INSTAT: Gazi dhe nafta rritën çmimet e konsumit
16/12/2004 Konsumatorët kanë shpenzuar më shumë në nëntor për të siguruar ushqimin e përditshëm dhe, për këtë duhet të bëjnë me faj rritjen e ndjeshme të gazit dhe të karburantit. Rritja e çmimit të gazit dhe të karburanteve ka patur ndikimin kryesor në rritjen e indeksit të çmimeve në muajin nëntor. Llogaritjet e INSTAT-it, tregojnë se ccmimi i gazit ka shënuar rritjen më të madhe në të gjithë grupin e mallrave, duke u rritur me 5.5 për qind, ndërkohë që karburantet kanë shënuar një rritje në masën 1.1 për qind. Duket se dy produktet e importit kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejt dhe në rritjen e çmimeve të importit dhe të grupit qira, ujë dhe lëndë djegëse, duke shtuar dhe më shumë shpenzimet për konsumatorët. “Çmimet e konsumit në muajin nëntor me 0.5 për qind në krahasim me muajin e kaluar”, ka bërë të ditur INSTAT. Ndërkaq grupi "Ushqime dhe pije jo alkoolike" shënoi një rritje prej 1.1 për qind dhe brenda këtij grupi rritjen më të madhe e shënoi nëngrupi "zarzavate përfshi patatet" prej 13.6 për qind. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të kastravecit prej 88.3 për qind, specit prej 68.8 për qind, mashurkave 37.5 për qind, domateve prej 27.4 për qind etj. Ndërsa nëngrupi "fruta" shënoi një ulje prej 4.2 për qind. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të kivit prej 23.7 për qind, portokalleve prej 11.1 për qind, mandarinave prej 11.4 për qind, limonave prej 10.8 për qind, mollëve prej 1.2 për qind etj. Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin nëntor 2004, arriti në 104.11 për qind kundrejt muajit dhjetor 2001 (dhjetor 01=100). Ndryshimi vjetor në muajin nëntor është 2.2 për qind. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 3.4 për qind. Kjo do të thotë se në nëntor inflacioni ishte 2.2 për qind. Kjo shifër është brenda kufirit të Bankës së Shqipërisë, prej 4 për qind.