E Shtunë, 31 Tetor 2026

E veçantë, rrugët e Gjirokastrës pajisen me semaforë

Një projekt i Bashkisë së Gjirokastrës që sjell për herë të parë një sinjalistikë moderne të ndriçuar në rrugët e qytetit jugor të përfshirë në listën e UNESCO-s si pasuri e trashëgimisë kulturore botërore, ka nisur të zbatohet ditët e fundit nga firma ndërtimore Cobial. Sipas këtij projekti, në disa prej kryqëzimeve më të ngarkuara me trafik të qytetit, do të vendosen për herë të parë semaforët për të disiplinuar trafikun e automjeteve që deri tani ka funksionuar në mënyrë spontane dhe kaotike. "Semaforët do të vendosen në disa kryqëzime rrugore që lidhin rrjetin e brendshëm me rrjetin kombëtar rrugor në dy hyrjet kryesore të qytetit dhe në disa kryqëzime të brendshme në lagjen 18 Shtatori që është lagja më e madhe e qytetit dhe me ngarkesën më të madhe të lëvizjes së automjeteve", është shprehur për gazetën SOT shefi i zyrës së zhvillimit turistik dhe kulturës në këtë bashki, Odise Kote. Instalimi i semaforëve të parë nga firma ndërtuese Cobial, është bërë në vendin e njohur me emrin rrethi i stadiumit që përbën edhe nyjen më të komplikuar dhe më kaotike të qarkullimit të automjeteve në këtë qytet. Projekti i vendosjes për herë të parë të semaforëve në qytet është një investim nga fondet e vetë bashkisë që kap vlerën 2 milion lekë dhe synon të disiplinojë për herë të parë trafikun në qytet. Rrjeti i sinjalistikës së ndriçuar me semaforë, do të shtrihet deri në kufijtë e zonës historike për të mos ndërhyrë me këtë sinjalistikë të kohëve moderne në pjesën historike muzeale të qytetit. Njëkohësisht, me këtë lëvizje synohet edhe mosprekja e peizazhit unikal të kësaj zone të mbrojtur nga shteti shqiptar dhe UNEESCO.   

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›