Rrëshen-Kalimash, zbardhet raporti i plotë i KLSH-së
Fabiola Çela
Zbardhet raporti përfundimtar i Kontrollit të Shtetit për segmentin Rrëshen-Kalimash. Pothuajse të gjithë etapat e ndërtimit të segmentit më të kushtueshëm, kanë shkelur ligjet shqiptare. Ish-drejtoresha e Rrugëve dhe ish-ministri Basha, duket se kanë vënë nën diktatin e tyre të gjithë qeverinë shqiptare. Vendimet e Këshillit të Ministrave të miratuara me një nxitim 24 orësh, hedhin hije të forta dyshimi për shpenzimin e parave publike. Kontrolli i Shtetit, pothuajse në të gjitha fazat, që nga projektimi, kontrolli e deri te zbatimi i kontratës, ka gjetur shumë shkelje që i kushtojnë shqiptarëve një mal me para. Edhe pse firma konsulente, në relacionin e saj shpjegon se qeveria shqiptare ishte shumë e prirur për përfundimin e shpejtë të rrugës, shkeljet e zbuluara do ta zbehin rëndësinë dhe madhështinë e rrugës. Në rastin më të mirë, të një qeverie që do të ndërtojë shpejt rrugën, kemi të bëjmë me paaftësi në zbatimin e ligjeve të veta, në rastin më të keq, ndoshta është korrupsioni më i madh i zbuluar ndonjëherë në një vepër publike. Sidoqoftë, KLSH-ja ka renditur në relacion të kontrollit të gjithë defektet ligjore që kanë ndjekur ndërtimin e rrugës që nga fillimi i saj. Gazeta boton të gjitha etapat dhe shkeljet e gjetura në raport.
Studimi dhe projektimi
Vendimi i parë i qeverisë për rrugën Durrës-Kukës mban datën 15.03.2006. “Për lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të përdorë procedurën e prokurimit të Bankës Botërore”. Më datë 28.03.2006 Drejtoria e Rrugëve i ka kërkuar ministrit të Transportit autorizimin për kryerjen e prokurimit me vlerë të plotë, të ndarë sipas loteve: Loti 1: me vlerë të plotë 196.800 mijë lekë. Loti 2: me vlerë të plotë 196.800 mijë lekë. Loti 3: me vlerë të plotë 123.000 mijë lekë. Bëhet fjalë për segmentin që ndërtohet nga “Bektel-Enka” dhe deri këtu duket se gjërat po shkojnë mirë. Por pas kualifikimit të 6 konkurrentëve për studimin e tre loteve, drejtoresha e Rrugëve bën një ndryshim të çuditshëm për fondet e studimeve. Më 30.06.2006 drejtoresha i ka kërkuar ministrit të Transporteve rishikimin e vlerës së projektimeve: Loti 1: me vlerë të plotë, nga 196 800 mijë lekë të behet 221.000 mijë lekë. Loti 2: me vlerë të plotë, nga 196.800 mijë lekë të bëhet 221.000 mijë lekë. Loti 3: me vlerë të plotë, nga 123.000 mijë lekë të bëhet 172.000 mijë lekë. Në relacionin shpjegues të kësaj shkrese thuhet: “Për të pasur një segment rrugor bazuar në standarde evropiane të ndërtimit të rrugëve dhe një segment qe të plotësojë sa më mirë nevojat për një të ardhme shumëvjeçare, MPPTT dhe DPRR vendosën ndërtimin e rrugëve me dy gjurmë (dy korsi) në secilën kah, me ndarës në mes. Si rrjedhim, parashikohet të ndërtohen tunele paralele me nga dy gjurmë secila, zgjerimi i viadukteve dhe i të gjithë segmentit rrugor. Fondi i parashikuar për projektin e tre loteve të këtij segmenti rrugor ka pësuar një rritje si shkak i rritjes së fondit për studimin gjeo-teknik në të gjithë seksionin rrugor”. Dhe ministri i bindet logjikës së drejtoreshës dhe më datë 05.07.2006 miraton shtesën e vlerës. Sipas KLSH-së, “Për këtë ndryshim të parametrave të projektimit dhe ndërtimit të rrugës nuk është marrë miratim në Këshillin Kombëtar të Rrugëve, në Këshillin Teknik të DPRR-se, në atë të Ministrave apo të jetë marrë miratim nga Ministria e Financave, pasi për ndërtimin e rrugës nga dy vija në katër vija kalimi kërkohen fonde shtese, për të cilat Ministria e Financave duhet t’i parashikojë në buxhetet e viteve në vazhdim.” Por, kjo është vetëm etapa e parë. Qeveria, edhe pse nuk janë miratuar konsulentët për kryerjen e projektit për të tre segmentet dhe përgatitjen e dokumenteve të tenderit për kontratën e punimeve, ka filluar të veprojë për gjetjen e firmës që do të ndërtojë rrugën. Sipas KLSH-së, “Si pasojë e ndryshimit të parametrave të rrugës, paralel me procedurat e tenderit të projektimit pa u shpallur konsulenti fitues dhe pa u lidhur kontrata me konsulentin për hartimin e projektit të zbatimit dhe përgatitjen e dokumenteve të tenderit të zbatimit, DPRR dhe MPPTT kanë mundësuar nxjerrjen e disa vendimeve të Këshillit të Ministrave që kanë të bëjnë me përgatitjen e dokumenteve të tenderit dhe me realizimin e kontratës së ndërtimit.
