E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit
Vijon nga numri i kaluar
Çështja nëse territoret e banuara në fund të Antikitetit të vonë nga popullatat ilire u mbuluan gjatë shekullit VII nga popullata sllave dhe nëse popullatat ilire i shpëtuan presionit të sllavizimit nga invazorët e rinj - është rrahur mjaft në historiografinë e shekullit të kaluar. Në përgjithësi, historiografia europiane e ka pranuar në parim tezën se shqiptarët, si kombësi, janë pasardhësit gjenetikë të ilirëve antikë dhe se ata i bënë ballë njësoj si presionit të romanizimit ashtu dhe presionit të sllavizimit. Megjithatë, ka ende historianë, të cilët shfaqin rezerva ndaj kësaj teze. Rezervat kanë lidhje me hapësirën gjeografike që zinin ilirët në fund të Antikitetit. Midis tyre ka historianë që mendojnë se procesit të romanizimit i shpëtuan vetëm popullatat ilire që banonin të ngushtuara në malet e Shqipërisë së ditëve tona. Por ka dhe historianë që mendojnë se ilirët që i rezistuan romanizimit dhe sllavizimit banonin në provincën dardane. Si rrjedhim, provincën dardane ata e konsiderojnë si djepin ku gjatë Mesjetës së hershme u formua kombësia shqiptare. Por ka dhe një grup të tretë historianësh, ndër ta edhe autori i këtij punimi, të cilët mbrojnë tezën se procesit të romanizimit dhe më pas të sllavizimit i shpëtuan ilirët që banonin ndoshta më tepër në viset malore dhe më pak fushore në katër provincat perëndimore të Gadishullit Ballkanik (Dardani, Prevalitani, Epiri i Ri, Epiri i Vjetër). Autorët që kanë trajtuar zërin shqiptarët e Maqedonisë, i cili është përfshirë në Enciklopedinë e përmendur të Shkupit mbrojnë tezën e parë. Brenda këtij qerthulli problemor qëndron pra, çështja që na intereson: nëse viset veriore dhe veriperëndimore të Republikës së sotme të Maqedonisë, të banuara, siç u tha, në shekullin VI, nga popullata ilire, u sllavizuan ose jo gjatë shek. VII.
Në fakt, çështja që ne po trajtojmë është e lidhur me një temë më të gjerë - me çështjen nëse provinca antike e Dardanisë ku bënin pjesë dhe viset shqiptare të Maqedonisë së sotme, u sllavizua ose jo gjatë shekullit VII-VIII. Kjo, nga ana e saj, është pjesë përbërëse e një teme shumë më të gjerë, e rrahur vazhdimisht në historiografinë ndërkombëtare - me çështjen e dyndjeve sllave që pësoi Gadishulli Ballkanik në shek VII, madje jo aq me dyndjet se sa me vendet ku grupet sllave u ngulitën përfundimisht në Gadishullin Ballkanik.
Për të sqaruar problemin ose jo të sllavizimit të këtyre viseve është e domosdoshme të ndjekim dinamikën e dyndjeve të fiseve sllave në këtë pjesë të Gadishullit Ballkanik. Kjo, nga ana e vet, kërkon që të kemi parasysh praktikën që kanë ndjekur historianët e shquar bizantinistë, të cilët e ndajnë vërshimin e sllavëve në Ballkan në dy periudha - në periudhën e mirëfilltë të dyndjeve apo, siç e quajnë ata, të invazioneve dhe në periudhën e migracioneve apo kolonizimeve të tyre në vise të ndryshme të gadishullit. Gjatë periudhës së parë, turma sllave të rreshtuara në veri të Danubit të paraprirura nga turmat avare, pasi kalonin lumin e madh kryenin inkursione grabitqare - plaçkisnin qytete, digjnin fshatra, grabisnin njerëz, rrëmbenin bagëti dhe me plaçkën që grumbullonin tërhiqeshin përsëri në vendbanimet e Danubit. Gjatë periudhës së dytë, grupe sllavësh shtegtonin në kërkim të vendbanimeve të përhershme, të përshtatshme kryesisht për bujqësi.
