Gjyqësori: Pezulli apo vetëlëvizje?
Instituti për Studime Bashkëkohore
1. Një javë më parë, 119 gjyqtarë të të tri shkallëve të sistemit gjyqësor organizuan një mbledhje konsultative lidhur me thirrjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Mbledhja u parapri nga debate mediatike e shkrime pro e kundër vetëmbledhjes së kësaj konference. Një palë është përpjekur të argumentojë se vetëmbledhja, në mungesë të një ligji organik, është antikushtetuese. Pala tjetër argumentoi se vetëmbledhja është në përputhje me Kushtetutën. Presidenti i Republikës, njëherazi Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka qëndruar formalisht neutral.
2. Informacionet publike, gjysmëpublike, të thëna e të pathëna, para, gjatë dhe pas mbledhjes së gjyqtarëve, treguan se kjo nismë është përballur me ndërhyrje penguese të palës kundërshtuese, si dhe me frikën, ndrojtjen, apatinë apo edhe papërgjegjshmërinë e një pjese të mirë të gjyqtarëve. Komentet mediatike në televizione a në shtypin e shkruar ishin me sens negativ. U theksua se mbledhja dështoi. Nismëtarët nuk arritën të mblidhnin as gjysmën e të gjithë gjyqtarëve.
3. Mbledhja e gjyqtarëve ishte një takim konsultativ paraprak. Në të morën pjesë 1/3 e të gjithë gjyqtarëve. Duke konsideruar paqartësitë ligjore, pengesat e ndërhyrjet nga qendra influente pushteti, mbledhja është në të vërtetë një histori suksesi. Një hap përpara: drejt ushtrimit të së drejtës kushtetuese të gjyqtarëve; zbatimin e drejtpërdrejtë të Kushtetutës; zgjidhjes së gjendjes njëvjeçare të pezullisë.
4. Në mbledhje u qartësua e drejta kushtetuese. Pjesëmarrësit u njohën me përcaktimin e Gjykatës Kushtetuese që "....vlerëson se neni 147, pika 1, që ka sanksionuar kompetencën e Konferencës Gjyqësore Kombëtare për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga gjyqtarët e të gjitha niveleve, mbetet një dispozitë e zbatueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë". Ata do e përhapin këtë fakt juridik mes kolegëve të tjerë. E vërteta kushtetuese do përthithet me shpejtësi në gjithë korpusin e gjyqtarëve. Teza e palës tjetër po humbet terren. Qartësimi i së drejtës po përhapet mediatikisht edhe në opinionin publik të interesuar. Mbështetja e tij do të vijë në rritje.
5. Nga një e drejtë Kushtetuese, vetëmbledhja e Konferencës Gjyqësore Kombëtare është bërë tashmë një imperativ. Nisma e gjyqtarëve për mbledhjen e kësaj konference është veçse për t‘u lavdëruar. Në mbledhjen e 5 dhjetorit u mblodhën 1/3 e gjyqtarëve. Kërkohen edhe ca përpjekje për të sjellë edhe të paktën 1/6 e atyre që nuk morën pjesë. Kjo do të përbënte të paktën gjysmën e gjyqtarëve. Nëse arrihet të përçohet mesazhi që gjysma e gjyqtarëve do të mblidhen në takimin e ardhshëm, edhe një pjesë e mirë e gjysmës tjetër do të shkunden nga përgjumja. Do të marrin pjesë. Si rregull, njerëzit duan të jenë pjesë e vendimmarrjes. Gjyqtarët po ashtu.
6. Pjesëmarrja sa më e plotë e gjyqtarëve në konferencën e tyre është veçse kushti i vlefshmërisë së saj. Kërkohet që konferenca të miratojë një statut të përshtatshëm dhe një procedurë të hapur, transparente, konkurruese, e bazuar në meritën për përzgjedhjen e përfaqësuesve të gjyqtarëve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kështu i hapet rrugë besueshmërisë dhe përgjegjshmërisë me të lartë të përfaqësuesve të tyre në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Procedura të tilla thyejnë lidhjet klanore, nepotike e politike. Ky është interesi i përbashkët i shumicës dërmuese të gjyqtarëve.
7. Një procedurë e tillë është premisë për forcimin e legjitimitetit dhe përgjegjshmërisë të vetë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjyqtarët e përzgjedhur në këtë mënyrë do ndikojnë që Këshilli të adaptojë procedura konkurruese e transparente për emërimin dhe karrierën e vetë gjyqtarëve. Fryma dhe idetë duhen përcjellë tashmë nga konferenca në këshill.
8. Fryma dhe idetë në reformimin e gjyqësorit ka ardhur kryesisht nga politika duke u përçuar dhe zbatuar edhe nëpërmjet Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Përballë një gjyqësori të vlerësuar negativisht, përveç qëllimit për influencë mbi të, fryma dhe orientimi politik është anuar kah anatemimit dhe mosbesimit kundrejt gjyqtarëve duke vepruar më shumë mes mjeteve të komandës e kontrollit sesa mes nxitjes së vlerave. Për pasojë, gjyqtarët janë pozicionuar më shumë në vetëmbrojtje sesa në dhënien e kontributeve për idetë dhe mjetet reformuese të sistemit gjyqësor.
9. Karriera në sistemin gjyqësor duhet bazuar në aftësitë, performancën dhe ndershmërinë. Kjo kërkon një proces sa më objektiv vlerësimi dhe sa më konkurrues në emërim. Vetëm në këtë mënyrë do të krijohej një mjedis besimi dhe motivimi për performancë gjithnjë e më të lartë dhe integritet mes gjyqtarëve. Ndryshe krijohen veçse premisa për dekurajim të gjyqtarëve profesioniste e me integritet ndërsa inkurajohen antivlerat.
10. Gjykata e Lartë, nxitëse e vetëmbledhjes së konferencës, duhet të zhvillojë më tej rolin e vet në forcimin e parashikueshmërisë dhe integritetit të të gjithë sistemit gjyqësor. Çdo subjekt, nëse do të ketë një pritshmëri të lartë për drejtësi finale në Gjykatën e Lartë, do të ishte po aq më pak i prirur të ndikonte me mjete të ndryshme gjyqtarët në nivelin e poshtme të sistemit gjyqësor. Kjo kërkon gjithashtu që procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të jetë edhe më shumë konkurrencial, i bazuar në aftësitë dhe integritetin e kandidatëve.
11. Politika ka rolin e vet përcaktues në përmirësimin e performancës së sistemit gjyqësor. Bojkoti opozitar ka bllokuar reformat e mëdha. Gjykata administrative, administrata e gjyqësorit dhe elementë të tjerë të reformimit janë të bllokuara derisa opozita të kthehet në Kuvend e të jetë e gatshme të japë konsensusin e saj. Nëse kjo do të ndodhë progresi është i sigurt. Publiku pret që politika të bëjë detyrën e saj.
12. Sistemi gjyqësor mund të përmirësohet shumë nga vetë gjyqtarët. Vetëveprimi i tyre është kusht baze. Korpusit të gjyqtarëve i bie barra të bëjë ç‘është e mundur dhe e ligjshme për të kompensuar mungesat e ardhura nga politika. Le ta fillojnë nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Suksesi i saj do të jetë një tregues se pavarësia e sistemit gjyqësor nuk është vetëm një domosdoshmëri kushtetuese, por edhe një liri që gjyqtarët e ushtrojnë me përgjegjshmëri në shërbim të një drejtësie efektive e të paanshme. Kërkohet dalja nga pezullia. Kërkohet vetëveprimi i gjyqtarëve.