Firma konsulente
Më datë 06.07.2006, ministri i PPTT-së i dërgon për mendim Ministrisë se Drejtësisë, Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik, projektvendimin “Për lejimin e Drejtorisë së Rrugëve të përdorë procedurën “prokurim i drejtpërdrejtë” me konsurciumin për shërbim konsulence për përgatitjen e termave të prokurimit, konkurrimit ndërkombëtar, vlerësimit, përzgjedhjen dhe negocimin e kontratës për ndërtimin e seksionit qendror të autostradës Durrës–Kukës-Morinë. Firmës që do të përcaktonte kushtet e kontratës dhe do të zgjidhte fituesin e ndërtuesit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Kthimi i përgjigjes kërkohet brenda datës 07.07.2006. Pra, vetëm për një ditë. Një ditë më vonë, Agjencia e Prokurimit Publik i kthen përgjigje ministrit, se në materialin e tij mungon relacioni i hollësishëm i përllogaritjes se fondit limit, arsyet e përzgjedhjes se këtij konsorciumi dhe dokumentacioni ligjor i tij. Pas plotësimit të këtyre kushteve, Agjencia do të mund të jepte një përgjigje. Por shkresa e ministrit ishte vetëm një qokë. Edhe pse pa përgjigje nga financat dhe Agjencia e Prokurimit Publik, ministria e dërgon në qeveria projektin e tij. Kjo e fundit e miraton atë me vendim qarkullues, pra pa mbledhje qeverie, por me firmat e ministrave me postë. Tri ditë më vonë qeveria e miraton këtë vendim dhe lejon Drejtorinë e Rrugëve të përdorë procedurën “prokurim i drejtpërdrejtë”. Në bazë të këtij vendimi për kryerjen e këtyre shërbimeve është zgjedhur konsorciumi me fond limit 180 000 USD, të financuar nga buxhetit i shtetit. Sipas KLSH-së, “del qartë se vendimi, datë 10.7.2006 është miratuar dhe ka hyrë në fuqi pa marrë në konsideratë vërejtjet e bëra nga APP-ja dhe Ministria e Financave.” Por nuk mbaron këtu. Më datë 18 drejtoresha e Rrugëve dërgon në Ministrinë e Transporteve për miratim raportin përmbledhës të procedurës së prokurimit. Pa pritur përgjigjen e ministrisë me shkresën vetëm një ditë më vonë, më datë 19.7.2006, drejtoresha i dërgon njoftim fituesit se oferta e paraqitur në datën 17.7.2007 është pranuar. Ndërkohë, vetë ministria më datë 20.07.2007, miraton procedurën e prokurimit dhe lejon të vazhdohet procedura e shpalljes së fituesit dhe lidhjes së kontratës me konsulentin. Në të njëjtën datë, pra më 20.7.2006 është lidhur kontrata midis DPRR-së dhe konsorciumin, me fond limit 180 mijë USD. Afati i përfundimit të kontratës është deri në datën 30 shtator 2006.
