E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çeku, amnisti fiskale për abuzimet e Qeverisë

16/03/2005  Kërkohet të kthehet në zero fatura prej 26 miliardë lekë humbje financiare dhe abuzimesh

Institucionet shtetërore shtresojnë çdo vit borxhet në arkën e shtetit dhe asnjë prej tyre gjatë dhjetë vjetëve nuk është kujtuar t’i kthejë. Janë 27 miliardë lekë dëme financiare të shkaktuara nga institucionet buxhetore në dhjetë vjet, për të cilat Robert Çeku ka propozuar një lloj amnistie fiskale. “Unë them se duhet mbyllur kjo llogari për të çuar në zero detyrimin ose mbajeni ashtu siç është dhe kur të vijmë vitin tjetër do të gjejmë po ato shifra, në mos më të larta”, ka thënë Çeku në lidhje me idenë e tij. Sipas kreut të KLSH–së, kjo është një praktikë pune e ndjekur nga shumë vende, të cilat kanë patur të lartë vlerën e dëmeve që duhet të shlyejnë institucionet dhe asnjë lek të kthyer në arkën e shtetit. Kthimi i llogarive në zero, sipas idesë së Çekut, do të thotë që të falen të gjitha vlerat që janë në ngarkim të institucioneve dhe fatura të kthehet në zero. Më pas të gjitha dëmet e evidentuara dhe që do të faturohen në llogari të institucioneve, do të shlyhen prej tyre në masën 95 për qind, siç e parashikon dhe ligji. Kështu nga vlera prej 3.8 miliardë që ishte dëmi financiar i shkaktuar nga abuzimet dhe mosrealizimet e planit në 2004-ën, KLSH-ja sipas ligjit ka kërkuar arkëtimin e 3.6 miliardë lekëve. Por shpresa që këto para të kthehen me të vërtetë në arkën e shtetit, është e vogël. “Në dhjetë vjet asnjë institucion nuk ka kthyer asnjë lek nga dëmet e shkaktuara, duke i kthyer në rutinë raportet e KLSH–së”, ka deklaruar Robert Çeku. Sipas kreut të KLSH-së, është e nevojshme ndryshimi i ligjit për prokurimet, pasi dëmet më të mëdha vijnë nga tenderat dhe mënyra se si institucionet e zbatojnë këtë ligj. Jo vetëm kaq, por në fokusin e Kontrollit të Shtetit do të jenë dhe financimet e huaja dhe mënyra se si janë përdorur këto para. “Duhet të kontrollojmë financimet e huaja dhe interesat e shlyerjes së tyre, për të mos rënduar dhe më shumë borxhin e jashtëm”, ka deklaruar Çeku. Ndërkaq duket se kundër idesë së Çekut ka qenë Ridvan Bode, i cili ka kërkuar që KLSH-ja të respektojë më shumë statusin e vet dhe të mos kthehet në një institucion që mbulon pazaret e qeverisë. “KLSH-ja është kthyer në një organ të qeverisë dhe nuk kontrollon as atje ku është Kontrolli i Brendshëm dhe ky është një gabim”, ka thënë Bode. Sipas nënkryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Ridvan Bode, KLSH-ja duhet të jetë një gjykatë e llogarive ku punonjësit e korruptuar dhe ata që kanë abuzuar me ligjin, duhet të japin llogari. “Nuk ka asnjë çështje të ngritur nga KLSH-ja dhe që ka përfunduar në gjykata, sepse të gjitha çështjet mbyllen rrugës”, ka deklaruar Bode. Duket se këtë fakt e ka pranuar dhe vetë Robert Çeku, por duke ia hedhur fajin Prokurorisë, e cila nxiton të mbyllë kallëzimet e bëra nga KLSH-ja. “Ne kemi bërë 25 kallëzime për punonjësit gjatë 2004-ës, por çështjet janë mbyllur nga Prokuroria”, ka deklaruar Çeku. Rezultati i këtyre praktikave u duk qartë në Raportin për 2004-ën, ku dëmi financiar i shkaktuar ishte 1 miliard lekë më i lartë se në 2003-shin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›