E Hënë, 2 Nëntor 2026

E trafikuara: "Ia fal të gjitha për hir të dashrisë"

16/12/2004  TIRANË – "Ia bëj hallall tutorit tim. Ia fal të gjitha ato që ka bërë me mua. Këtë e bëj për hir të dashurisë që kam patur. Nuk dua që ai për mua të bëjë asnjë ditë burg". Dje ka zbritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda historia e një vajze 20-vjeçare, nga rrethinat e Peshkopisë, e cila dy vjet më parë ra pre e një dashurie të madhe. Të pandehurit, që u përballën me akuzën e trafikut për prostitucion, janë Zabit Fisniku dhe Eduard Uka. Ndërsa, Uka më parë ka bërë të dashuruarin me vajzën, Zabit Fisniku ka mundur të gjejë tregun e punës dhe të mbledhë paratë. Kështu ka ndodhur me Rajmonda Mandrin nga Peshkopia. Ishte në vit të katërt të shkollës së mesme, kur "bie" në dashuri me Eduard Ukën, që më pas u bë tutor i saj në largësi. Fillimisht, siç bëjnë të gjithë djemtë, Eduardi shkon në shtëpinë e vajzës dhe e kërkon për nuse. Por familja kundërshtoi, duke mos i dhënë të drejtën e martesës. Dashuria e dy të rinjve përfundoi në rrugë. Për një kohë të gjatë u shoqëruan të dy. Ngjarja është treguar me hollësi në polici nga vetë vajza dhe më pas është lexuar në gjykatë nga prokurori i çështjes. Pikërisht, kur marrin vendimin për t'u larguar, fillon edhe kurthi. Eduard Uka i propozon të dashurës së vet që të largohej për në Itali me të pandehurin tjetër Zabit Fisniku, po nga Peshkopia, me pseudonimin "Zogu", të cilin e kishte prezantuar si vëlla, sepse kishin pirë gjakun e njëri–tjetrit. Vajza ka treguar me hollësi se kanë ikur për në Itali me skaf. Atje janë pritur nga disa italianë. Fillimisht është trajtuar mirë. Kanë kaluar ditët e para. Zabiti merr urdhër nga Eduardi për ta nxjerrë vajzën në rrugë. Rajmonda nuk ka pranuar. Një muaj ka rezistuar. Nga Peshkopia, Eduardi i lutej se i duheshin para për të mbyllur problemet me policinë, dhe se do t'ia falte të gjitha për hir të dashurisë, edhe punën në rrugë. "Vendosa të punoj në rrugë, pasi isha keqtrajtuar nga Zabiti. Ai më keqtrajtonte, por që nga dita që pranova të punoja në rrugë, sillej si të më kishte motër. "Për çdo ditë fitoja 800-900 euro. Të gjitha paratë ia nisja në Tiranë Eduardit me postë. Paguaja edhe paratë e qirasë dhe të dritave të shtëpisë ku qëndroja". Një muaj punë dhe durimi u sos. "Arrita të shpëtoja. Shkova në policinë italiane dhe tregova të gjithë historinë. Më mbajtën për tre muaj në një qendër rehabilitimi dhe më pas më nisën në Tiranë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›