E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset, kërkohej prej një muaji për armëmbajtje pa leje



LEZHË - Një i kërkuar për “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” u arrestua pas një bashkëpunimi të forcave të Policisë së Qarkut të Lezhës dhe atyre të Durrësit. Tom Biba, 41 vjeç, i shpallur në kërkim që më 5 korrik për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, u arrestua dje në një banesë në Durrës. Policia bëri të ditur se 41-vjeçari kërkohej pasi në banesën e tij, në fshatin Gallatë të Kurbinit, u gjet dhe u sekuestrua 1 pushke model 56, 5 kaseta me fishekë automatiku, 130 fishekë pistolete tip TT, 3 krehra fishekësh automatiku me 30 copë fishekë secili, një rrotull me fitil dinamiti etj.

Ndalohet 25-vjeçari për kanosje dhe armëmbajtje pa leje

SARANDË - Një 25-vjeçar nga fshati Gjashtë (Sarandë) u ndalua nga policia, ndërkohë që dy bashkëmoshatarë të tij janë shpallur në kërkim për veprën penale “kanosje me armë” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Mariol Gllava, 25 vjeç dhe dy bashkëmoshatarët e tij, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi, u grindën mbrëmjen e së mërkurës për motive të dobëta me shtetasin Florenc Gjinika. Grindja degjeneroi deri në përdorimin e armës, ku sipas policisë lokale, mësohet se Mariol Gllava ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar dy herë në ajër. Ngjarja ndodhi në orën 21:10 të dy ditëve më parë, pranë xhamisë në fshatin Gjashtë, 2 km larg nga qytetit të Sarandës.

Rrezikohen peshkatarët, motori i varkës pësoi defekt në det

DHËRMI- Një varkë peshkimi ka rrezikuar të mbytet mbrëmjen e së mërkurës për shkak të një defekti në motor. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të dy ditëve më parë, disa milje larg plazhit të Dhërmiut, kur varka e peshkimit, pronë e Perikli Zotos, ka rrezikuar të mbytet për shkak të defektit në motor. Në ndihmë të dy peshkatarëve që ishin në varkë ka mbërritur një gomone e policisë. Por edhe mjeti i policisë nuk ka mundur t’i shpëtojë. Menjëherë më pas në ndihmë ka ardhur motovedeta, e cila ka mundur të shpëtojë mjetet e lundrimit si dhe të nxjerrë në breg peshkatarët.

Operacione anti-Cannabis pa autorë, asgjësohen 1012 rrënjë bimë narkotike

TEPELENË –Operacioni anti-Cannabis, i koduar me emrin “Era e malit” ka vazhduar edhe gjatë dy ditëve të fundit, ku vetëm në Tepelenë janë asgjësuar mbi 1000 rrënjë bimë narkotike. Forcat e komisariatit të Tepelenës dhe të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës ndërmorën një aksion mesditën e djeshme në territoret e komunës Krahës dhe Lopës të Tepelenës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se si rezultat i këtij kontrolli, u bë e mundur evidentimi i një parcele në anën e Lumit Vjosë, midis fshatit Shehaj të Komunë Krahës dhe fshatit Dorëz të komunës Lopëz. Parcela ishte e hapur rishtas për kultivim të bimëve narkotike në mes të rrapishteve dhe në këtë parcelë u evidentuan 1012 rrënjë bimë narkotike, të dyshuara si Cannabis sativa. Zëdhënësi i policisë Gentian Mullai thotë se këto bimë varionin nga 180 centimetra të larta deri në 220 centimetra. Në momentin e mbërritjes së policisë në parcelë nuk është gjetur asnjë shtetas që mund të ishte autori i mundshëm i kësaj parcele. Bimët janë asgjësuar në vend me anë të djegies. Ndërkohë, po punohet për evidentimin dhe kapjen e autorëve, ndonëse policia e qarkut jugor nuk ka vënë në pranga ende autorët, që kanë kultivuar lëndë narkotike në disa fshatra. Rasti konkret është ai i Lazaratit, ku megjithëse u njoftua se njiheshin personat që kanë pronat e kultivuara me hashash, asnjë prej 17 kultivuesve nuk është ndaluar ende.

8 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›