E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kështu i shpjegoj islamin Obamës"

Dalia Mogahed është gruaja e parë me shami që ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë. "Nuk mund të them se ndihem e ofenduar kur më cilësojnë në këtë mënyrë, por do të preferoja që vëmendja të përqendrohej më shumë te kërkimet e mia, mbi motivet që më shtynë të punoja për Presidentin dhe jo te shamia. Megjithatë, jam mësuar ta pranoj faktin që të gjithë e shikojnë, madje mediat, sidomos ato arabe, më kanë bërë simbolin e ri të Shtëpisë së Bardhë, që përfshin dhe nuk përjashton. Nuk dua të jem një simbol, por kam kuptuar se mund ta përdor këtë gjë për t‘i bërë njerëzit të kuptojnë se kush jam unë dhe se çfarë bëjnë myslimanët në Amerikë". Dalia ka një buzëqeshje të sinqertë, aftësinë për të qenë e qetë dhe nuk emocionohet lehtë. As kur dëgjoi Presidentin që i drejtohej botës arabe me fjalimin e tij, duke ndjekur këshillat që ajo i kishte dhënë, pikërisht nga Egjipti, vendi nga i cili ajo ishte larguar që fëmijë, për të ndjekur aventurën që do ta shpinte drejt Shtëpisë së Bardhë. Kjo është Dalia Mogahed, 36 vjeçe, këshilltare e Presidentit amerikan, Barak Obama, për marrëdhëniet me botën myslimane dhe autore e "Who speaks for Islam?". Libri, vitin e kaluar, në SHBA, monopolizoi për shumë javë me radhë vëmendjen e gazetave dhe televizioneve vendase. Në Shtëpinë e Bardhë, Mogahed erdhi drejt e nga "Gallup", një nga qendrat e kërkimeve më prestigjioze në Amerikë. Duke nisur nga viti 2001 ka punuar për pesë vjet me kolegun John Esposito, për studimin më të madh të bërë ndonjëherë për myslimanët në botë. "Në këto kohë tensionesh ekstreme dhe armiqësie në rritje, pak libra do të mund të dilnin në kohën e duhur", u shpreh, fituesi i çmimit "Nobel" për paqen Desmond Tutu, kur rezultatet e kërkimeve të tyre u publikuan në SHBA. "Qëllimi ynë ishte të zhvendosnim debatin për myslimanët në një drejtim më konstruktiv. Për një kohë të gjatë është thënë se konflikti mes shoqërive me shumicë myslimane dhe Perëndimit, në veçanti SHBA-së, ishte i pashmangshëm. Përkundrazi, libri tregon që nuk është kështu. Këtë e bën duke nxitur që të flasë mazhoranca e heshtur e myslimanëve, ajo që nuk arrin të nxjerrë zë, sepse dëbohet nga qeveritë represive, nga mediat që nuk i konsiderojnë aq interesante sa duhet, ose nga ekstremistët. Po ashtu, aty tregohet se pikat e "ngrirjes" mes botës myslimane dhe Perëndimit përqendrohen në politikat tranzitore, jo mbi parimet themelore. Aty thuhet se gjëja që myslimanët adhurojnë më shumë nga Perëndimi është se liria politike dhe ajo e shprehjes dhe se pjesa më e madhe e të intervistuarve, përfshi 73 për qind të sauditëve dhe 89 për qind të iranianëve, mendojnë se gratë duhet të kenë të njëjtat të drejta si burrat. Gjithashtu, në libër tregohet qartë se në vendet me shumicë myslimane, pjesa më e madhe e njerëzve dënojnë ngjarjet e 11 shtatorit të vitit 2001 dhe se ajo pjesë e vogël që i justifikon dhe ka një mendim negativ për SHBA-në (7 për qind) nuk është më shumë besimtare se pjesa tjetër e popullsisë. Ide që diheshin, mund të thuhet sot, por kur nisën të qarkullonin në Amerikën e Bushit, dukeshin vërtet revolucionare, aq sa tërhoqën edhe vëmendjen e senatorit të atëhershëm të Ilinoisit, Barak Obamës. "Kur doli libri i dërguam nga një kopje të gjithë anëtarëve të Kongresit, përfshi edhe Obamën, që na u përgjigj me një kartolinë falënderimi. Nuk e njihnim fare dhe nuk e kishim idenë nëse e kishte lexuar apo jo. Por, pas disa kohësh, një person që kishte qenë në studion e tij në Senat, më tha se libri ishte aty, në vend të dukshëm. M‘u duk një shenjë inkurajuese dhe u kënaqa shumë", kujton Mogahed. E në të vërtetë, aq shumë e kishte tërhequr ai libër senatorin amerikan, sa kur u zgjodh Presidenti i parë me ngjyrë në historinë e SHBA-së pak muaj më