Tenderi
Nga periudha e daljes së vendimit të qeverisë, datë 10.7.2006, paralel me procedurën e ndjekur për nënshkrimin e kontratës datë 20.07.2006 me konsulentin, ministria ka mundësuar fillimin e procedurave për tenderin e ndërtimit. E thënë më thjeshtë, pa u zgjedhur konsulenti që do të vlerësonte firmat në tender, është hapur tenderi. Më datë 14.7.2006, ministri i Transporteve i dërgon për mendim në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Ekonomisë dhe në Agjencinë e Prokurimit Publik projektvendimin “Për lejimin e DPRR-së të përdorë procedurën e prokurimit “tender i hapur ndërkombëtar”, për ndërtimin me ritëm të përshpejtuar të segmentit rrugor Rrëshen–Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë”. Në po të njëjtën ditë, pra pritur përgjigjen e ministrive të linjës, ministri e dërgon projektin e tij për miratim në qeveri. Dhe qeveria, në po të njëjtën ditë ka nxjerrë vendimit “Për lejimin e DPRR-së të përdorë procedurën e prokurimit “tender i hapur ndërkombëtar”, për ndërtimin me ritme të përshpejtuara të segmentit rrugor Rrëshen–Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë”. Këtu KLSH-ja ka vërejtur një çudi të madhe. Në raportin e saj shkruhet se, “duhet theksuar se VKM-ja ka datën 14.06.2006, ndërsa në faqen e fundit të vendimit është regjistruar numri i protokollit 2226/1, datë 14.07.2006). Por duket se qeveria e ka miratuar që një muaj më parë vendimin dhe ka shtuar në faqen e saj të fundit, një datë të një muaji më vonë. Pra, gjithçka ka qenë e parapërgatitur.
Në gusht të atij viti fillon tenderi. Pas ofertave, u zgjodh fituese “Bektel-Enka”. Kontrata, pas negocimeve u lidh më 06.10.2006, me afat përfundimi të rrugës muaji qershor, viti 2009. Kontrata për ndërtimin e tre segmenteve (seksioneve), duke përfshire edhe tunelin, është lidhur në bazë të çmimeve për njësi të ofruara nga shoqëria, me vlerë të përgjithshme 418 milionë euro. Kjo ka qenë edhe vlera fillestare e kësaj rruge.
Përplasja me Boden
Pas shpalljes së fituesit, kontrata duhet të kalonte në qeveri. Dhe për këtë ministri Basha duhet të njoftonte edhe ministritë e linjës. Por përgjigjet e ministrit të Drejtësisë dhe Financave ishin negative. Një çudi kjo po të kihet parasysh se të dy ministrat e kanë firmosur vendimin e qeverisë për lidhjen e kontratës. Më datë 26.09.2006, ministri i Drejtësisë i kthen përgjigje shkresës së Bashës, se parimisht shprehemi dakord, por ju paraqesim disa mendime të ministrisë, ku ndër të tjera thuhet se: “…Në relacionin shpjegues të projektvendimit nuk jepet informacion i plotë lidhur me gjithë hapat e ndjekura për realizimin e një procedure tenderimi të hapur ndërkombëtar”. “Në përputhje me nenin 7/2, të ligjit nr. 7971, datë 26.07.1995 “Për prokurimin publik”, negocimi dhe nënshkrimi i kontratës paraprihet nga miratimi i një raporti përmbledhës prej Këshillit të Ministrave i procedurës së prokurimit, ku pjesë përbërëse e tij është vendimi i marrë për ofertën ose propozimin fitues. Në kushtet kur as në relacionin shpjegues nuk informohemi lidhur me përmbushjen e këtij detyrimi ligjor, si dhe për efekt kohe, sugjerojmë që; për aspektet e tjera teknike të merret mendim i specializuar i Agjencisë së Prokurimit Publik”. Po në të njëjtën ditë, ministri i Financave i kthen përgjigje Bashës se: Në përgjigje të shkresës suaj, ju sqarojmë: “Mbështetur në ligjin nr. 9000, datë 30.01.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të argumentohet baza ligjore e projektit. Si e tillë, duhet të shërbejë referenca në ligjin i cili ngarkon Këshillin e Ministrave për miratimin e kësaj projektkontrate”. “Pasi të saktësohet baza ligjore nga ana financiare sugjerojmë se mbështetur në udhëzimin nr. 2/2, datë 23.8.2006 “Për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2006, në të cilin është përcaktuar që: “vlera e paradhënies duhet të jetë jo më shumë sesa vlera e garancisë së kontratës”, të rishikohet shuma e pagesës paraprake e cila përbën 9,5% të kostos së planifikuar të shpenzimit për këtë segment dhe shuma e garancisë që përbën 7% të kostos së vlerësuar për ndërtim”.
