Shërbimi i ORL-së zgjedh me short mjekun që duhet të kryejë operacionin
Emanuela Sako
TIRANË - Shërbimi i ORL-së në QSUT nuk u jep pacientëve të drejtën e përzgjedhjes së mjekut që duhet t’i operojë. Ky është i vetmi shërbim në QSUT që ua mohon këtë të drejtë pacientëve. Burime nga ky spital bëjnë të ditur se shefi i Shërbimit të ORL-së ka nxjerrë një rregullore që nuk i lejon pacientët të zgjedhin vetë mjekun që duan t’i operojë, por është shërbimi i ORL-së ai që përcakton me short mjekun që do të operojë një pacient. Kjo taktikë ndiqet për të shmangur abuzimet që mund të ndodhin mes mjekëve dhe pacientëve dhe për t’iu lënë mundësinë e operimeve të gjithë kirurgëve që punojnë në këtë shërbim. Ndërsa shërbimet e tjera në QSUT nuk e kanë këtë rregullore, por pacientët janë të lirë të zgjedhin mjekun që dëshirojnë t’i operojë apo do të ndjekë kurimin e një pacienti.
Rregullorja
Duke u nisur nga përmbajtja e rregullores së përcaktuar kohët e fundit, pacientët nuk janë dakord për këtë veprim, pavarësisht arsyes për të cilën është vendosur. Kërkesat e pacientëve janë për të përzgjedhur vetë mjekun dhe për këtë nisen nga besimi që kanë krijuar tek një nga mjekët. Nëse një pacient është kuruar vazhdimisht në këtë pavijon nga një mjek i caktuar, atëherë ky pacient mund të ketë krijuar marrëdhënie mjaft të mira komunikimi me mjekun. Në këto rrethana pacienti krijon besim te mjeku që ka ndjekur në vazhdimësi situatën shëndetësore të pacientit dhe kërkon të drejtën që të jetë ky mjek asistues në operacionin që do të kryejë. Megjithëse në deklaratat e shpeshta të autoriteteve shëndetësore është bërë publik fakti se Shëndetësia po përjeton një moment krize besimi ndaj mjekëve, ata që shtrohen në spitale janë të detyruar që të kenë të preferuarin e vet. Nëpërmjet këtyre deklaratave është kërkuar që të rritet cilësia e shërbimit në spitale, në mënyrë që të rritet dhe besimi te pacientët dhe të vendoset një urë komunikimi mes mjekut dhe pacientit.
situata
Rregullorja e re e vendosur parashikon që çdo fillim jave, kur edhe bëhet planifikimi i operacioneve, të hidhet edhe shorti i mjekëve që do të bëjnë ndërhyrjet kirurgjikale. Në këto situata nuk merret parasysh kërkesa e pacientëve dhe preferenca e tyre për mjekët. Në të kundërt, pacienti duhet të presë me javë dhe të shpresojë që shorti të përcaktojë mjekun që ai preferon për kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale. Në spitalet e vendeve të huaja pacientët kanë të drejtë që ta zgjedhin mjekun kundrejt një shume më të madhe parash. Kjo ndodh për arsye se mjekët më të preferuar nga pacientët janë dhe më të paguarit. Në diskutime të shumta të specialistëve të Shëndetësisë është hedhur një hipotezë e tillë, për ndjekjen e kësaj praktike dhe në spitalet tona, e cila të aplikohej në bazë të një rregulloreje të saktë dhe nën mbikëqyrjen e MSH-së.
14 Dhjetor 2008