E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta mbi pensionet

As Qeveria e Kosovës, as Shoqata e Pensionistëve, nuk kanë bërë asgjë për t’i siguruar regjistrat e 60 mijë pensionistëve kosovarë, si kontribuues gjatë kohës së Jugosllavisë. Ndërkohë, ky është kushti kryesor që Kosova ta fitojë kontestin me Serbinë për kthimin e pensioneve.

Kjo neglizhencë e kosovarëve ka irrituar edhe organizatat ndërkombëtarë pranë OKB-së, e të cilat e kanë denoncuar vitin e kaluar Serbinë se ia ka borxh Kosovës pensionet për 60 mijë kontribuues, për një periudhë prej 15 deri 40 vjet. Mirëpo, tani janë bërë dy vjet që kur denoncimi i Organizatës ndërkombëtare “Interfaith International” po pret për t’iu bashkangjitur regjistrat e kontribuuesve kosovarë, si fakt për ta mposhtur Serbinë.

Në një intervistë për Express, Verena Graf, përfaqësuese permanente pranë OKB-së për organizatën “CIEMEN”, shprehet e zhgënjyer tej mase me neglizhencën e Qeverisë dhe Shoqatës së pensionistëve të Kosovës.

Sindikalistja zvicerane është e befasuar sesi Qeveria e Kosovës, ndonëse përfaqëson popullin e Kosovës, nuk ka kërkuar ende rikthimin e kontributeve nga shteti serb. Ajo shpjegon se kur hyhet në negociata me dikë, duhet t’i tregosh “se ke borxh”, dhe të përdoren të gjitha mjetet juridike për ta kthyer atë borxh.

“Pas informatave që i kam, Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Qeveria e një shteti duhet ta pyesë qeverinë e shtetit tjetër, në ketë rast Serbinë, për kthimin e kontributeve”, thotë Graf.

Por edhe në rastin tjetër, kur shtetet nuk qëndrojnë mirë politikisht, Graf thotë se duhet shfrytëzuar mundësia që denoncimin ta bëjnë palët e treta. Në rastin e Kosovës kjo ka ndodhur, por nuk është parë vullnet i kosovarëve për të bashkëpunuar.

Graf, e cila ka dorë në denoncimin ndaj Serbisë, thotë se denoncimi do të mbetet vetëm në letër, përderisa nuk sigurohen si dëshmi regjistrat e së paku 60 mijë kontribuuesve. Shumë kërkesa i janë dërguar Shoqatës së pensionisteve, por deri tani ka qenë e pamundur të merren këto të dhëna.

“Shoqata e pensionistëve të Kosovës duhet t’i japë këta regjistra. Në mënyrë juridike, këta regjistra i shërbejnë një shteti tjetër për të lobuar”, pohon ajo.
Në të kundërtën, Graf thekson se asnjë shtet tjetër nuk mund t’i ndihmojë Kosovës për këto pensione. Edhe ashtu, ajo vetë ndihet e lodhur dhe e zhgënjyer tej mase, nga kjo papërgjegjësi e palës kosovare.

“Ne nuk mund të jemi më kosovarë se vetë kosovarët”, thotë e shqetësuar Graf.

Artikullin të plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetë Express.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›