E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbeten në burg pronarët e drogës për në Malin e Zi

16/12/2004  TIRANË – "Malli që është gjetur në makinë e për të cilin akuzohen tre klientët e mi, nuk është drogë". Ky ka qenë pretendimi i djeshëm i paraqitur nga avokati Vladimir Meçe, në seancën për revokimin e masës së arrestit para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Sipas avokatit, Prokuroria nuk mund të mbajë në burg vetëm me dyshime tre qytetarë, ndërsa pluhuri i gjetur nuk është kokainë. Këto janë pretendimet e avokatit mbrojtës, ndërsa Prokuroria është shprehur se Kastriot Pepaj dhe Altin Keka nga Bajza dhe i pandehuri Leon Dreshaj, pronar i një diskoje në qendër të Tuzit në Mal të Zi, janë fajtorë për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe në këto kushte duhet të mbeten në burg pa afat. Gjykata, pasi dëgjoi palët në proces, vendosi të lërë në burg pa afat tre të pandehurit. Më pas, avokati është shprehur se do ta apelojë këtë vendim. Të tre të pandehurit janë përfaqësuar në gjykatë nga avokati Vladimir Meçe. Megjithëse u kapën në flagrancë me 1 kile kokainë të pastër, e destinuar për të kaluar në Mal të Zi, të pandehurit nuk e kanë pranuar akuzën. Shtetasi nga Mali i Zi është shprehur se ishte mysafir te shkodranët dhe se nuk kishte dijeni për drogën. Të paditurin kanë bërë edhe dy të pandehurit e tjerë, të cilët ishin edhe pronarë të makinës. Të pandehurit, sipas akuzës, ishin duke udhëtuar me një makinë luksoze. Akuza tha dje se të pandehurit janë kapur në flagrancë me sasinë e drogës dhe se emrat e tyre kanë qenë të skeduar edhe më parë. Mendohet se shtetasi nga Tuzi i Malit të Zi, ishte person shumë i njohur në këtë zonë, pasi ishte pronar diskoje, por edhe dy shtetasit nga Bajza lëviznin shpesh për në Mal të Zi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›