimit?
Po, më është krijuar mundësia. Kam ndenjur edhe gjatë me të. Kur isha shtatzënë me thoshte: “Bëj analizat, merru më shëndetin, dua që vajza të lindë e shëndetshme. Mos bëj gabim ta abortosh”! Unë i kërkoja garanci: Më premto se do të dalësh dhe do të bashkohemi. “Do bashkohemi, do bashkohemi, unë po i pata duart e pastra le të më mbajnë brenda. Një ditë e drejta del”, më tha më një frymë. Njëherë, kur ishte në qelitë e Beratit, i çova vajzën gjashtëmuajshe. “Hë, kujt i ngjan”, më thotë. Të ngjan ty, i përgjigjem. “Jo, nuk më ngjan, vetëm nga veshët”, më thotë. Ishte një moment i bukur. Nga më të bukurit e jetës sime. Kur vajza ishte gjashtëmuajshe ia çova në Rrogozhinë. Luani e mori në krahë, por vajza m’u tremb e qau.  

etapat

Ngjarja
Më 9 shkurt 2006 në Kozare të Kuçovës u ekzekutua një familje e tërë. Plumbat vranë në shtëpinë e tij Shpëtim Marën, të shoqen Florie, si dhe djalin 2-vjeçar, Artiolin.

Shoqërimi
Më 27 shkurt 2006 policia e Kuçovës shoqëron Klaritën, të shoqen e Luan Marës, që ishte shtatzënë. Nga një police ajo kërcënohet se do ta lindë në qeli fëmijën e saj.

Aborti
Më 2 mars 2006 në maternitetin e Beratit, Klarita sipas këshillës së mjekëve, aborton fëmijën 3-muajsh. Kishte pasur hemorragji që pas shoqërimit në policinë e Kuçovës.

Luani
Më 26 tetor 2006 policia e Kuçovës shoqëron Luan Marën dhe duke e mbajtur të gozhduar pas një karrigeje, e torturon për pesë ditë e pesë net pa ndërprerje.

Iliri
Më 28 tetor 2006 policia e Kuçovës shoqëron Ilir Marën, vëllanë e Luanit. Mbahet i gozhduar pas një karrigeje për tri ditë e tri net. I kërkohet të pranojë krimin.

Pohimi
Më 30 tetor 2006 Luan Mara i pranon policisë se është ai autori i krimit. Firmos përfund një dokumenti. Një avokat kryesisht, që nuk mori pjesë, firmos gjithashtu.

Dënimi
Më 23 maj 2008 Gjykata e Beratit e gjen fajtor për vrasje Luan Marën dhe e dënon me burg përjetë. Dënimi u dha vetëm dy orë pasi avokati lexoi mbrojtjen.

Dënimet e padrejta, rekordi në Tiranë në vitet 1997-1998

Luan Mara, i sapodënuari me burg përjetë pa asnjë provë të vetme, është vetëm i fundmi i një liste të gjatë gafash të drejtësisë shqiptare. E para i përket kohës së diktaturës dhe është pasqyruar edhe në tekstin e Kriminalistikës. Në një zonë të Tepelenës policia e kohës akuzoi vëllanë për vrasjen e motrës, që ishte zhdukur. Prej dhunës ky pranon, madje e çon policinë edhe për t’i treguar vendin e varrosjes. Gjenden disa eshtra dhe i akuzuari dënohet. Por pak ditë më pas motra e tij gjendet në Elbasan dhe më tej doli se ai, nga dhuna e kishte çuar policinë te vendi ku kishte groposur dikur qenin. Porse rekordi i dënimeve të padrejta është shënuar në vitet 1997-1998 në Tiranë. Në zonën e komisariatit 4 grabitet një turist anglez. Kapet një i dyshuar që shumë shpejt pranon se ishte ai autori. Arrestohet. Pak kohë më pas kapet edhe një i dytë që pranon të njëjtin krim. Edhe ky arrestohet. Por nuk kalon shumë dhe për të njëjtën ngjarje kapet edhe një i tretë. Dhe qëlloi që ky të ishte i treti i vërteti, pasi u përputhën gjurmët e gishtave. Në këtë kohë policia kujtohet se pohimet e dy të parëve i kishte marrë me dajak, pasi anglezi kishte pohuar se grabitësi ishte një i vetëm. Por edhe drejtësia moderne vazhdon në të njëjtën udhë. Më 2004 Krimet e Rënda dënuan për grabitje në afërsi të Kamzës G. Arifin, me 15 vjet heqje lirie në të tria shkallët e gjykimit. Por në burg Arifi zbulon autorin e vërtetë, që arrestohet. Arifi bëri 5 vite burg të padrejtë dhe i mori dëmshpërblim shtetit. Po kështu në vitin 2004 është dënuar me 22 vjet burg për përdhunimin e së bijës F. Islami. Por pas dënimit ekspertiza rezultoi e rremë. Gjithçka kishte qenë montim i gruas së tij, të cilën e rrihte. Ky është ende në burg.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›