Dihet se fiset e para sllave u dukën në vendbanimet ilire që në fillim të shekullit VI. Për gati 80 vjet, pasi kryenin inkursione plaçkitëse të shoqëruara me rrënime qytetesh dhe fshatrash, tërhiqeshin ose dëboheshin nga bizantinët përsëri në veri të Danubit. Inkursioni i parë sllav në trojet e Maqedonisë ndodhi në kohën e perandorit Anastas, në vitin 517. Sipas Marcelin Komesit, atë vit ata shkretuan të dy Maqedonitë dhe përtej tyre Thesalinë, por Dardaninë ai nuk e zë në gojë (M. Comes, Chronicon ad An. 517). Dy dekada më vonë, gjatë viteve 539-540 kuturgurët (protobullgarët), duke marshuar në drejtim të Selanikut, prekën pjesën lindore të Maqedonisë së sotme. Në vitin 547 ose 548, fise të tjera sllave shkelën pjesën perëndimore të Maqedonisë së sotme dhe pastaj, nëpërmjet rrugës Egnatia iu turrën provincës së Epirit të Ri, duke arritur deri në dyert e kryeqendrës së saj, Durrësit (Procopiius Caesarensis, De aedificiis, 434-435).
Në sajë të kalave të shumta që ndërtoi perandori Justinian, inkursionet sllave në gadishull u rralluan. Danubi mbeti për disa dhjetëvjeçarë kufiri verior i Perandorisë Bizantine. Por pas vdekjes së tij gjatë sundimit të Justinit (565-578) vija mbrojtëse e Danubit u plasarit, kurse gjatë sundimit të Tiberit (578-582) vija danubiane pothuajse u përmbys. Në këtë kohë filloi faza e dytë e historisë sllave. U dukën hapat e para të ngulimeve të grupeve sllave në Panoni e në Mëzi, në Dalmaci e në Thrakë. Megjithatë, perandori bizantin Maurik i zmbrapsi sllavët nga viset e kolonizuara prej tyre. Maqedonia nuk u kolonizua menjëherë, por vazhdoi edhe për disa kohë të sulmohej nga avarët dhe sllavët, të cilët pas plaçkitjeve dhe rrënimeve të zakonshme largoheshin në drejtime të tjera.
Një nga dokumentet historike me vlerë të jashtëzakonshme që flet për dyndjet e sllavëve në Gadishullin Ballkanik është kodeksi i njohur me emrin "Miracula Sancti Demetrii" (Mrekullitë e Shën Dhimitrit). Kodeksi është mbajtur nga peshkopët e Selanikut në gjuhën greqisht gjatë shekullit VII. Në të nuk mungojnë edhe të dhëna që i përkasin fundit të shekullit VI. Sipas Miracula-s, në vitin 586, rreth njëqind mijë skllavenë të shtyrë nga avarët u dukën në muret e Selanikut, por pas shtatë ditë luftimesh pa sukses, u detyruan të largoheshin. Pas dështimit të sulmit avarët të pasuar përsëri nga skllavenët u drejtuan për në jug të Gadishullit, duke marshuar deri në Peloponez. Në këtë pjesë të tregimit, Miracula nuk e zë fare në gojë as Maqedoninë, as Dardaninë. Për këtë inkursion flitet edhe në kronikën e Monemvasisë, shkruar në po këtë shekull. Edhe këtu radhiten viset e shkelura nga sllavët: Thesalia, Helada, Atika, Eubeja, Epiri i Ri, por edhe këtu as Maqedonia as Dardania nuk përmenden.
