E Diel, 1 Nëntor 2026

Të drejtat themelore të njeriut dhe padrejtësia shqiptare

Edhe pas 61 vjetësh nga miratimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, shqiptarët vazhdojnë të mos jenë pjesë e botës së drejtë, të lirë dhe të barabartë. Megjithëse në 61 vitet e fundit bota demokratike ka prodhuar një seri aktesh e dokumentesh të detyrueshme për të gjithë shtetet anëtare të OKB-së (të paktën këtu nuk na aderoi Berisha), përsëri shqiptarët janë larg standardeve të kërkuara nga këto dokumente, për shkak se liritë dhe të drejtat e njeriut nur respektohen e as garantohen nga shteti në gjithë këto vite.
Fillimisht, shteti i vuri shqiptarët kundër shqiptarëve në emër të luftës kundër kulakëve dhe pasanikëve, duke i ndëshkuar këta të fundit me marrjen e pasurisë dhe të jetës së tyre e të pasardhësve. Më tej, shteti i vuri shqiptarët të luftojnë njëri-tjetrin në emër të ideologjisë e fesë. Edhe në këtë përplasje shqiptarët derdhën gjak e dhuruan liritë e tyre për hiçmosgjë, pa menduar të jetojnë si popujt e tjerë që e kishin rrokur logjikën e lirive dhe të drejtave universale. Në emër të diktaturës së proletariatit, u zhduk liria e fjalës, liria e mendimit, liria e zgjedhjes, liria e besimit, e drejta e pronës private, e drejta për të jetuar në barazi dhe pa diskriminim, e drejta për t‘u gjykuar nga një gjykatë e pavarur, prezumimi i pafajësisë, e drejta për një proces të rregullt ligjor etj. Liritë dhe të drejtat themelore të njeriut u bënë kështu një koncept i pazbatueshëm në Shqipërinë komuniste, sepse njerëzit nuk u konsideruan kurrë të tillë, por si kafshë pune dhe ushtarë për luftë jo me armikun, por me njëri-tjetrin.
Ideja e pas viteve ‘90 se më në fund shoqëria shqiptare do t‘u bashkohej vendeve ku shtetasit quhen njerëz dhe për pasojë kanë të drejta e liri universale, nuk u vërtetua plotësisht. Diktatura e proletariatit u zëvendësua me demokracinë e korrupsionit (një lloj diktature edhe kjo). As në demokracinë e pluralizmit nuk hoqëm dorë nga lufta. Fillimisht shqiptarët u vunë të luftojnë shqiptarët në emër të luftës kundër komunizmit. Në këtë betejë nuk pati shumë viktima si më parë, por liritë dhe të drejtat u kufizuan gjerësisht për të gjithë ata që nuk ishin dakord me mendimin e qeverisë dhe të shtetit (që u udhëhoq nga Berisha). Është e vërtetë se shteti nuk të vriste më, por të linte pa punë dhe ndërsente të gjithë kundër atij që kritikonte udhëheqësin (kështu bënte Fronti Demokratik në komunizëm). Në gjithë këto 20 vite pluralizëm, shqiptarët u vunë të luftojnë njëri-tjetrin si demokratë e socialistë, në vend që të bashkonin kontributet e tyre për të zhvilluar vendin dhe për të garantuar të drejtat e liritë e çdo kujt. Demokratët dhe socialistët luftojnë edhe sot e kësaj dite me vendosmëri, pa menduar se edhe ata janë njerëz dhe si të gjithë njerëzit e këtij rruzulli gëzojnë liri e të drejta themelore, të cilat nuk duhen shkelur.
Në emër të reformës, prona nuk iu kthye pronarit, por atij që pagoi dhe atij që ishte në pushtetin e radhës. Edhe kur shteti ktheu ndonjë pronë, përsëri ia mori me ligje që i bëri sipas qejfit të udhëheqësve të ditës. Sot, në kohën e demokracisë së korrupsionit, prona merret edhe me shtetëzim, ashtu siç e mori shteti i diktaturës së proletariatit. Në të dyja rastet e drejta themelore e pronës u shkel, aq sa mund të mendohet se kjo çështje ka hyrë përfundimisht në rrugën e moszgjidhjes përfundimtare. Në demokracinë pluraliste të korrupsionit, shqiptarët janë vënë të luftojnë njëri-tjetrin për liritë e tyre themelore. Ka 20 vjet që shqiptarët luftojnë njëri-tjetrin sa herë ka zgjedhje. E luftojnë njëri-tjetrin me çdo mjet e mënyrë, duke filluar nga mashtrimi e deri te marrja e jetës në qendrat e votimit. Shqiptarët sot janë të paktën të lirë të flasin, por kjo nuk mjafton për të qenë i lirë në një shoqëri njerëzore me shtet. Liria e shprehjes duhet të shoqërohet me detyrimin e shtetit për të dëgjuar. Shteti ynë ka 20 plus 41 vjet që nuk dëgjon!
