E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike i detyron italianët tii kalojnë pushimet e Vitit të Ri në shtëpi



Kriza ekonomike nuk ka detyruar vetëm shqiptarët që të “mbyllen” në shtëpi për festat e fundvitit. Kjo gjë duket se po ndodh edhe me fqinjët tanë të përtej Adriatikut, italianët, të cilët këtë vit u duhet të kursejnë më shumë. Kriza e thellë ekonomike që ka prekur ekonominë e këtij vendi pritet që t’i detyrojë këtë fundvit mijëra familje italiane që të mos e braktisin vendin e tyre për të festuar Krishtlindjet dhe natën e ndërrimit të viteve jashtë vendit. Sipas statistikave të agjencisë “Volagratis”, “shumë italianë do të zgjedhin ta presin natën e Krishtlindjeve dhe atë të ndërrimit të viteve në qytet dhe në shtëpitë e tyre, ose duke u kufizuar me udhëtime nëpër qytetet kryesore të Italisë”. Sipas agjencisë, të paktë do të jenë italianët që do të shëtisin këtë fundvit nëpër Europë, në zbulim të atmosferës së nxehtë, që do të ndezë baret dhe lokalet e kryeqyteteve të BE-së”.

Kush do të frekuentohet

Qytetet dhe kryeqytetet kryesore europiane janë destinacionet më të preferuara për ata që mezi presin pushimet e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri. Parisi dhe Londra janë në krye të listës, por edhe Spanja, me Madridin dhe Barcelonën, mbetet e tillë edhe gjatë intervaleve të mesme. Barcelona e Madridi renditen përkatësisht në vend të katërt dhe të pestë në radhën e qyteteve europiane. Këtë vit synon të afrohet në renditje edhe Berlini me Amsterdamin, që do të presin ata që do të kërkojnë dëfrimin maksimal. Por në gjithë këtë rrëmujë ofertash dëfryese, qytetarët italianë që duan të argëtohen në fundvit duket se e kanë bërë zgjidhjen e tyre. “Zgjidhja e mesme më ekonomike, duket se është Barcelona, e ndjekur nga qyteti i Milanos, me një çmim prej vetëm 66 euro për person në natë. Parisi ka një çmim prej 73 eurosh dhe po aq edhe Roma dhe Venecia”, - thotë agjencia.

Qytetet më të lira

Në Itali zgjidhja më e mirë dhe më e lirë për qytetarët që duan të lëvizin në fundvit mbetet qyteti i Barit, me një çmim mesatar prej 76 eurosh personi, ndërsa qytetet më të shtrenjta duket se janë Milano me 108 euro, Palermo 106 euro dhe po kështu Katania. Kush do të ketë mundësi, do të udhëtojë në ditët e fundit të vitit për t’u rikthyer në ditët e para të Vitit të Ri. Udhëtimet e tilla përfaqësojnë, në fakt, më shumë se 60 për qind të udhëtimeve në Itali, ndërsa ato me kthim përpara datës 31 dhjetor rreth 30 për qind. Kush ka vendosur t’i kalojë këto festa jashtë shtëpisë, ka parashikuar të paktën një javë pushime. Rreth 10.2 për qind e pushuesve italianë zgjedhin të kursejnë duke pretenduar se pas Vitit të Ri do të nisen menjëherë me pushime duke përfituar dhe nga uljet e sezonit. Bëhet fjalë për udhëtime, që zgjasin nga katër deri në pesë ditë, kryesisht në Paris, Barcelonë, Londër apo Vjenë.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›