E Hënë, 2 Nëntor 2026

FMN: Nuk ka para për pagat e të gjithëve

16/12/2004  Edhe një herë, pengesa më e madhe për të rritur pagat dhe pensionet në Shqipëri, është FMN-ja. Misioni i fundit në Shqipëri, ka deklaruar se rritja e pagave nuk mund të bëhet për të gjithë ata që e kërkojnë një gjë të tillë. FMN-ja ka qenë dakord me buxhetin dhe rritjen e parashikuar të fondit të pagave, por jo me rritjen e pagave për të gjithë. ”Nuk ka fond për të rritur pagat për të gjithë“, ka deklaruar shefi i Misionit Escolano, duke shpjeguar se nuk mund të plotësohen kërkesat e të gjithëve për rritje pagash, edhe pse është dëshira e mirë, por nuk ekziston mundësia financiare. Por, ndërkaq, Qeveria duhet të jetë më e kujdesshme në shqyrtimin e kërkesve për rritje pagash në sektorët që japin ndikim të drejtpërdrejtë në shërbimet publike. ”Duhet të miratohen kërkesat për rritje pagash për të mbajtur në punë profesionistët në sektorët prioritarë, që ndikojnë me punën e tyre drejtpërdrejt mbi publikun“, është shprehur Escolano. Ndërkaq, ministri i Financave ka sqaruar se, nuk është mundësia për të rritur pagat për të gjithë buxhetorët, pasi një rritje pa kufi do të thotë shkatërrim i plotë i buxhetit. “Duhet të ketë një rritje page për profesionistët e aftë dhe, kjo nuk mund të jetë njëlloj për të gjithë, por duhet të zbatohet me efikasitet në disa sektorë të caktuar”, ka deklaruar Escolano. Ndërkohë në lidhje me grevën e bluzave të bardha, Malaj ka sqaruar se nuk mund të plotësohen brenda një buxheti të gjitha kërkesat për rritje page. Në këtë mënyrë, duket se Qeveria ka arritur të fitojë edhe mbështetjen ndërkombëtare të FMN-së, për të mos ngritur pagat e mjekëve apo arsimtarëve. Fondi Monetar Ndërkombëtar është një institucion që ndihmon vendet në zhvillim. Duke korrigjuar politikat monetare dhe fiskale, FMN-ja del garant për kreditë që merr vendi. Në rast të zhvillimit ekonomiko-politik të vendit, atëherë FMN-ja nuk mund të luaj më rol dhe nuk ka asnjë funksion. Në kushte të tilla, si çdo institucion tjetër, edhe FMN-ja punon të ruaj për një kohë sa më të gjatë bashkëjetesën dhe rolin e saj dominant në financat e një vendi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›