E vërteta e Sneijderit

Wesley Sneijder ka bërë të ditur se Inter ishte përgatitur për shitjen e tij në Manchester United gjatë afatit kalimtar të verës.
Arsyeja ishte e thjeshtë, për shkak të parave. Klubet ishin në negociata gjatë verës për transferimin e mesfushorit ofensiv nga gjiganti italian te kampioni i Premierligës por dështuan në arritjen e një marrëveshjeje para përmbylljes së afatit. Inter, që thuhet se vuan nga problemet financiare, shiti sulmuesin Samuel Eto’o te klubi i pasur rus Anzhi Makhachkala për rreth 21 milionë euro.
Tani, Sneijder ka shpjeguar se çka kishte ndodhur saktësisht gjatë verës që zgjoi spekulime të mëdha rreth largimit të tij nga Giuseppe Meazza. “Kurrë nuk kam menduar se do të duhej të largohesha nga Inter” tha 27 vjeçari për Gazzetta dello Sport.
“Kam shkuar për pushime dhe jam kthyer në ekip por gjatë kohës sa ishte në pushim, menaxheri im më telefonoi dhe më tha se ne duhet të bisedojmë me Interin. Më pas, Inter më njoftoi se ekziston mundësia që unë të shitem. Nuk ishte një problem teknik, mendoj se ishte çështje e parave” shtoi ish mesfushori i Real Madridit.
Por, ylli holandez është i lumtur që në fund mbeti në Inter. “Gjërat ndryshuan shumë shpejt dhe vendosa të ndryshoj edhe mënyrën e të menduarit. Kur erdha në kampin stërvitor në Pinzolo, bisedova me presidentin Moratti i cili është njeri shumë i rëndësishëm për mua me drejtorët Branca dhe Ausilia dhe ata më thanë se jam shumë i rëndësishëm për Interin. Por, e kam ditur se mes meje dhe Eto’os njëri u desh të largohej, në ditën kur Eto’o u largua, e dija se unë do të mbetem dhe isha i lumtur me këtë” u shpreh ai.
Duke folur për një temë tjetër, Sneijder kritikoi ish-trajnerin e Interit, Gian Piero Gasperini duke thënë se ai e kishte aktivizuar jashtë pozitës së tij.
“Nuk jam takuar aq me Gasperinin por ne kemi folur shumë rreth rolit tim. I kam thënë menjëherë: ‘Nuk më pëlqen të luaj në qendër të mesfushës, jam sulmues e jo mesfushor’. Ai më tha se unë gjithmonë do ta kem topin në pronësi në mesfushë që ishte e vërtetë por preferoj të luaj më përpara, më afër golit. Ranieri ka bërë mirë dhe e kupton mënyrën si duhet të luajë ekipi, të gjithë janë në pozitat e tyre dhe kjo është me rëndësi” vazhdoi ai. Sneijder erdhi në Inter nga Real Madridi më 2009 dhe fitoi tre tituj historikë më 2009/10 përfshirë Ligën e Kampionëve. Ai beson se Serie A është më sfiduese se La Liga.
“Më pëlqen liga italiane. Më pëlqen presioni këtu. Në Spanjë ju mund të fitoni pothuajse çdo ndeshje, edhe në udhëtim. Në Itali ju humbni në Novara, Catania andaj është më interesant” përfundoi ai. Inter aktualisht gjendet në pozitën e 17-të në Serie A me katër pikë nga gjashtë ndeshje dhe pret Chievon në Giuseppe Meazza të dielën.