Por, pa pritur përgjigjet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave, ministri Basha një ditë më parë, pra më datë 25.09.2006, dërgon në qeveri për miratim projektvendimin “Për miratimin e projektkontratës, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë së përbashkët amerikano-turke, për ndërtimin me ritëm të përshpejtuar të segmentit rrugor Rrëshen–Kalimash, të autostradës Durrës-Kukës-Morinë”. Qeveria duket pak më e kujdesshme sepse e kalon projektin e Bashës dy ditë më vonë, pra një ditë pasi kishin kthyer përgjigje ministritë e linjës. Sipas KLSH-së, “kontrata e zbatimit të rrugës Rrëshen–Kalimash e miratuar është lidhur në përshtatje të përafërt me kushtet e modelit ndërkombëtar FIDIC. Çmimet për njësi janë marrë si referencë të kontratave të ngjashme të zbatuara nga shoqëria amerikano-turke në Rumani. Volumet e punës janë përcaktuar pa projekt zbatimi, por janë bazuar në gjurmën paraprake të rrugës (të përafërta). Sipërmarrja do të kryhet sipas legjislacionit shqiptar, por përsa i takon interpretimit të saj “Ligji i kontratës” është ligji anglez.”
Raporti i konsulentit
Sidoqoftë, konkluzion më të qartë në nxitimin dhe veprimet e gabuara për ndërtimin e rrugës, e jep vetë konsulenti, i cili përzgjodhi firmën fituese. Në raportin final të konsulentit, në parathënien e tij theksohet se, “...qëllimi i strategjisë së tenderimit ishte për të pasur një kontratë brenda në më pak se 3 muaj, një sfidë e bërë në mungesë të një plani ose në mungesë të çdo lloj specifikimesh. Qeveria e Shqipërisë kishte marrë tashmë një propozim të dhënë nga “Bechtel–Enka Joint Venture”, që përfshinte propozimin për trajtim të shpejtë të ndjekjeve të punimeve. Kjo e bëri qeverinë shqiptare të ndërgjegjshme se, trajtimi i shpejtë i ndjekjeve ishte i mundshëm. Megjithatë qeveria nuk dëshironte të kërkonte një burim të vetëm për këtë lloj projekti...”. Pra, duket se qeveria e kishte vendosur fituesin. Ajo kishte kontakte me “Bektel-Enka” dhe e dinte se vetëm kjo firmë mund të kryente punime të tilla me këtë shpejtësi, por për imazh qeveria dhe Basha zgjodhën një rrugë tenderimi, edhe pse në fund çuditërisht ishte po e njëjta firmë që fitoi. Por, KLSH-ja në raportin e saj nuk pranon të ketë fakte për kontakte të mëparshme të qeverisë me firmën amerikano-turke. “Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion të kontrollit nuk vërtetohet kontaktimi më parë i kompanisë me qeverinë shqiptare.”, thekson KLSH.