Në Miracula thuhet se në pjesën e parë të sundimit të Herakliut (610-641) fiset sllave të Draguvitëve, Sagudatëve, Velegezitëve, Vajunitëve, Bërzitëve dhe fise të tjera invaduan tërë Thesalinë, Epirin, Akainë dhe pjesën më të madhe (pra jo krejt) të Illyricum-it, madje dhe një pjesë të mirë të ishujve të Egjeut, "duke lënë - vazhdon kronika - të shkretuar pas tyre pjesën më të madhe të qyteteve dhe të eparhive". Pastaj iu turrën Selanikut, të cilin nuk e morën dot. Nga këto njoftime që jep Miracula, shumë historianë medievistë kanë nxjerrë konkluzionin se me përjashtim të Selanikut, Nishit dhe Sardikës, praktikisht gjithë Illyricum-i, ra në duart e skllavenëve. Por një konkluzion i tillë nuk është i sigurt, mbasi kur në Miracula trajtohen sulmet e tyre kundër Selanikut, aty flitet jo për vendosjen e skllavenëve, por për rrënimet që ata lanë pas tyre, në pjesën më të madhe të Illyricum-it dhe në tërë viset e Epirit, por përsëri u larguan.
Ndërkohë, sipas Miracula-s, rreth mesit të shekullit VII disa fise sllave qenë vendosur në hapësirën jashtë Selanikut. Në bazë të kontekstit të Miracula-s del se deri në atë moment historik, fiset sllave ishin vendosur në Trakë (sagudatët, runçinët, draguvitët, smolienët), në Maqedoni (vajunitët, berzitët), në Thesali (velegezitët) dhe në Peloponez (milingët, ezeritët). Përsëri nuk thuhet asgjë për vendosjen e skllavinëve në provincat jugore ilire përfshirë dhe Dardaninë. (Miracula, Libri 2, I, 158). Madje, nga njoftimet e saj kuptohet se nuk banonin fise sllave në perëndim të berzitëve, të cilët ishin ngulitur në Maqedoninë e sotme, rreth e rrotull Manastirit (Bitoljit).
Siç shihet, këto të dhëna janë tepër të varfra. Me to është vështirë të nxjerrësh përfundime bindëse. Megjithatë, historianët që janë marrë me këtë temë kanë hartuar disa formulime, të cilat ndryshojnë në jo pak pika midis tyre. Ne kemi parasysh vizionin që kanë formuluar pesë historianë bizantinistë me prestigj ndërkombëtar: Ch. Diehl, Le Monde Oriental de 395 a 1081, Vëll. I, Paris 1944; A.A. Vasiliev, History of the Byzantine Empire, Madison 1952; L. Niederle, Manuel de l‘Antiquite slave, Paris 1923; G. Ostrogorski, Geschichte des Byzantinischen Staates, Munchen 1963 (Në shqip: Historia e Perandorisë Bizantine, përkthyer nga P. Xhufi, Tiranë 1997); P. Lemerle, Invasions et migrations dans les Balkans - depuis la fin de l‘epoque Romaine jusqu au VIII e siecle - Revue histonque, 78 (1954).
Kështu për shembull, medjevisti i njohur frëng Ch. Diehl thotë se në përfundim të stuhisë barbare dhe të valangës sllave treva e ilirëve pësoi një përmbysje të thellë (un profond bouleversement) si në fushën ekonomike e shoqërore, ashtu dhe nga ana politike e etnike. Sipas tij, rreth mesit të shek. VII të gjitha provincat e Ilirikut ishin të rrënuara ekonomikisht. Përgjithësisht qytetet ishin gërmadha. Shumica e fortesave (citadele) qenë rrëzuar. Banorët e mëparshëm kishin ikur në masë. Nëpër rrugët e tyre tani ndihej më tepër sllavishtja se ilirishtja e latinishtja. Nëpër qytete, përfundon historiani frëng, numri i zejtarëve dhe tregtarëve ishte shumë i pakët. Pasi pohon se Iliriku u sllavizua krejtësisht (l‘Illyricum deisormais slavisé) dhe pasi në trevën e sllavizuar përfshin edhe brendësinë e Maqedonisë (l‘interieur de la Macedoine), megjithatë shkruan Ch.Diehl, disa etni të vjetra të Ballkanit i mbijetuan sllavizimit, kurse disa vise të Ilirikut u prekën pak nga sllavizimi. Midis atyre që u prekën pak, ai sjell si shembull Shqipërinë e sotme (Ch.Diehl, po aty, f.212, 214, 221). Historiani frëng nuk e zë në gojë Dardaninë, por ai lë të kuptohet se si pjesë e Ilirikut edhe banorët e saj u sllavizuan. Sikurse do të shihet, përfshirja e Dardanisë në viset e sllavizuara, nuk është e saktë jo vetëm për shek. VII, por as për shekujt e mëvonshëm.