vonë, e thirri Dalia Mogahedin të ishte pjesë e "Advisory Council on Faith-based and neighborhood partnership", për të mbajtur një vend të rëndësishëm, atë të këshilltares për marrëdhëniet me botën myslimane. Një nga pikat kyçe ku luhet suksesi i presidencës Obama. "U befasova shumë kur më thirrën. Natyrisht u ndjeva e nderuar. Fakti që mbaj shami nuk ka ndikuar fare në zgjedhjen e tij. Ajo që Presidenti kërkon është të dëgjojë zërat e myslimanëve, të dijë se çfarë mendojnë vërtet, në mënyrë që t‘i kuptojë dhe t‘i përfshijë myslimanët amerikanë në jetën normale. Përshtypja e menjëhershme ishte se idetë e mia, ashtu si ato të gjithë atyre që punojnë në këshill, do të merreshin shumë seriozisht". Detyra më delikate e këshilltares, deri më tani, ka qenë hartimi i linjave të guidës, për fjalimin e Kajros, me të cilin Obama u përpoq të zvogëlonte hendekun e ndarjes që tetë vitet e Bushit kishin krijuar mes SHBA-së dhe botës arabe. "U përpoqa të mendoja se çfarë qëndronte në zemër të konfliktit dhe e kuptova se duhej të flisnim për respekt. Por edhe për zgjedhjet politike të Amerikës që nuk u pëlqejnë myslimanëve. Nuk duhej të shisnim idealet e Amerikës, sepse njerëzit i njohin dhe i adhurojnë tashmë, siç tregon kërkimi i ‘Gallup‘. Ajo që duhej, ishte ndryshimi i kursit, të njihnim rëndësinë, jo të qytetërimit tonë, por atij të myslimanëve. Njerëzit e botës arabe nuk kishin nevojë t‘u bëjë lajka, por të pranoheshin. Të shihnin se pikëpamjet e tyre pranoheshin në shoqëri dhe nuk injoroheshin. Ia kalova idetë e mia atij që shkruan fjalimet me Presidentin. U gëzova kur pashë se ato u mirëpritën". Pas lavdisë, janë rritur polemikat. E kritikuar në momentin e emërimit të saj, Mogahed është vënë në shënjestër në atdheun e saj për faktin se u shfaq në një program televiziv bashkë me një anëtar të "Hizbullah Tahrir", një grup i konsideruar ekstremist, si dhe për mbrojtjen që i bëri Ligjit të Sheriatit. "Ishte një përvojë që më ka mësuar shumë. Unë flisja për rezultatet e kërkimit, ndërsa ai i injoronte për të shfrytëzuar vetëm gjërat që i duheshin për idetë e tij. Në fillim u sulmova nga ai, pastaj nga ata që më kanë akuzuar për bashkëpunim me ekstremistët, gjë që tregon se sa i fortë është refuzimi i një dialogu të vërtetë, të bazuar te faktet", thotë ajo tani. Ndërkaq, zhgënjimi që shumë arabë ndiejnë për Obamën, si fajtor që nuk zhbllokoi procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe zgjedhjes për të dërguar trupa shtesë në Afganistan, ka rënduar edhe mbi të. "E kuptoj zhgënjimin, por kur u zgjodh Obama, pritshmëritë ishin shumë të mëdha dhe që të arrije t‘i kënaqje të gjithë ishte thuajse e pamundur. Vazhdoj të besoj se pas ca kohësh, kur ta lëmë pas këtë moment, do ta shohim ende si një fazë përmirësimi". Megjithatë, ajo pjesën e saj vazhdon ta bëjë. Në SHBA, "Who speaks for Islam" është bërë një film që pas shfaqjes së rezervuar politikanëve dhe artistëve në Departamentin e Shtetit në Uashington, po qarkullon me sukses nëpër kinema dhe, shumë shpejt, do të mbërrijë në televizion. Në të njëjtën kohë, libri i saj ka mbërritur në Europë. "Mendoj se është pozitive që ky libër të dalë në Europë pikërisht tani. Referendumi në Zvicër mund të ketë efekt edhe në pjesën tjetër të kontinentit dhe mendoj se është diçka e mirë që ka të dhëna shkencore në dispozicion për të rrëzuar mite të pabaza, si ai i kontinentit të vjetër që po dëbon arabët. Ideja e "Euroabisë" nuk e reflekton evidencën empirike. Ndërkaq Europa ka nevojë për forcë pune për të rritur ekonominë: dhe është fakt që kjo forcë pune sot përbëhet nga një pjesë e mirë qytetarësh apo emigrantësh, origjina e të cilëve janë vendet myslimane. Të qenit një vend i hapur ndaj talenteve dhe punës, e ka bërë SHBA-në vendin më të rëndësishëm në botë. Duhet të mendoheni".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›