Konkluzionet e KLSH
“Metodologjia e vlerësimit dhe klasifikimit të kandidatëve nga një komision vlerësimi i pavarur ndërkombëtar, bazuar në udhëzimet e Shoqërive të Punëve Publike Amerikane dhe lidhja e kontratës së ndërtimit në përshtatje të përafërt me kushtet e modelit ndërkombëtar FIDIC, me çmime njësi pa projekt zbatimi, me volume të përafërta, nuk është parashikuar në ligjin “Për prokurimin publik”, si metodologji dhe procedurë e aplikueshme për prokurimin publik në Republikën e Shqipërisë. Kjo mënyrë procedimi gjithashtu krijon konflikt me ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, pasi ky ligj nuk lejon zbatimin e punimeve të ndërtimit pa projekt zbatimi, si dhe në konflikt me vetë kushtet e kontratës FIDIC, pasi këto lloje kontratash nuk mund të zbatohen në kushtet e mungesës së projektit të zbatimit dhe të volumeve të punës. Duhet theksuar se, kontratat e modelit FIDIC deri tani janë përdorur në Shqipëri për ato raste kur qeveria shqiptare është huamarrëse ndaj institucioneve ndërkombëtare, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të miratuara me ligj të posaçëm nga Kuvendi. Realizimi i kontratës së ndërtimit për këtë rrugë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë fushën e prokurimit publik dhe të punimeve të ndërtimit ka bërë që, disa kushte të kësaj kontrate të mos merren parasysh e të mos respektojnë bazën ligjore e nënligjore që rregullon fushën e ndërtimit dhe atë të sistemit fiskal në Shqipëri, pasi: Disa çmime për njësi të përcaktuara në kontratë janë më të larta se çmimet e tregut shqiptar, si dhe janë vendosur në kontratë disa çmime për njësi, jashtë strukturës së legjislacionit shqiptar që aplikohet për kontratat e ndërtimit. Disa volume pune në kontratë janë përcaktuar apriori e disa prej tyre të fryra, si pasojë e mungesës së projektit të zbatimit. Edhe pse kryen veprimtari fitimprurëse, kontraktori është përjashtuar pa ligj nga detyrimet fiskale në këtë kontratë.”
Rritja e çmimit
Kontrata historike e 15 shtatorit 2006, mes Drejtorisë së Rrugëve dhe firmës amerikano-turke, është lidhur me vlerë 418.333.985 euro. Afati i përfundimtar i përfundimit të punimeve është qershori i vitit 2009. Por ky çmim e ka humbur vlerën e tij më datë 3.4.2007, kur kontraktori i drejtohet Drejtorisë së Rrugëve me një shkresë ku argumenton ndryshimin e shtojcës 10 të kontratës “Vlera e synuar (Target Pice”) dhe i paraqet preventivin me volumet e ndryshuara së bashku me çmimet njësi sipas kontratës. Në këtë preventiv, kontraktori ka kërkuar shtesë të vlerës së kontratës në shumën 141 973 633 euro mbi vlerën fillestare të kontratës, pra kontrata nga 418 milionë euro kërkohet të rritet në vlerën 560.307.618 euro, pa përfshirë tvsh-së. Por kjo shifër duket se e ka vënë në siklet Boden. Ministri i Financave i kërkon konfirmim Ministrisë së Transporteve për vlerën e rritur të rrugës. Duket sikur Bode nuk do ta besojë këtë shifër. Por përgjigjja e Rrugëve është akoma më cinike. Ndër të tjera e drejtoria e informon Boden se, “...vlera prej 560 milionë euro që ju i referoheni, është një përllogaritje paraprake në bazë të të dhënave jopërfundimtare. Vlera përfundimtare do të jepet në momentin e përfundimit të projektit dhe preventivit me volumet e punës...”. Pas kësaj, Ministria e Financave i drejtohet me një letër Transporteve, si dhe për dijeni kryeministrit se: “Jemi vënë në dijeni se, pas llogaritjes paraprake mbi bazën e të dhënave nga projektuesi, kostoja e ndërtimit të rrugës Rrëshen–Kalimash është rritur në 560 milionë euro, nga 418 milionë të parashikuar në kontratë, ose 34% më e lartë. .....Kërkojmë në mënyrë urgjente të bëhet argumentimi financiar i kësaj shtese dhe të gjitha ndryshimet të paraqiten dhe të miratohen në Këshillin e Ministrave”. Bode merr përgjigje nga drejtori i Rrugëve: “Duhet vlerësuar fakti qe përllogaritja fillestare 418 milionë euro nuk ka qenë e bazuar në ndonjë projekt të detajuar të rrugës Rrëshen-Kalimash. Kjo shifër është nxjerrë përpara fillimit të projektit bazuar në çmimet për njësi dhe volumet e përllogaritura në bazë të eksperiencës në punimet e ndërtimit në vendet e tjera. Me zhvillimin e projektit të detajuar, kushtet e terrenit janë gjetur më të vështira, duke kërkuar sasi më të mëdha gërmimesh si dhe më tepër ura dhe struktura mbajtëse nga sa ishin marrë parasysh. Shkëmbi në 6 km është gjetur gjithashtu të jetë shumë i frakturuar (i fortë) dhe do të kërkojë më shumë masa përforcuese. Projekti i detajuar nuk është përfunduar akoma dhe përllogaritja e kostos 560 milionë euro është bazuar në faza të ndërmjetme projektimi. Me finalizimin e projektit të detajuar do të përcaktohet një çmim përfundimtar për ndërtimin e rrugës. Deri në mbërritjen e këtij stadi mendojmë se, është e parakohshme paraqitja dhe miratimi në Këshillin e Ministrave, i vlerësimit të kostos së ndërtimit”. Kjo korrespondencë zyrtare tregon qartë se as Financat, as Rrugët dhe as Kryeministria nuk kanë një ide të përafërt se sa lekë do të shpenzojë rruga. Duhet theksuar se, sipas KLSH-së, deri tani nuk është realizuar as 10 për qind e punimeve, bëhet fjalë për kontrollin e 6 muajve më parë.