Edhe G. Ostrogorski pranon se në fillim "sllavët mjaftoheshin me plaçkitjen e vendit dhe ktheheshin përsëri matanë Danubit". Asnjë nga ngjarjet e mëdha që ndodhën në periudhën e hershme të Perandorisë Bizantine, shkruan G. Ostrogorski, "nuk pati ato pasoja për të ardhmen e perandorisë sa depërtimi i sllavëve në Ballkan... Të gjitha dyndjet barbare të mëparshme patën një karakter të përkohshëm... Përkundrazi, sllavët pas periudhës së grabitjeve u vendosën përfundimisht në Ballkan dhe me vendosjen e tyre fillon një proces i tërë, i cili në fund të fundit do të çojë në formimin e shteteve sllave në territorin bizantin". (G. Ostrogorski, po aty, f. 50). Sipas tij, fillimi i kolonizimit sllav u duk në vitin 592. Atë vit, shkruan G. Ostrogorski filloi një luftë vendimtare për fatet e Ballkanit. Në fillim duket sikur punët po shkonin mirë për bizantinët, mbasi sllavët të prirur nga avarët u thyen disa herë, duke u detyruar të ktheheshin në veri të Danubit. Por, me thellimin e krizës së brendshme, që kishte ngërthyer Perandorinë Bizantine, sllavët arritën ta detyronin perandorin Heraklius të pranonte vendosjen e tyre përfundimisht në Gadishullin Ballkanik. G. Ostrogorski njofton se grupe të veçanta sllave ishin vendosur në Gadishullin Ballkanik qysh në fund të shek. VI (se ku nuk e përcakton), kurse ngulitja filloi të zhvillohej në shkallë më të gjerë në vitet e para të shek. VII (as në këtë rast nuk i përcakton vendet). Dyndjet (jo ngulimet) e tyre të udhëhequra nga avarët, vazhduan drejt jugut të Gadishullit. "Pas shkatërrimeve dhe plaçkitjeve të tmerrshme, pjesa më e madhe e avarëve u kthye përsëri përtej Danubit, ndërsa sllavët u vendosën në gadishull dhe zunë pjesë të territorit".
Pasi morën fund ngulitjet e sllavëve në Gadishullin Ballkanik, G. Ostrogorski shkruan për vendet e kolonizuara prej tyre. Madje, edhe këto nuk i thotë me hollësi. Ai shkruan: "Jo vetëm provincat danubiane, por dhe e gjithë Maqedonia u pushtua nga mizëritë sllave, kurse Traka u shkretua deri nën muret e Kostandinopojës. Veçanërisht të rrepta qenë sulmet kundër Selanikut, që u rrethua dhe u sulmua në mënyrë të përsëritur nga hordhitë sllave dhe avare. Qyteti rezistoi, por viset rreth e rrotull ranë në duar të sllavëve; rryma sllavo-avare u lëshua në Thesali e vazhdoi poshtë, në Greqinë e mesme, e deri në Peloponez... Me pasoja qenë inkursionet sllave edhe në Dalmaci... Përveç Salonës dhe qyteteve të tjera dalmate, në këtë kohë ra në duar të invazorëve sllavë dhe shumica e qyteteve të mëdha të pjesës së brendshme të Gadishullit Ballkanik, si Singuiduni (Beogradi), Viminaci (Kostolaci), Naisus (Nishi), Serdica (Sofie)". (G. Ostrogorski, Po aty, f. 65). Ai pranon se në brezin bregdetar të Adriatikut popullsitë autoktone i bënë ballë dyndjes sllave, veçse në këto zona, nënvizon ai, pati infiltrime sllave. "Pjesa më e madhe e Gadishullit Ballkanik e viset e brendshme në tërësinë e tyre, përfundon ai, u kthyen në vende thjesht sllave". Sikurse shihet, as Ostrogorski nuk e zë me gojë Dardaninë.
