Çeku, 370 milionë lekë vetëm shpërblime dhe dieta
16/03/2005 Qeveria e ka shkelur keq ligjin e prokurimeve, duke sjellë një dëm financiar të konsiderueshëm prej tenderave në 2004-ën. Por duket se shpërblimet dhe pagat shtesë të dhëna gjatë këtij viti, në mënyrë të paargumentuar, kanë përbërë një dëm ekonomik që kap vlerën e 370 milionë lekëve. “Të gjitha institucionet kanë shkaktuar dëm financiar me veprimtarinë e tyre”, ka thënë Çeku, por duket se në top listën e institucioneve që kanë abuzuar më shumë me paratë e shtetit, është Ministria e Arsimit. Raporti vlerëson se janë 156.944.000 lekë shkelje në prokurimet për 48 subjekte të kontrolluara. Ndërsa janë verifikuar 841 tendera. Shkeljet janë vënë re në Ministrinë e Arsimit, në të Rendit, Transportit, Drejtësisë, Mjedisit dhe të Punës e Çështjeve Sociale. KLSH-ja ka vënë re se, shpesh fitues i tenderit ka dalë konkurrenti që ka paraqitur çmime më negative. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar kthimin e 3.653.635.000 nga dëmi që i është shkaktuar Buxhetit të Shtetit. Gjithashtu është vërejtur se zyrtarët i kanë dhënë të drejtën vetes për të folur pa kufizim me telefon, ndërsa dhe shpenzimet në karburant kanë qenë të larta. Për këto dëme, KLSH-ja ka deklaruar se ka kërkuar marrjen e masave administrative për 264 persona, prej të cilëve janë dërguar për procedim penal 25 vetë. Gjatë kontrollit të vitit 2004, janë vërejtur shkelje në bashkitë kryesore të vendit si dhe në institucionet më kryesore. Raporti I KLSH-së flet për shkeljet në ministri të ndryshme, si tek e Kulturës, Arsimit, Transporteve dhe Punës e Çështjeve Sociale. Për këto dëme, KLSH-ja shprehet se 94 për qind e dëmit të shkaktuar është i rikthyeshëm, ndaj dhe është kërkuar marrja e masave konkrete.