Qeveria, 1.1 miliardë lekë dëme dhe abuzime për tre muaj
Shkeljet e kryera nga punonjësit e administratës shtetërore nuk kanë të mbaruar.
Fabiola Çela
Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë përfunduar kontrollin e tyre në institucionet shtetërore, ku kanë evidentuar një sërë shkeljesh. Fatura financiare e këtij dëmi arrin vlerën e mbi 1.1 miliardë lekëve. Sipas raportit më të fundit të KLSH-së, tatimet, doganat si dhe prokurimet publike mbeten “gropat e zeza” që i shkaktojnë buxhetit të shtetit miliona lekë dëme.
Shkeljet
“Nga kontrollet e ushtruar gjatë kësaj periudhe janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 1.1 miliardë lekë”, thuhet në raportin e KLSH-së.
Ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2005-2007. Në fushën e prokurimeve publike, si pasojë e shkeljes së ligjit nga punonjësit, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm financiar prej 458 milionë lekësh. Por një dëm i konsiderueshëm i është shkaktuar buxhetit të shtetit edhe nga administrata doganore. Fatura financiare e shkaktuar nga abuzimet e punonjësve të doganave arrin në 412 milionë lekë. Peshën më të madhe të këtij dëmi e mban dogana e Tiranës me 349 milionë lekë si detyrime doganore të papaguara. Por përveç kësaj abuzime ka pasur edhe në fushën e urbanistikës, dëm i cili arrin në 139 milionë lekë. Konkretisht në komunën Dajt, vlera e dëmit arrin në 136 milionë lekë. Ky dëm është shkaktuar si pasojë e mospagesës së taksës së infrastrukturës në masën 1% të vlerës së investimit. Në bashkinë e Divjakës e Lushnjës, dëmi financiar arrin në 1.6 milionë lekë si rrjedhojë e mospagesës së taksës për leje ndërtimi, në kundërshtim me ligjin “Për Urbanistikën”. Por për sa i përket abuzimeve dhe mosrespektimit të ligjit, nuk mbeten prapa as dega e tatim-taksave. Sipas raportit të KLSH-së, dëmi i shkaktuar nga tatimet arrin në 80 milionë lekë. Ekspertët e KLSH-së kanë konstatuar se abuzime janë kryer edhe me dhënien e shpërblimeve në mënyrë të padrejtë. Vetëm në Spitalin Ushtarak Qendror, Tiranë, janë dhënë 2.8 milionë lekë shpërblime në mënyrë të padrejtë për fundvitin.
Platforma
1 110 175 000 lekë dëmi financiar
458 411 000 lekë në fushën e prokurimeve publike
412 277 000 lekë në sistemin doganor
139 302 000 lekë në fushën e urbanistikës
136 978 000 lekë në komunën Dajt
80 314 000 lekë në tatim-taksa
8 637 000 lekë në bashkinë e Gjirokastrës
2 640 000 lekë në degën e tatim-taksave Pogradec
4 664 000 lekë në dhënien me qira të pasurisë
4 553 000 lekë në fushën e shpërblimeve
2 818 000 lekë në fushën e shpenzimeve operative
1 271 000 lekë në dhënien e pagave
1 557 000 lekë nga mungesa e materialeve
1 557 000 lekë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve
5 008 000 lekë dëme nga shkelja e disiplinës financiare