Një nga studiuesit më të njohur të gjenezës së popujve sllavë të Ballkanit, medevisti çek, L. Niederle, është përpjekur të përcaktojë me një farë objektiviteti masën e kolonizimit që pësoi prej tyre Europa Juglindore në fillim të Mesjetës së hershme. Ai pohon se atdheu i hershëm i sllavëve në Ballkan ishte shumë më i ngushtë se ai që ata formuan me pushtim tokash në shekujt XII-XIII. Sipas tij, kufijtë perëndimorë të sllavinëve të Ballkanit shtriheshin deri aty ku qenë vendosur berzitët, në trevën midis Manastirit, Përlepit dhe Veleshit (L. Niederle, po aty, f. 106).
Deri këtu historianët flasin në bazë të dokumentacionit pastaj fillojnë e flasin në bazë të toponimisë. Shkenca ka provuar se toponimia nuk është ndonjë fakt kategorik historik. Sidomos në Gadishullin Ballkanik toponimitë shpeshherë kanë qenë diktuar nga presioni i administratës së pushtuesit. Kështu ka ndodhur për shembull në periudhën e sundimit bullgar, serb, osman në Shqipëri. Është i njohur gjithashtu edhe fenomeni i emigrimit të toponimive. Kur grupe fshatarësh shqiptarë emigrojnë në vendbanime të reja marrin me vete edhe emrin e fshatit të origjinës, pavarësisht nëse është me origjinë sllave ose jo sllave.
Sipas historianëve, ato që nuk ndryshojnë shpesh dhe që tregojnë vazhdimësi janë jo emrat e fshatrave, por të qyteteve dhe të lumenjve të mëdhenj. Nga kjo pikëpamje, historianët të mbështetur nga linguistët e pranojnë si dëshmi të vazhdimësisë së popullsisë, vazhdimësinë e emrave të qyteteve. Kështu për shembull me gjithë tollovitë që pësoi Gadishulli Ballkanik gjatë Mesjetës së hershme, të paktën emrat e katër qyteteve kryesore të trevës së sotme të Maqedonisë, Shkupi, Shtipi, Ohri, Nishi, dikur qytete ilire (Scupi, Astibos, Lychnidos, Naissus), siç u tha tregojnë se ato kanë qenë banuar vazhdimisht nga e njëjta popullsi. Nuk është pra, e rastit që kjo trevë përputhet me hapësirën gjeografike që nuk u cenua nga kolonizimi i hershëm sllav. Njoftimet historike, gjetjet arkeologjike dhe konstatimet gjuhësore tregojnë se kjo përputhje nuk është e rastit.
Burimet historike tregojnë se as më vonë gjatë Mesjetës së hershme, treva midis këtyre qyteteve nuk u prek nga kolonizimi sllav. Në vitin 658, me ndihmat ushtarake që u dha khagani i Avarëve, skllavenët e sulmuan përsëri Selanikun, por pas 33 ditë luftimesh dhe pasi lidhën marrëveshje paqësore me bizantinët, u tërhoqën përsëri. Pas marrëveshjes, skllavenët u vendosën në viset lindore, veriore dhe perëndimore të Selanikut. Nga një njoftim lakonik që na jep Theofani, një kronist oborrtar i Kostandinopojës, mësojmë se në vitin 658 skllavenët ishin në kryengritje dhe se perandori Kostanti II ndërmori, thotë ai, "një ekspeditë kundër Skllavinive, bëri shumë robër dhe u imponoi autoritetin e vet" (Theophanes, Ed. Bonn, I, f. 347). Emërtimi "Skllavini" nënkupton vendbanimet e reja të krijuara nga vendosja e skllavenëve, të cilat gëzuan, me miratimin e Kostandinopojës, një autonomi territoriale (Shih: V. Popoviç, Aux origines de la slavisation des Balkans, la constitution des premieres Sklavinies macedoniennes vers la fin du VI-siecle. Në: "Compterendus de l‘Academic des Inscriptions", Paris 1980).
