Strazimiri: “Policia shqiptare do të forcojë bashkëpunimin me FRONTEX”
TIRANË - Policia shqiptare do të forcojë bashkëpunimin me Agjencinë Europiane për Kontrollin e Kufirit (FRONTEX). Zv/ministri i Brendshëm, Genti Strazimiri, theksoi dje në Tiranë, gjatë një takimi me një delegacion të agjencisë “FRONTEX”, se qeveria shqiptare mbështet pa rezerva bashkëpunimin e kësaj agjencie me Departamentin e Kufirit në Policinë e Shtetit. “Në Policinë e Shtetit ka pasur një reformë, e cila ka prekur edhe Departamentin e Kufirit. Synimi ynë është që ky departament të konsolidohet dhe të rrisë më tej efikasitetin”, - u shpreh z. Strazimiri, duke vënë në dukje edhe vullnetin politik që ekziston për të përmbushur detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit, pjesë e rëndësishme e së cilës është edhe Menaxhimi i Integruar i Kufijve. Kjo axhendë, tha ai, “përkon edhe me axhendën shqiptare për integrimin në BE, ku qeveria po punon me vendosmëri në luftën kundër krimit”. Këshilltari Special i Drejtorit Ekzekutiv të FRONTEX, Graham Lis, prezantoi pastaj rezultatet e vizitave të kryera në dy pikat e kalimit kufitar në nivelin lokal dhe në atë qendror, duke theksuar përparimet e dukshme që janë bërë në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar në BE. Ndërsa z. Rik Vijermans, nga Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë i FRONTEX, vlerësoi si të rëndësishme ndryshimet që janë bërë në ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe theksoi se draft-dokumenti i paraqitur nga FRONTEX, i cili do të pasohet edhe me nënshkrimin e tij, do të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin me Policinë shqiptare.
Akuza do të kërkojë “arrest në burg” ndaj 28-vjeçares që vrau burrin
TIRANË - Prokuroria e rrethit Gjyqësor Tiranë dërgoi të mërkurën në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj 28-vjeçares Vitore Suçi, e cila akuzohet për vrasjen e bashkëshortit të saj, Mirash Doda, tri ditë më parë në Tiranë. Sipas burimeve nga organi i akuzës, prokuroria do të kërkojë “arrest me burg” ndaj kësaj shtetaseje gjatë seancës gjyqësore që pritet të realizohet ditën e nesërme në Gjykatën e shkallës së Parë. Vitore Suçi u arrestua pasditen e së hënës pasi qëlloi me thikë në kraharor burrin e saj, Mirash Doda, në banesën e tyre, në lagjen “Bregu i Lumit”. Grupi hetimor ka siguruar dëshmi nga dëshmitarë okularë, që hedhin dritë mbi marrëdhëniet e acaruara mes bashkëshortëve që kishin më pak se një muaj që ishin lidhur me martesë.
28 Gusht 2008