Universitetet, asgjë e re për pagat e administratës
16/03/2005 Ndërsa në fund të vitit të kaluar u vendos që të rriteshin pagat e pedagogëve, për ato të administratës u vendos që të lihej më vonë, pikërisht tani në muajin mars. Edhe administrata do të hynte në piramidën e pagave buxhetore. Por, ende nuk është thënë gjë deri tani. Po kështu, dhe një pjesë e rritjes së pagave të pedagogëve deri këtë muaj do të paguhej nga të ardhurat dytësore të universiteteve. Më 1 mars, kur të kishte përfunduar studimi i pagave, e gjithë paga e një pedagogu do të paguhej nga buxheti i shtetit. Një arsye për të cilën vazhdoi greva, ishte pikërisht mosrritja e pagave të punonjësve të administratës. Në tre projektvendimet nuk është parashikuar asnjë pikë për ta. Dhe ndërsa pedagogët mblidheshin, punonjës të administratës shkruanin në tabela “Pedagogë mos na tradhtoni”. Në draftin e paraqitur nga grupi ndërministror në takimin me pedagogët u parashikua që punonjësit e administratës të hyjnë në shërbimin civil. Pedagogët dhe punonjësit kërkuan që të përcaktohej kufiri maksimal dhe minimal i këtyre pagave. Kjo ishte dhe arsyeja se përse nuk e firmosën draftin. Një tjetër vendim i miratuar ishte ai i autonomisë financiare dhe institucionale, që duket se u dha në “këmbim të pagave”.