Theofani i shekullit VII nuk na thotë se ku ndodheshin këto Skllavini. Njoftime nuk na jep as vazhduesi i tij (Theophanes Continuatur), i cili flet gjithashtu për ekzistencën e Skllavinive. Një autor i shekullit IX, Ignac Diakoni (Ignatio Diacone), në Jetëshkrimin e Gregor Dekopolitit (Vita Gregorii Decapolitani) na lë të kuptojmë se Skllavinitë ishin në trojet që përshkohen nga lumi Struma në Maqedoninë Lindore, kurse Joan Zonaras (Ioannes Zonaras), në Lexicon-in e "Historisë" së tij, Skllavininë e vendos në Bullgari. Nga ana e tyre, medievistët e kohëve të reja duke gjurmuar me mjete historike vendet ku u vendosën fiset skllavene gjatë shekullit VII në Ballkanin Qendror, pranojnë po atë rezultat që ka arritur L. Niederle se skaji më perëndimor ku u vendosën skllavinët ishin bezitët në rrethin e Përlepit.
Një burim tjetër që ka njoftime rreth dyndjeve të sllavëve në Gadishullin Ballkanik është vepra e perandorit bizantin të shekullit X, Kostandin Porfirogjeneti me titull "Mbi administrimin e Perandorisë" (De administrando Imperio), e cila ndonëse është shkruar dy shekuj e ca më vonë nga ngjarjet, është mbështetur mbi njoftime të besueshme historike më të vjetra, të panjohura nga ne. Perandori shkrimtar na jep mjaft emra fisesh sllave të vendosura në Ballkanin Perëndimor gjatë sundimit të perandorit bizantin Heraklius (610-641). Ai përmend kroatët, serbët, zahlumët, terbunjanët, kanalitët, diokleanët dhe paganët, të cilët, siç dihet u vendosën qysh në shekullin VII në viset e sotme të Kroacisë, Serbisë, Bosnjës, Hercegovinës, Dalmacisë dhe në një pjesë të Malit të Zi. Kostandin Porfirogjeneti nuk zë në gojë asnjë popullatë sllave që të jetë vendosur në Dardani, në Maqedoni apo në viset e sotme të Shqipërisë (C. Porphyrogeneti, De admininistrando Imperio, 7, f. 206).
Me një fjalë, deri sot nuk ka dalë në dritë asnjë burim i shkruar historik dhe asnjë gjurmë materiale arkeologjike që të vërtetojë se popullatat sllave u vendosën gjatë shekujve VI-VIII në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të Maqedonisë së sotme, në viset ku ende sot shqiptarët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë.
Nuk përjashtohet mundësia që gjatë këtyre shekujve të hershëm mesjetarë të kenë depërtuar në trojet ilire grupe të kufizuara banorësh sllavë dhe të kenë mbijetuar për disa kohë si enklava të shpërndara në detin shqiptar. Por edhe ekzistenca e këtyre enklavave në shekujt VI-VIII mbetet hipotetike, mbasi ato nuk janë vërtetuar deri sot as në burime të shkruara, as me objekte arkeologjike.
Është me rëndësi fakti se edhe bizantinistët me emër në fushën e historiografisë botërore, të cilët flasin me kompetencë shkencore mbi invazionet dhe migracionet sllave gjatë Mesjetës së hershme në Gadishullin Ballkanik nuk sjellin asnjë dëshmi për kolonizimin prej tyre të Dardanisë në këto shekuj. Në vargun e këtyre dëshmive, ne sollëm jo rastësisht dëshminë e katër bizantinistëve sllavë - A.A. Vasiliev, L. Niederle, G. Ostrogorski dhe V. Popoviç - me qëllim që të mos u japim rast historianëve maqedonë të Enciklopedisë së Shkupit të na akuzojnë si antisllavë.
Vijon në numrin e ardhshëm