E drejta për punë vazhdon të jetë privilegj vetëm për ata që janë në pushtet. Shqiptarët luftojnë njëri-tjetrin edhe për punën. Demokratët dhe socialistët luftojnë kundër njëri-tjetrit jo më për idetë (si në kohën e diktaturës së proletariatit) por për t‘i rrëmbyer njëri-tjetrit vendin e punës. Demokracia e korrupsionit u mësoi shqiptarëve, se për të "merituar" vendin e punës duhet të plotësojnë këto kritere: të jesh me partinë që qeveris, të paguash për ta marrë vendin e punës ose të plotësosh dy kriteret e para. Puna e pandershme ishte dhe është elementi që i vuri shqiptarët përsëri përballë njëri-tjetrit, jo për të ballafaquar vlerat, por për të sharë njëri-tjetrin "hajdut". Ndërkohë që po rritet një brez, i cili po keqformohet nga edukata e punës së pandershme dhe nga kultura e të padrejtës.
Dokumentet themelore ndërkombëtare detyrojnë shtetin që të respektojë shtetasit e tij dhe në mënyrë të veçantë dinjitetin e tyre. Shteti ynë i 61 viteve të fundit i quan shtetasit e tij kriminelë dhe mafiozë pa iu provuar fajësinë e tyre. Në diktaturën e proletariatit shteti të quante "kulak", "armik", "sabotator", "borgjez" etj., dhe të vinte hekurat e të dënonte pa u kujdesur fare për provat apo për parimin e prezumimit të pafajësisë (kushdo është i pafajshëm deri sa të dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë). Sipas shtetit të sotëm, të gjithë shqiptarët janë mafiozë, derisa ata vetë të provojnë të kundërtën (ky është ligji Antimafie). Në të dyja rastet dinjiteti dhe liritë e të drejtat themelore të njeriut u shkelën.
Pas 61 vitesh, mund të konkludojmë lehtësisht (për fat të keq) se padrejtësia është bërë e drejta e shtetit tonë. Gjithmonë ka fituar dhe fiton i forti, pushtetari, i padrejti, banditi, katili, xhelati, bashkëpunëtori e vrasësi. Është dhunuar e dhunohet i drejti, punëtori, i ndershmi, i afti, qytetari, mendimtari dhe çdo gjë tjetër që qytetërimi i quan vlerë. Për shkak të këtij lloj shteti dhe kësaj lloj politike 61-vjeçare, shqiptarët bashkë me liritë dhe të drejtat themelore kanë humbur moralin dhe vlerat.
Sot e 61 vjet, shqiptarët luftojnë në emër të lirive dhe të drejtave themelore të tyre, por me njëri-tjetrin. Gjithmonë është luftuar për një teori, ide apo kauzë që ka ardhur nga politika dhe jo nga populli. Në këto "beteja" kanë fituar gjithmonë politikanët, të cilët patën "aftësinë" të bëjnë popullin e tyre të luftojë për ta (pra për politikanët). I gjithë ky bilanc (shumë i shkurtuar) tregon se sa fatkëqij janë shqiptarët që nuk u qeverisën asnjëherë ashtu si popujt e tjerë. Në histori na kanë mësuar se paraardhësit tanë kanë luftuar për lirinë e atdheut. Koha po na mëson se kemi luftuar më shumë se ç‘duhet me njëri-tjetrin. Shteti ynë i asaj kohe e i kësaj kohe nuk na udhëhoqi drejt bashkimit e vëllazërimit, por drejt luftës dhe përçarjes. Nga lufta jonë me njëri-tjetrin kanë përfituar disa njerëz që janë quajtur e quhen politikanë, por që në fakt nuk e meritojnë këtë titull. As Enveri, as Saliu e as Rama nuk e meritojnë të quhen politikanë, sepse përçanë shqiptarët, i futën ata në llogore politike për të luftuar njëri-tjetrin. Ky mjedis absurd "lufte" nuk garanton dot jo liritë themelore, por as vetë stabilitetin e shtetit e të shoqërisë. Më keq akoma, edhe brezat që po rrisim nuk po na garantojnë se do jenë ndryshe nga ne.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›